Masat në Shqipëri pas pushtimit të Pragës, 3 muaj në pritje të desantëve
Hetem Halimi flet për masat në Shqipëri pas pushtimit të Pragës. Guximi i Enverit për të hequr Shqipërinë nga Traktati i Varshavës. Krijimi i Korpusit të Fierit dhe i Brigadës 32 të këmbësorisë.
Nga Leonard Veizi
Prej vitit 1961, Shqipëria nuk bënte pjesë në Traktatin e Varshavës, edhe pse juridikisht emri i saj ndodhej në listën e vendeve pjesëmarrëse. Kjo situatë vazhdoi për 7 vite, derisa midis palëve nuk ndodhi asgjë e pazakontë. Por në verën e vitit 1968, si Praga edhe Tirana u drodh nga ndjesia e një lufte të afërt. Trupat ushtarake të Traktatit të Varshavës bënë ndërhyrjen e parë agresive mbi një vend tjetër, për më tepër anëtar të saj. Në Kampin Socialist marrëdhëniet ishin tensionuar. Tanket dhe mjetet e blinduara kishin zbarkuar përgjatë një nate të vetme dhe, vetëm më mëngjes herët, kur askush s’e kishte besuar, Praga ishte vënë nën zinxhirët e mjeteve të rënda të luftës. Ishte një aksion “blic”, tepër sekret, gjë që shokoi dhe perëndimin kapitalist. Shumë nga shefat e zbulimit të vendeve të tjera, panë fundin e karrierës së tyre, pas kësaj ngjarjeje. Askush prej tyre nuk kishte qoftë dhe një informacion fillestar se ushtritë e kampit socialist, po përgatiteshin për të bërë pushtimin e tyre të parë. Dhe jo vetëm Praga, por dhe kryeqytetet e tjera të Lindjes socialiste, vunë në dyshim ekzistencën e lirisë së tyre, në rast se do të kundërshtonin Kremlinin…
…Një prej ushtarakëve madhorë të ushtrisë shqiptare, Hetem Halili, që pozicionin më të lartë e ka pasur si komisari i Korpusit të 7, tregon për situatën e vështirë që kaloi Shqipëria disa vite pas prishjes së marrëdhënieve të saj me BS e tërheqjes së nëndetëseve e anijeve mbiujëse nga baza e Pashalimanit. Këtë herë situata u tensionua, pasi trupat e Traktatit të Varshavës pushtuan një prej vendeve anëtarë të kampit socialist. E, në këtë rast mendohej se Shqipëria ishte vendi më i zbuluar ndaj një agresioni të tillë, përderisa cilësohej si një vend që e kishte tradhtuar këtë kamp.
Si ishte situata në Shqipëri pas pushtimit të Çekosllovakisë nga BS-ja?
Ishte një situatë tepër e vështirë. Në atë kohë ndodhesha me detyrë në Bazën Ushtarako-Detare të Vlorës. Shqipëria kishte kohë që nuk merrte pjesë në mbledhjet e Traktatit të Varshavës, por dhe nëse merrte, delegacionit shqiptar i krijohej aq tension, sa që pjesëtarët e tij ishin të detyruar të largoheshin. Ishte pikërisht koha kur Bashkimi Sovjetik, nga një vend socialist, ku merrnin shembull vendet e tjera të kampit, ishte kthyer në një vend socialimperialist, si në politikat dhe në partitetin që ndiqte. Në anën tjetër, si BS-ja ashtu dhe SHBA-ja përbënin një rrezik real jo vetëm për të gjithë vendet e botës, por dhe për aleatët e tyre. Në rastin konkret, pjesëtarë të Traktatit të Varshavës.
Pse BS-ja konsiderohej si një rrezik potencial?
Dihet që në ‘68-ën trupat ushtarake të Traktatit të Varshavës hynë në mënyrë të befasishme në kryeqytetin çekosllovak, Pragë. Kjo ndërhyrje agresive u hartua në kuadrin e një stërvitjeje ushtarake të vendeve anëtare të Traktatit të Varshavës, në lindje të Çekosllovakisë. E gjitha kjo vinte për shkak të frymës liberale që po frynte në shtetin komunist të atyre viteve. Sovjetikët hoqën sekretarin e parë, Aleksandër Dupçekun, si dhe bënë disa veprime të tjera kundër reformave në ndërmarra nga ai. Pushtimi ishte një sinjal për të gjithë për rrezikun që u kanosej nga socialimperializimi sovjetik. Në këto kushte, Partia e Punës dhe Enver Hoxha morën një sërë masash për të përballuar çdo të papritur, lidhur me mbrojtjen e vendit.
Cilat ishin masat e marra në këtë kuadër?
