Nga Skënderbeu tek Pavarësia, Ylli Sula prezanton 1200 tituj të rrallë
Mbahet konferenca shkencore rreth vlerave albanologjike të koleksionit unik të Ylli Sulës. Veçohen 296 tituj që mungojnë në Bibliotekën Kombëtare. Historiani Pëllumb Xhufi u shpreh se shteti duhet të marrë përsipër ruajtjen e këtyre vlerave dhe t’i bëjë të aksesueshme
Anila Dedaj
Muzeu Historik Kombëtar falë koleksionistit Ylli Sula bën të mundur që nëpërmjet një koleksioni unik librash, hartash dhe gravurash të vjetra të shekujve XV dhe XIX, që ekspozohen për herë të parë, të përçojnë tek publiku “Rrëfimet e një koleksioni albanologjik: Shqiptarët dhe Shqipëria nga Skënderbeu tek Pavarësia”. Kjo ekspozitë e çelur në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut do të qëndrojë e hapur për publikun deri në 30 tetor. Nga 1200 njësi që koleksionisti disponon, ka ekspozuar në Muzeun Kombëtar 300 njësi, madje ai ka bërë të mundur që 200 vepra t’i vendosë në dispozicion të Bibliotekës Kombëtare për digjitalizimin e tyre për t’u bërë pjesë e koleksionit digjital të bibliotekës. Një nga motivet më të rëndësishëm që e ka bërë Sulën të koleksionojë këto materiale është edhe dashuria që ka për librin dhe leximin. Ditën e djeshme në sallën UNESCO të Muzeut studiues e historianë si Aurel Plasari, Xhevat Lloshi, Pëllumb Xhufi etj., mbajtën kumtesa albanologjike në lidhje me koleksionin e rrallë të ekspozuar.
Ylli Sula: Në koleksionin tim, libra që mund të shërbejnë si referenca historike
Për Ylli Sulën ajo që sot mund të rezultojë si një punë kërkimore në krye të herës ka qenë një pasion i tij, i nxitur nga dashuria për librin. Mandej, siç ai rrëfen, kësaj nisme i mbivendoset edhe kurioziteti. Interesi për botime që do të ndihmonin të kuptonim më mirë qenien tonë që në periudhat më të hershme e nxiti koleksionistit drejt një punë kërkimore, që do të fokusohej fillimisht tek periudha e Skënderbeut, për të vazhduar në periudha të tjera për Shqipërinë dhe shqiptarët. “Më tej kanë ardhur botime që në renditje kronologjike shënojnë të gjitha periudhat e mëpasme të Shqipërisë, që nga periudha e Pushtimit Osman, në atë pikën kulminante që është folur për Shqipërinë edhe Shqiptarët, për Ali Pashë Tepelenën dhe udhëtarët e huaj gjatë gjithë shekullit XIX. Momenti i tretë është periudha e luftërave ballkanike, e Luftës së Parë Botërore, ndarjes së territorit mes tyre, që për në i korrespondon periudhës së Pavarësisë”. Sula, ndër 1200 tituj albanologjik që ka koleksioni i tij, 300 prej të cilave janë ekspozuar në MHK, mund të veçoj si më të rëndësishmet 40 tituj, tre prej të cilëve lidhen me letërsinë dhe rezultojnë në vitet e hershme, si vëllimi me “Kronikat e botës” i vitit 1493. Libra të tjerë të rëndësishëm që shërbejnë si referenca të vyera në historinë tonë kanë të bëjnë me Barletin, Dhimitër Frangun edhe autorë të tjerë. “Për Skënderbeun kam 130 tituj, botime origjinale, por ka edhe disa tema që nuk janë shumë të njohura, siç është tema e Papës Albani apo Klemendi XI, të kardinalëve Albani që ishin nipërit e tij. Jo vetëm nga pikëpamja fetare, se papa Klemendi kanë qenë papët më me influencë të Romës, por edhe, sepse kardinalët, sidomos Aleksadnro Albani ka qenë një nga referentët më të mëdhenj për Romën, për koleksionistët dhe artin, mercenatin”, rrëfen Sula. Koleksionisti shpjegon se puna e tij kërkimore është shtrirë edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Janë rreth 15 vende që ai është drejtuar për materialet duke u konsultuar edhe me specialistë për librin e vjetër.
