Një monument mirënjohjeje për Ali Malindin

Nga Wikibooks

Nga Bashkim Koçi

Fshirja e një pjese nga e kaluara është si të fshish një pjesë nga e ardhmja, është si të të humbasin ngjarje a personazhe historikë që, për aq sa kanë mundur, kanë vendosur një gur të skalitur bukur në kalanë e historisë së kombit.

Kjo çka thashë është një “tërheqje veshi” për të gjithë ne, për historianë, intelektualë apo gazetarë të mediave të ndryshme, tek të cilët duhet të qëndrojë hapur dhe aktive dera e kujtesës në mënyrë që e vërteta historike të shkruhet, të mos mbetet jashtë kësaj dere.

Për të hedhur këto radhë për intelektualin punëshumë, skraparasin Ali Malindi (Spahiu), më diktoi veprimtaria e tij e dendur atdhetare për më shumë se gjysmë shekulli në shërbim të Shqipërisë.

Sigurisht, nuk është hera e parë që kujtohet a shkruhet për të, por Ali Spahiu për veprimtarinë e tij të ndritur, mbetet personazh “minierë”, i pa eksploruar deri në fund.

Ai lindi në fshatin Malind të Skraparit më 20 qershor të vitit 1953. Pra “i kishte rënë koka” në ca troje ku shumë herët ishin dëgjuar zëra mëmëdhetarësh të mëdhenj të cilët ia kishin falur jetën çështjes kombëtare. Në këto “troje” bënte pjesë edhe fshati i tij, Malindi, edhe burrat e fisit zemërmirë të Spahinjve, nga i cili kishin dalë emra që guxuan të gjezdisnin pash më pash kufijtë e botës.

Fjala vjen gjyshi i tij, Ylvi Malindi, kish rrahur e njohur qytetet më të njohur të asaj periudhe siç ishin Stambolli, Selaniku, Kajro etj. Lexuesit mund t’i shkojë mendja se këta qytete zhurmëshumë ishin edhe kryeqendra të veprimtarisë patriotike të shqiptarëve mërgimtarë, të cilët gjenin kushte të favorshme për të luftuar fort, me zemër e me mendje, në shërbim të atdheut.

Dhe kur themi “me zemër e me mëndje” kuptohen përpiekjet e tyre për të nxënë shkrim e këndim, për të mësuar abc-në e mandej t’i jepnin zjarr çështjes kombëtare, të fitonin mëvetësinë nga perandoria osmane, aq shumë të dëshiruar nga rilindësit. Ylvi Malindi, si e gjithë djemuria shqiptare, kish kryer shërbimin ushtarak në vise të largëta të perandorisë.

Deri në Kajro të Egjyptit e Alepo të Sirisë pat shërbyer Ylvi Spahiu nga fshati Malind i Skraparit. Paskësh qënë shumë i zoti në përdorimin e armëve, por çuditërisht edhe një zelltar nga më të shquarit për të mësuar e studiuar vendet ku shërbente si ushtarak. Në këtë hapësirë e mundësi njohjeje ai arriti të zotëronte shkëlqyeshëm gjuhën persishte, tuerqishten dhe gjuhën frënge.

Në planin e pjesmarrjes së tij si luftëtar e patriot mund të sillen kryengritjet antiturke e viteve 1834 dhe 1847, si dhe “Besëlidhjen e Beratit”, ku Ylvi Spahiu mori pjesë drejtëpërdrejt, duke luftuar përkrah shumë luftëtarëve për çlirimin e qytetit të lashtë.

Me një armë të zbrazët mund ta trembësh armikun, por nuk mund ta zhdukësh. Jo pa qëllim qëndruam paksa gjatë tek portreti i gjyshit të Ali Spahiut, Ylviut. Ai ishte njeriu që do të bëhej shkak për formimin dhe ndërgjegjësimin e tij, pra të Aliut, për të hedhur hapa të sigurta në jetë, për t’u bërë ai që u bë.

Ali Spahiu ishte një fëmijë që ndikohej shumë nga shembulli i të rriturve. Njeriu ideal, të cilin e shikonte në dritë të syrit dhe ëndërronte të bëhej si ai, ishte gjysh Ylviu. Ndoshta ka qënë kjo fuqi magjepsëse qëai nisi të mësojë persisht e turqisht shumë herët, në buzë të fëminisë. Thuhet se për të mësuar persishten dhe turqishten kanë ndikuar fuqishëm edhe poetët shumë të dashur për të siç ishin persianët Shirazi e Rumiu. I ati, Kajtazi, e ndiqte me shumë vëmendje të birin.