U bënë organizime dhe riorganizime të ushtrisë, si p.sh me Bazën Ushtarako-Detare të Vlorës dhe me disa reparte ushtarake të Fierit u krijua Korpusi i Fierit, në krye të së cilit u vu komandanti i bazës. Po ashtu u krijuan brigada të reja me detyrë jo vetëm të mbronin vijën bregdetare, por veçanërisht për të përballuar rrezikun nga desantët ajrorë, sidomos në rajonin Fier-Lushnjë, që ishte dhe rajoni më ideal për të kryer desantim nga ajri. U bënë vendosje dhe rivendosje të reparteve të artilerisë e veçanërisht të artilerisë bregdetare. Një drejtim tjetër ishte intesifikimi i fortifikimeve, jo vetëm në ndërtimin e tuneleve dhe të qendrave të zjarrit, por në ndërtimin e pozicioneve të zjarrit të artilerisë dhe vendkomandave. Këto ndërtime sot duken si të kota, por për kohën kur jetonim, ishin të plota e të sakta në mbrojtje të atdheut.
Cilat ishin ndryshimet e tjera që pësoi ushtria?
Në atë kohë, në kuadër të ndryshimeve strukturale të ushtrisë, midis të tjerave u krijua dhe brigada e 32-të e këmbësorisë që kompletohej me forca rezerviste nga zona e Myzeqesë. Detyra e kësaj njësie ushtarake ishte kryesisht bllokimi dhe asgjësimi i desantit të mundshëm ajror. Në vjeshtën e vitit 1968, pas aventurës së Traktarit të Varshavës kundër Çekosllovakisë, kur Shqipëria denoncoi këtë veprim si një agresion, duke denoncuar njëkohësisht dhe vetë Traktatin e duke dalë “de juro” jashtë saj, situata e përgjithshme ishte tepër e rrezikshme. Në atë kohë, me çdo lloj preteksti, trupat e Traktatit të Varshavës mund të vepronin kundër Shqipërisë, si dhe kundër Çekosllovakisë. Pikërisht për të përballuar këtë situatë, u morën masat për të ngritur në një shkallë më të lartë gatishmërinë.
Cila ishte detyra parësore e brigadës së 32-të?
Në këtë kuadër, brigadës “32” të këmbësorisë iu vu detyra për të mbrojtur vijën Qafë e Sqepurit-Roskovec-Marinës-Mbyet, duke vendosur forca në formacionin luftarak për të bërë fillimisht bllokimin e ndonjë desantimi të mundshëm ajror. Dhe në se ky desantim do të ndodhte realisht, brigada bashkë me forcat e tjera që do të mobilizoheshin, duhet të merrte pjesë në asgjësimin e plotë të tyre. Shtabi i brigadës u vendos në Rërës (Patos i vjetër) te kalaja e Mërgëlliçit. Ishte pikërisht ky vend, ku 24 vjet më parë brigada e 6-të sulmuese zhvilloi një nga luftimet më të lavdishme kundër trupave nazisto-gjermane, e ku dhanë jetën disa partizanë, mes të cilëve dhe heronjtë e popullit Mustafa Matohiti, komisar i brigadës dhe Meleq Gostnishti.
Nga mendohej të kryhej desantimi?
Kishte disa korridore desantimi. Në një farë mënyre pjesa lindore përjashtohej, pasi për shkak të terrenit malor ishte e vështirë të pilotohej në kuota të ulta, gjë që e bënte më të lehtë desantimin. Por, edhe nga ajo anë mund të shfrytësohej ndonjë korridor midis luginave. Mendohej që avionët desantues të vinin nga deti. Masat ishin marrë dhe brigada e 45-të ishte në gatishmëri për të mbrojtur vijën bregdetare. Artileria kundërajrore kishte për detyrë që të hapte zjarr kundër armikut, për të mbajtur avionët në një lartësi të madhe, nga ku dhe desantimi bëhej më i vështirë. Ndërsa repartet e këmbësorisë dhe forcat vullnetare (që si detyrë kryesore kishin bllokimin e desantëve) hapnin zjarr kur desantët ishin në ajër. Qëllimi ishte për ta çorientuar dhe asgjësuar (me aq sa mundej), por dhe për t’i krijuar vështirësi në organizminin e tij pas rënies në tokë. Pas kësaj, bëhej bllokimi për të mos lejuar të zgjerohej në territor apo për të kapur lartësitë dhe, me ardhjen e forcave të tjera, të kalohej në asgjësimin e plotë e përfundimtar të tyre. Artileria tokësore hapte zjarr të përqendruar në rajonet ku bëhej desantimi, për ta vënë desantin në situatë të vështirë dhe në pamundësi të organizimit dhe veprimeve luftarake të tij.
Cilat ishin armët më të efektshme kundër desantimit?
Zona që mbulonte brigada e 32-të kishte në dispozicion kundërajrorë të kalibrit 37 mm, 57 mm dhe 100 mm. Arma më moderne ishte kundërajrori 57 mm, me drejtim automatik nëpërmjet SDT (Stacionit të Drejtimit të Topave). Por, në atë zonë vepronin dhe brigadat e Tankeve. Ajo e Fierit dhe e Beratit si dhe e Elbasanit. Tanket ishin jo vetëm për mbrojtjen e vijës bregdetare, por në luftë kundër desantit ajror.
Kur ra niveli i gatishmërisë?
