Në përvjetorin e Heroit të Popullit, Gjeneralit Legjendar, Shefqet Peçi
Gjikë Kurtiqi
Këto ditë Organizata e Veteranëve të LANÇ dhe familja e tij, përkujtuan përvjetorin e ndarjes nga jeta të ish Kryetarit të Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ, Heroit të Popullit dhe Gjeneralit Legjendar Shefqet Peçi. Dihet tashmë vdekja e tij heroike dhe përcjellja madhështore nga populli I Tiranës, Labërisë dhe mbarë Shqipërisë në atë ditë tetori 1995, për në banesën e fundit.
Shefqet Peçi, komandant i Brigadës V Sulmuese Heroinë e Popullit në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, është shumë i njohur, në mbarë vendin e më gjerë, si luftëtar e atdhetar i shquar, për guximin, trimërinë dhe besnikërinë ndaj idealit të lirisë dhe Shqipërisë, si komandant batalioni, brigade e korparmate në atë luftë epope dhe si ministër e kuadro i lartë në ndërtimin e vendit pas çlirimit. Por Shefqet Peçi ka qënë i njohur edhe si poet që ka shkruar e botuar rreth 20 libra me poezi dhe tekstet e shumë këngëve popullore që këndohen në Labëri, kushtuar shokëve luftëtarë, heronjve dhe dëshmorëve që ranë për të mos vdekur kurrë në luftën më të lavdishme të popullit shqiptar.
Krijimtaria poetike e Shefqet Peçit përfshin një periudhë gjysmë shekullore, nga vitet 1935 deri në vitet 80 të shekullit të kaluar, me një tematikë që përfshin gjithë ngjarjet e zhvilluara në këtë periudhë kohore,për ngjarje që e kanë frymëzuar, ngjarje që e kanë prekur thellë në ndërgjegje duke i shkaktuar herë mall, dashuri e nostalgji e herë trishtim, zemërim e urrejtje. Por ajo që zë vendin kryesor në krijimtarinë e Shefqet Peçit është padyshim periudha e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Poezitë me temën e LANÇ janë kryesisht dëshmi autentike të kohës, të shkruara me lirizëm dhe me një shpirt të rënduar nga dhimbja e thellë, nga ndarja me shokët bashkëluftëtarë të rënë në betejë. Shumë nga poezitë me këtë temë dhe të asaj kohe, duke patur një stil të rrjedhshëm, shkruar me teknikën e poezisë popullore u përvetësuan shumë shpejt nga populli dhe u kthyen në këngë të polifonisë labe. Të tilla janë poezitë kushtuar: Memo Metos, Asim Zenelit, Abaz Shehut, Mustafa Matohitit, Llambro Andonit, Çelo Sinanit, Zonja Curres etj etj..
“Më dy prill na vjen haberi,
Fonogrami me nxitim,
Në Ramicë vjen korieri,
Bie lajm me hidhërim.
I njoftohet ushtërisë
Se në Kuç u vra një trim,
Memo Meto oratori,
Natë e ditë në veprim…”
Poezitë e Shefqet Peçit kanë një diapazon të gjerë. Në shumë krijime të tij shpaloset një gjeografi epike, një statizëm madhështor, peizazhe të gjera me gjithë larminë e tyre.
Po me atë zjarr e frymëzim, po me atë dashuri e përkushtim që shkroi gjatë luftës ai shkroi edhe deri sa e çoi në fund idealin e luftës, për gjithë transformimet e mëdha të vendit pas çlirimit, zhdukjen e plagëve të rënda dhe për reformat që bëri pushteti popullor për arsimin, shëndetësinë, kulturën, eliktrifikimin, bujqësinë dhe mbrojtjen.
Për Shefqet Peçin janë të shumta edhe krijimet që i kanë kushtuar poetët shqiptarë, sepse ai luftoi si hero, jetoi si hero dhe u nda nga jeta si hero. Midis këtyre krijimeve po shkëpusim një poezi shkruar nga Dritëro Agolli:
Komisari
Në një shkëmb murrash të shtrembër,
Që mban emrin Gur- Kusar,
Rrugën gjeti gjer në zemër
Plumbi i nxehtë, komisar!
Re në krah nën shkrep të vjetër,
Re në krah e s’lojte dot,
Pishë e re qepallëgjelbër,
Nga qepallat derdhi lot!
Loti I gjelbër ra në faqet,
Afër shkëmbit Gur Kusar
Dhe nën shpatull manushaqet
Ulën kokën, komisar!
Unë rrinja pranë teje,
Udhën sillja nëpër mend;
Si u hodhëm në beteja
Shteg më shteg e vend më vend.
Ne naganti nuk na ngeci
Që në Kuç e në Korab,
Kur na thërriste Shefqet Peçi,
Komandanti ynë lab…”
Dhe një poezi shkruar nga Arben Duka kushtuar vdekjes heroike të Shefqet Peçit:
Nënë qaje atë burrë
Nënë qaje atë burrë,
Se nuk do ta shohish kurrë,
E rrëmbyen të sëmurë
Dhe ta vranë…
Ah, që s’i punonte dora,
Si dikur kur bëri forra,
Badërdi mbi ata horra,
Ç’tramundanë!
Obobo që s’ish më djalë,
Kur hante barut të gjallë,
Kur si div priste më pallë
Mbi tiranë!…”
27 tetor 2018