Shikonte tek ai jo vetëm njeriun e zgjuar dhe të vëmendshëm për çka përkushtohej, por edhe një fëmijë që kishte nevojë për të vijuar shkollën rregullisht dhe nën kujdesin e mësuesve, të dhaskalit, siç e quante ai një mësimdhënës. Fillimisht mësojmë se Aliu ka ndjekur mësimet në Medresenë e Beratit. Ky vendim familjar është marrë ndoshta për shkak të një miqësie të vjetër të fisit Spahiu me familjen e mirënjohur beratase Resulaj.

Thuhet se fati nuk është i rastësishëm, është mundim. Ndoshta me mundim e gjeti rrugën e arsimimit edhe familja Spahiu për Aliun. Ajo e hodhi zarin, por mundi të mrekullohej kur biri i tyre do të vijonte studimet në Gjimnazin famëmadh “Zosimea’” të Janinës. Por ai nuk ishte thjesht një gjimnaz ku do të merrte dituri, por edhe një vatër e rrallë ku do të formohej si patriot e atdhetar. U bë sebep gjimnazi “Zosimea” që i riu Ali Spahiu të njihej e të miqësohej me vëllezërit Frashëri.

Ai këtë gjë nuk e kishte parë as në ëndërr e jo më që të bisedonte me ta vëllazërisht e si i barabarti midis të barabartëve. Zuri edhe miq të tjerë të zgjuar e të virtytshëm ku midis tyre shquhej Halit Berzheshta e Hamdi Filati. Me këto dy figura të dashura, të cilët Aliu i respektonte dhe ua dëgjonte fjalën, bashkëpunoi edhe vitet më pas, në lëvizjen kombëtare për liri e pavarsi. Ali Spahiu, i cili sapo kishte mbushur 18 vjeç, nën ndikimin e Halit Berzheshtës dhe Mehmet Frashërit, u përfshi në veprimtarinë e gjerë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për mbrojtjen e kufijve Jugorë të vendit nga synimi shovinist grek.

Ali Spahiu e kishte kuptuar se tashmë ishte në rrugën e duhur. Një ditë ai u gjend në Stamboll, pas një konkursi të suksesshëm për të fituartë drejtën në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike-Administrative. Ai edhe studjonte, por edhe ndiqte hap pas hapi ngjarjet politike e sidomos ato që kishin të bënin me Shqipërinë.

Aty në Stamboll, nga gazetat që i çfletonte përditë për të mësuar ngjarjet më të rëndësishme e bënin fjalë për Shqipërinë, mori vesh për reprezaljet dhe për masat e rrepta, madje të përgjakshme të Portës së Lartë kundër Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ai u ligështua, nuk e mbante vendi kur mësoi për arrestimet dhe burgosjen e krerëve të lartë si Abdyl Frashëri, Mustafa Pashë Vlora, Ymer Prizreni e qindra të tjerë nga Kosova dhe Çamëria.


Historiani dhe studiuesi i mirënjohur, Prof. Bardhosh Gaçe, na sjell goxha të dhëna për veprimtarinë dhe jetën aktive të Ali Spahiut. Sipas tij, në vitet 1880-1884, Ali Spahiu qëndroi në Stamboll ku ndoqi me zell të madh studimet e larta, por për shkak të angazhimit të tij politik, të impenjimit të përditshëm për të mësuar zhvillimet e rejat nga Shqipëria, përpiqej të gjente kohëpër të krijuar lidhje me autoritete mërgimtarësh të cilët qëndronin në ballë të lëvizjes për çështjen kombëtare.

Prof. Gaçe thotë se ai shkonte shpesh herë edhe në klubin e shqiptarëve, ku mblidheshin vazhdimisht, sidomos në çdo fundjavë, për të kuvenduar për hallet e Shqipërisë. Shoku i tij i shkollës, Haziz Gjirokastra, me anën e “Alfabetaria e gjuhës shqipe” të Sami Frashërit, i nxiti Ali Spahiun dhe studentë të tjerë shqiptarë, të mësonin shkrimin dhe leximin e shqipes.