Pëllumb Xhufi: Institucionet kulturore e kanë braktisur kauzën e kulturës dhe të shkencës
Gjatë Konferencës shkencore që u mbajt ditën e djeshme për të folur rreth vlerave albanologjike të Koleksionit Sula, historiani Pëllumb Xhufi u shpreh se kjo ekspozitë nxiste ndër të tjera edhe debatin shkencor rreth një teme pak të cekur, atë të koleksioneve librore arkivore private dhe të nevojës së integrimit të tyre në qarkullimin shkencor. Xhufi u shpreh se gjatë këtyre 30 viteve të fundit fondet klasike të albanologjisë, në rastin më të mirë kanë mbetur ato që kanë qenë, ndërsa në rastin më të keq janë mpakur nga moskujdesja apo nga plaçkitjet. Ai theksoi gjithashtu mungesën e botimeve që zotëron koleksionisti Sula në Bibliotekën Kombëtare (madje edhe në biblioteka si ajo e Vjenës, Venecias, Mynihut ej), që sipas tij mbetet lider i padiskutueshëm në albanologji. Xhufi theksoi gjatë fjalës së tij nevojën për një gatishmëri të poseduesit dhe institucioneve, të cilët do të mundësonin që këto materiale të bëheshin të prekshme dhe të aksesueshme për studiuesin, siç ndodh në vendet e qytetëruara. “Përsa i përket Sulës, lëvrues i palodhur i këtyre thesareve nuk mungon kjo gatishmëri. Ai nuk është thjesht një koleksionist, një bibliofil, por edhe një lexues e studiues i pasurisë që zotëron. Si i tillë besoj se e di mirë se bibliofilia mund të rrëshqasë ndonjëherë në biblionekrofili, në rast se ajo pasuri nuk bëhet e të gjithëve. Shqetësimi im për këtë bashkëpunim të domosdoshëm qëndron tek institucionet shtetërore, që duket se e kanë braktisur kauzën e kulturës dhe të shkencës”. Xhufi theksoi se institucionet duhet të kryejnë funksionin e tyre, ashtu siç ndodh në vende si Italia, Franca, Gjermania etj., ku shteti merr përsipër, ruajtjen, propagandimin e vlerave të tilla me rëndësi të veçantë publike. “E pikërisht për këtë çështje gjykoj se do t’ia vlente të bëhej një ballafaqim publik midis të gjithë aktorëve të interesuar”, u shpreh historiani.
296 libra të koleksionit të Sulës që nuk gjenden në BK
1200 titujt albanologjik që Sula disponon rrëfejnë përpos të tjerave mungesën e titujve të rëndësishëm në Bibliotekën Kombëtare. “Ka disa libra të tillë, duke nisur që me titujt për Skënderbeun, të cilat nuk gjenden në Bibliotekën Kombëtare. Ata kanë bërë një verifikim prej nga ka rezultuar se janë 296 libra nga fondi im të cilat nuk i disponojnë”, shprehet koleksionisti. Sula ndërkohë ka vendosur në dispozicion 200 libra, për të mundësuar digjitalizimin e tyre për Bibliotekën Kombëtare, kështu që këto vëllime të mund të bëhen të aksesueshme për ata që duan t’i studiojnë. “Ka gjëra unike, sidomos për Zojën e Këshillit të mirë, për Klemendtin e XI-të dhe Karidnalët Albani”. Sula rrëfen se falë këtyre materialeve profesor Xhevat Lloshi pati mundësinë të zbulojë disa dokumente që nuk i njihte. “Po ju përmend këtu përkthimin e një lutjeje të një shenjtori të famshëm armen. Është një lutje e tija, e cila që nga viti 1810 në çdo 20 vjet është botuar e përkthyer në shumë gjuhë”. Sula na rrëfen se kjo lutje gati e panjohur në fillim është botuar në 24 gjuhë, pastaj në 28, e më tej në 36, derisa është bërë e mundur edhe përkthimi në shqip. “Shqipja e përdorur është albanio-gegiçe dhe rezulton të jetë e vitit 1860”, tregon koleksionisti duke shpjeguar se në materiale nuk jepet emri i përkthyesit, mirëpo vihet re një ngjashmëri me gegërishten. “Ka terma në gegiçe, që sot i bie të jetë gegërishtja, të cilat përbëjnë një përzierje mes dy dialekteve të shkrimeve të asaj kohe dhe ky është një fakt që nuk njihet në gjuhën shqipe”.
24 tetor 2018