Ne dhe Shqipëria!
Ne dhe Shqipëria!
Shpërndarë pa fund e pa fillim,
si zogjtë e korbit nëpër Botë,
mallkuar qofsh-o shteti im,
që as me bukë nuk na mban dot!
Ca sharlatanë-ca ujqëri,
na turpëruan njëmijë breza,
moj rrënjëdala Shqipëri,
ç’m’i pate ditët kaq të zeza!
Gjithë djalëria që ti nxore,
dhe nuk i ndave kurrë prej prakut,
shkrihen çdo ditë si vesë dëbore,
se bëjnë punën e zezakut!
Një pikë ujë t’u kërkosh,
dot nga asnjë nuk merr përgjigje,
ndaj lidh në kokë shami të zezë,
dhe ulëri brigje më brigje!
Vitet dhe shekujt pa mëshirë,
moj-Shqipëri sa shumë të tretën,
që kur ka lindur Europa,
ti si një qyqe mbete vetëm!
Sikur të biesh në greminë,
kjo botë-kurvë s’lëviz as gishtin,
rron Izraeli shumë më mirë,
dhe pse ka varur Jezu Krishtin!
Athinë, 1994
Arben Duka