Ai dashurinë për vendlindjen, për atdheun e konsideronte si një bimë të çmuar, e cila duhej trajtuar me kujdes e ta mëkoje çdo ditë duke mos e nxjerrë nga mendja. Nuk kishte kaluar veç një vit dhe Ali Spahiu, me mallin e pashuar për mëmëdheun, nisi të lexonte shkrimet e Sami Frashërit, të Pashko Vasës dhe Jani Vretos, për historinë dhe gjeografinë e Shqipërisë, për gjuhën shqipe dhc lashtësinë e shqiptarëve. Thuhet se nga Stambolli ai pati dërguar në vendlindje, në Skrapar, edhe 5 Alfabetare të Shoqërisë së Stambollit dhe shkronja e Këndime.

Sfidat janë ato që e bëjnë jetën interesante. Për Ali Spahiun përfundimi i studimeve të larta përbënte një tjetër sfidë, një tjetër provë për t’u çfaqur si ëndërrimtar që mund të realizonte çdo ëndërr sado e pakapëshme që mund të ishte.

Nga të dhënat për jetën e tij mësojmë se ai pas mbarimit të universitetit u emërua stazhier në Bashkinë e Bolusës, njëqytet nga më të veçantët në perandorinë otomane, njëvendbanim antik ku përballëshe në çdo hap që të hidhje me rrënoja të qytetërimeve të hershme. Por nëpunësi i ri, i porsadalë nga bankat e shkollës nuk kishte vajtur aty si turist.

Përkundrazi, ai që ditën e parë u gjend përpara një pune të lodhëshme e cila kishte tëbënte me çështje administrative, si me organizimin e tregjeve të drithit dhe bulmetit, të kultivimit të orizit për të furnizuar ushtrinë detare turke, ndërtimin e ujësjellësit të ri të qytetit etj. Të gjitha këto i dhanë një përvojë të re në jetën e tij, i dhanë ndjesinë që ta donte me shpirt atë që bënte. Kjo ndoshta për faktin se ai ndiqte vetëm ato që ja kapte zemra.

Ali Spahiu përpiqej të kapte suksesin, por ndërkohë të çfaqej edhe njeri i vlerave. Pikërisht në momentin që ai po dallohej si organizator dhe shumë i përpiktë në kryerjen e përgjegjësive që i ishin dhënë, Porta e Lartë e ngarkoi me detyrën e inspektorit për organizimin e kavalerisë së Bolusë. Aso kohe, rrugët moçalore dhe katundet turke nga Boluja në Ankara, Izmir e qytete të tjera bastiseshin nga çekrezët dhe hajdutë të tjerë. Në vitet 1887-1890, veprimtaria e tij administrative e ushtarake, u përgëzua edhe në gazetën “Terxhuman-i shark”.

Asgjë nuk do të funksionojë nëse nuk bëhet kur duhet dhe ashtu si duhet. Kjo korrektësi ndaj çdo detyre që iu ngarkua do t’i sillte Ali Spahiut diçka të re, e cila paralelisht ndikoi që ai të mundëte të lidhej e komunikonte me veprimtarë të shquar të çështjes kombëtare. Në vititn 1897 emrin e Ali Spahiut do ta gjejmënë administratën e Bashkisë së Selanikut.

Po çfarë ndodhi ato ditë me jetën e tij? Jeta qënkërka gjithmonë çështje e të priturit për të gjetur momentin e duhur për të vepruar.Atij iuçfaq krejt papritur rasti për t’u njohur e miqësuar me patriotin e shquar Shahin Kolonja, i cili në atë kohë ishte emëruar kryetar bashkie në Malin Athos.

Ali Spahiu e konsideroi njohjen me Shahin Kolonjën një mrekulli, ditë që i dha dorë për të kuptuar se çdo të thoshte dhe cilat ishin rrugët për të zgjidhur çështjen kombëtare. Ndërkohë ai dalngadalë kuptoi se kishte mbërritur në atë latësi njohjeje për problemet e Shqipërisësa ishte në gjendje të shihte edhe më larg.

Njohja dhe miqësia me Shahin Kolonjën i dha aspirata të reja shpirtit të tij atdhetar.Kishte ardhur çasti i shumëpritur që ai të merte pjesë në takimet e kuvendimet që organizoheshin me këta burra të shquar, të cilët ishin ndër organizatorët më të ndritur të Lëvizjes Kombëtare në kazatë shqiptare.

Prof. Gaçe na bën me dije për kontribut të drejtëpërdrjtë të Ali Spahiut, duke sjellë të dhëna interesante nga shtypi i kohës. Çerçiz Sihati, një patriot tjetër i cili në vitin 1899 kryente shërbimin ushtarak në Selanik, shkruan:

“Atë kohë, disa nga ne rekrutët shqiptarë që dinim mirë edhe gjuhën turke e atë greke, në Selanik takoheshim e kuvendonim edhe me Shahin Kolonjën, Memo Meton, Ahmet Lepenicën (Cane) dhe Ali Malindin (Spahiu). Në bodrumin e Selanikut kishin shtirë 14 kosovarë nga Peja, pasi kishin marrë pjesë në shoqërinë ‘Besa-Besë’ të Kosovës dhe i kërkonin Stambollit autonomi dhe administrate shqiptare në tokat e tyre. Me ndërhyrjen e Shahin Kolonjës e Ali Spahiut ata u liruan…”.

Duke vlerësuar punën e Prof. Bardhosh Gaçes, saktësinë e tij në gjetjen e të dhënave lidhur me veprimtarinë e Ali Spahiut citoj: “ Veprimtaria kombëtare e Shahin bej Kolonjës dhe miqësia e Ali Spahiut me të kishin rënë në sy te Portës së Lartë prandaj në vjeshtën e vitit 1900, Shahin Kolonja u transferua si kryetar i Bashkisë në Vlorë, ndërsa Ali Spahiu u emërua në administratën turke të Janinës si inspektor për doganat në Sarandë, Prevezë dhe Korfuz.

Në vitin 1903, ai u emërua kryetar i Bashkisë së Vlorës, detyrë që do ta mbante deri në vitin 1908. Në kujtimet e Kolë (Nikollë) Karbunarës gjendet një dëshmi interesante e cila tregonpër veprimtarinë kombëtare të Ali Spahiut në fillim te shek. XX-të: “Në beledien e Vlorës u emërua Ali Ylviu (Skrapari), miku i Shahin Kolonjës dhe Dush Stratit. Unë e njoh në ato mote të vështira, pse me anën e tij që ishte inspektor i doganave, ne vlonjatët, beratasit, gjirokastritët e të tjera, na ndihte të sillnim librat e fletoret shqipe nga kollonitë e mërgimit, nëpërmjet na vëllave dhe kushullës Austro-Hungarese”.

Nuk ka asnjë sekret në pasjen apo mospasjen e suksesit. Ai është rezultat i përgatitjes, i punës së madhe dhe mësimeve nga ulje-ngritjet për të kryer një detyrë shtetërore apo veprimtari patriotike. Ali Spahiu për aq vite që shërbeu në Vlorë si kryetar bashkie, dallohet ndër të tjerët për punëra të mëdha, për punë që kërkonin rrezik dhe që mund të komprometohej.

Por ai i shehte zhvillimet me guxim dhe nuk kishte frikë për çka mund t’i ndodhte, nuk i shkonte mendja edhe nëse i rrezikohej karriera si nëpunës i lartë. Shumë atdhetarë me kontribute dhe që i kishin “shijuar” arritjet në shumë drejtime, sidomos në atë të hapjes e konsolidimit të shkollave shqipe, kanë lënë dorëshkrime e kujtime ku del në pah ndihmesa e çmuar e Ali Spahiut. Atdhetarë si Hamza Isai, Jorgo Koleka. Beqir Velo, Ibrahim Abdullai e Kristo Karbunara, kanë sjellë mjaft fakte e dëshmi të ndihmës së Ali Spahiut në Vlorë gjatë vitëve 1905-1908.

Në njërën prej këtyre dëshmive, atë të Beqir Velo Kanina thuhet se “me ngrehjen e shoqërive për çeljen e shkollave shqipe në Kaninë, Himarë e Vlorë, na ndihmoi edhe Ali Ylviu (Skrapari). Ai shpëtoi nga internimi e burgosja mjaft vlonjatë që punonin për vatanin…”.

Ky burrëi lartë e me vizion nuk e shikonte të ardhmen e Shqipërisë si diçka që do të realizohej me magji. Jo. Ai e shikonte si diçka që do të arrihej me përpjekje të mundimshme, duke u bërë të gjithë bashkë. Të bëjmë punën me merak, të mos jemi përtacë sepse populli e ka sytë tek ne, thoshte midis bashkëpuntorësh Ali Spahiu. Ai në qytetin e Vlorës gjeti mjedis të shkëlqyer bashkëpunimi edhe sepse aty zhvillonin veprimtarinë e tyre patriotike emëra nga më të njohurit si Jani Minga. Hamit Lumi, Xhemil bej Vlora, Kristo Karbunara, Musa Çakërri, Hamza Isai, Ibrahim Abdullai etj.

Po jo vetëm kaq. Ai ishte ambicioz, ishte vazhdimisht në kërkim të lidhjeve që mund të çonin në suksesin e madh, siç ishte pavarsia e Shqipërisë. Letërkëmbimet me Ismail Qemalin, kur ai ishtë në Francë e më pas në Stamboll, do ta bënin më veprues, duke u orientuar nga çështje që ishin imediate për vendin. Një letër dërguar nga Ismail Qemali, ku ai e këshillonte të gjente 7-8 djem për t’i çuar në normalen e Korfuzit e për t’u përgatitur për mësues të shqipes, Ali Spahiu e konsideroi si këshillën më të vyer, e quajti “hap të parë” nga ku mund të arrihen synime të mëdha.

Për sa kohë që Ali Spahiu ishte kryetar bashkie në Vlorë, zëri dhe forca e tij prej atdhetari të vendosur, u bë pjesë e padiskutuar e arritjeve, duke u çfaqur në sy të vlonjatëve si njeri me karakter të fortë. Kur në muajin prill të vitit 1907 e pushojnë nga puna si kryetar bashkie, Aliun do ta gjejmë me një detyrë të re në qytetin e Manastirit.

Por në qytetin e Vlorës ai la mbrapa boshllëk të madh, gjë që do të ndjehej tek rrethi shoqëror e bashkëluftëtarët, tek ata që nga kohrat e vështira i kishin bërë më të fortë. Mundi dhe sjellja e këtij njeriu me shpirt të plagosur për t’i lënë diçka nga vetja Vlorës, u konkretizua në atë çka “investoi” për organizimin dhe çeljen e shkollës shqipe të Muradies.

Nga kujtimet e Kristo Karbunarës mësojmë jo vetëm peshën e tij në rrethet patriotike në Vlorë, por edhe dhimbjen që la pas tek ata që ia dinin vlerat organizuese e këshilluese.“Të larguarit e Ali Ylviut (Spahiut) nga Vlora ndë Manastir, shkruan Kristo Karbunara, na brengosi, por motin tjatër, ai na thirri për t’u pjekur me Gjergj Qiriazin e Feim bej Zavalani, e ashtu zumë të ngjallim më çpejt klubin ‘Labëria’ të Vlorës”.

Për të kuptuar zemrën dhe forcën e mendjestë Ali Spahiut nuk mjaftojnë vetëm çka ai kishte bërë në veprimtarinë e tij si atdhetar e patriot, por edhe qëllimet që i kishte vënë vetes për të përmbushur misionin si i tillë deri në fund.Vajtimi i vendit atij i kish prekur zemrën ndaj kudo dhe ngado që të shkonte nuk do ta braktiste kurrë kënaqësinë që i jepte lufta në shërbim të Shqipërisë, duke e konsiderur atësi një borxh pafund ndaj saj.

Sipas Ali Spahiut edhe më i merituari mbetej borxh ndaj atdheut. Veprimtaria e tij atdhetare në Manastir në shërbim të çështjes kombëtare dhe klubit “Bashkimi” na përcillen në marrëdhëniet e tij me Gjergj Qiriazin, Feim Zavalanin, por edhe në Komitetin “Për lirinë e Shqipërisë”. Në organizimine punëve për mbarëvajtjen dhe për të zhvilluar sa më mirëpunimet Kongresi i Manastirit në vitin 1908, Ali Spahiu dha maksimumin e mundshëm, duke e konsideruar standartizimin e gjuhës shqipe si të vetmin mjet për ndriçimin dhe i përparimin e Shqipërisë. Më 16 janar 1909 ai i shkruante mikut të tij A. Resuli në Berat: “Me gazmend të dërgonj haber se Kongresi ndë Manastir ka venduar njohjen e kombësisë tënë, çeljen c shkollave amtare dhe alfabetin shqip me gërma latine, të cilat do t’i ndritin shpirtin dhe mejtimin çdo shqiptari…”.

Në jetën plot vrull të këtij patrioti e atdhetari të palodhur ka edhe një ngjarje e cila ia lartëson emrin. Në ditët e fundit të korrikut 1914, në Vlorë mbërriti zonja angleze Mary Edith Durham(1863-1944), e cila punoi si kurrkush tjetër për pasqyrimin në shtypin e Europës fatin dramatik të shqiptarëve nën pushtimin e ushtrisë serbe dhe greke. Edith Durhami, e shoqëruar nga kryebashkiaku i Vlorës Ibrahim Abdullai si dhe Ali Spahiu, Mehmet Selim Mallkeqi dhe Xhelal Koprencka shkuan në Vllahinë, ku çuan ushqime e veshmbathje për muhaxhirët.

Ata, sipas studiusit Gaçe, e shoqëruan Mis Durham edhe në spitalin e Shkozës dhe në frontin e luftës në Dhëmblan të Tepelenës.Në vitet 1913-1914 Ali Spahiu pati një bashkëpunim të ngushtë me Xhelal Koprenckën, zëvendës ministër i Luftës të Qeverisë së Ismail Qemalit. Ata të dy kishin qenë shokë të ngushtë edhe në Selanik e Janinë, por edhe në organizimin e frontit të luftimeve kundër andartëve grekë në Skrapar, Berat e Kolonjë, më 1913.

Ali Spahiu, edhe pse u bë përkrahës i zjarrtë i Turqve të Rinj dhe mbështeti revolucionin për përmbysjen e regjimit absolut të Sulltanit, shpejt u zhgënjye prej politikës së tyre në dëm të interesave kombëtare të popujve të vegjël. Ai e dinte dhe kishte përvojën e duhur të besonte se fitorja nuk ishte një frut që do të bjerë kur të jet pjekur, por duhej të trondisin pemën për ta bërë atë të bjerë.

Çerçiz Sihati në kujtimet e tij shkruan: “pas komplotit kundër Ismail Qemalit, në prill 1909, Feim Zavalani e Ali Spahiu na thirrën një mbrëmje në takim në hanin e T. Tetovës dhe na thanë: mundimet e shqiptarëve vajtën dëm se xhonët dolën të pabesë. Zunë e u mbylltën klubet patriotike, na tha Ali Spahia e Konstitucioni zu të qelbet, duke degdisur e burgosur të mjerët kombiarë në Alepo të Sirisë e budrumet e Janinës e të Stambollit”.

Në vjeshtën e vitit 1910, Ali Spahiu u emërua përsëri në vilajetin e Janinës si inspektor i transportit detar dhe tokësor. Aktiviteti i tij shfaqet përsëri, sidomos në kryengritjet shqiptare të viteve 1911-1912. Miku i tij Çerçiz Sihati shkruan: “në llogoret e istikamet e Bizhanit e kodrat rreth Janinës u vranë mjaft luftëtarë shqiptarë. Ishte Isuf Bushi, Ali Spahiu e Hamdi bej Filati, të cilët u jepnin guxim luftëtarëve të mos e lëshonin frontin, duke luftuar edhe vetë në krah të tyre. Të plagosurit u mbartën për në spitalin e Shkozës, në thellësi të maleve…”.

Ali Spahiu, si shumë përkrahës të Ismail Qemalit, u bënë pjesëe Qeverisë së Vlorës. Aliu u ngarkua me detyrën e organizimit të administrates në Lushnjë, Berat, Skrapar dhe Ballsh. Në letrën e prefektit të Lushnjës, Qazim Kokoshi, në vjeshtëne viti 1913, dërguar Ministrisë së Brendshme në Vlorë, thuhet: “Të dërguarit Sali Hallko, Ali Spahiu e Ymer Radhima bënë punë të shkëlqyer në Libofsh, Peqin e Mbrostar, për të krijuar zyrat e reja me njerëz të zotë…”.

Ali Spahiu punoi në administratën shtetërore të Lushnjës dhe Beratit, sidomos për organizimin e policisë dhe të gjendjeve civile, duke dhënë prova si një intelektual i ndershëm në mbështetje të progrësit. Në vitin 1916-1917 kreu dhe detyrën e nënprefektit në Berat.

Në vitin 1920 iu përgjigj Komitetit “Mbrojtja Kombtare” për mobilizimin e luftëtarëve në Berat, Skrapar e Lushnjë në luftën e Vlorës kundër pushtuesve italianë. Edhe pse i moshuar, ai luftoi me trimëri në kodrat e Risilisë dhe të Bistrovës për çlirimin e Vlorës. Ali Spahiu, ky luftëtar i shquar, icili punoi për drejtësi e dinjitet, për të mos i mbetur “borxh”vendit të tij, u nda nga jeta në qershor të vitit 1923 në Berat. Ali Spahiut i është dhënë titullin “Nderi i Qarkut të Vlorës”, ndërsa një rrugë në qytetin bregdetar mban emrin e tij.


7 Nëntor 2018