Erdhi dimri. Vështirësitë për desantim shtoheshin. Kaloi dhe koha dhe repartet kaluan nën një tjetër shkallë gatishmërie, më të ulët, por gjithmonë vigjilentë e të gatshëm për t’iu përgjigjur situatave të reja që mund të krijoheshin. Situata të tilla ka patur edhe para dhe pas vitit 1968 dhe, në të gjitha rastet, njerëzit tanë ishin të bindur në ndërgjegjen e tyre se për atdheun duhej sakrifikuar.
Gatishmëria
100 ditë në çadrën e shtabit
Në pozicionet e gatishmërisë brigada qëndroi për tre muaj me radhë. Shtabi i brigadës ishte i gjithi në gatishmëri, ndërsa efektivi me gatishmëri dyjavore për çdo batalion. Batalioni ngrihej në alarm dhe vinte në pozicione. Vetëm pasi ishte bërë zëvendësimi i të gjithë trupave, batalioni që kishte mbajtur për dy javë gatishmërinë, mund të largohej. Kjo ishte situata e krijuar në Shqipërinë e vitit 1968. Duke iu referuar kësaj situate, ish-komisari i Korpusit të 7-të, Hetem Halili, thotë: “E gjithë kjo formë organizimi siguronte plotësisht nga çdo e papritur që mund të rrezikonte vendin, sepse veprime të tilla u kryen në të gjitha zonat, në Jug e Veri të Shqipërisë. Por, njëherazi kjo përbënte dhe një sakrificë shumë të madhe, si për kuadrot ashtu dhe për efektivat. Natyrisht kjo kishte dhe një kosto të lartë ekonomike, por unë mendoj se ia vlente të bëhej, po të kihej parasysh se vendi rrezikohej nga një pushtim i mundshëm. Ne të gjithë e kishim të qartë dhe ishim të bindur se ia vlente të sakrifikohej, qoftë dhe duke derdhur gjak. Askush nuk hezitonte, nuk ankohej dhe as që i shkonte ndërmend njeriu të kërkonte leje në ato rrethana. Madje, kjo nuk u bë as atëherë kur njerëzit kishin halle ekonomike dhe familjare, apo ishin të sëmurë. Ishte koha kur njerëzit në radhë të parë shikonin interesin e përgjithshëm, mendonin dhe përpiqeshin për njëri-tjetrin, për kolektivin e më gjerë, që siç thuhej atëherë, “këto përbënin karakteristikat e njeriut të ri”.
Vendimi / Brezhnjevi, 500 mijë trupa sulm Çekosllovakisë
Trupat e Paktit të Varshavës, po organizonin manovra të mëdha ushtarake. Ndërsa në natën mes 20 e 21 gusht ‘68, trupat e 5 vendeve, rreth gjysmë milioni ushtarë sulmojnë Çekosllovakinë. Po atë natë mblidhet udhëheqja e PK të vendit e dënon agresionin, si një akt në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Popullsisë i bëhet thirrje që të ruajë gjakftohtësinë. Më 21 gusht ‘68, ora 04.00 i mëngjesit ushtarët rusë e pushtojnë ndërtesën e udhëheqjes së partisë çekosllovake dhe internojnë anëtarët e Byrosë Politike, ministrat e funksionarët e tjerë, të cilët më vonë i dërgojnë në Rusi. Në orën 07.35, një barrikadë ngrihet në sheshin “Vacllavski” dhe qindra çekë e sllovakë përpiqen të pengojnë me trupat e tyre avancimin e tankeve ruse. Në orën 09.00 të mëngjesit pushtohet Shtëpia e Radios. Atë ditë në Pragë u vranë nga forcat pushtuese 50 burra, 7 gra, si dhe një vajzë 8 vjeçe. Pasdite qytetarët e Pragës, duke mbajtur në ballë flamurin e përgjakur, vërshuan në sheshin “Vacllavski”. Të gjitha organet dhe institucionet e vendit dënuan agresionin dhe aprovuan rezoluta, përmes të cilave kërkuan largimin nga vendi të trupave pushtuese. Ministria e Jashtme u drejtohet të vendeve pjesëmarrëse me kërkesë që t’i japin fund agresionit. Të nesërmen, ministri i Jashtëm çekosllovak, Jiri Hajek, kërkon nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së të dënojë pushtimin. Të njëjtën ditë mblidhet Kongresi i XIV i jashtëzakonshëm i PK të Çekosllovakisë, në të cilin Dubçek rizgjidhet lider i partisë e konfirmohet vendosmëria e udhëheqjes politike të vendit për të vazhduar me reformat. Prej 23 deri më 26 gusht në Moskë mbahen negociatat e udhëheqësve çekosllovakë me bandën e Brezhnjevit. Në negociata marrin pjesë prijësit e internuar, mbi të cilët ishte ushtruar një presion i jashtëzakonshëm psikik, por dhe fizik. Në këto rrethana, këta të fundit detyrohen të zhvlerësojnë vendimet e Kongresit të XIV-të të PK-së. Në javët që erdhën filloi hakmarrja ndaj pjesëtarëve të Pranverës së Pragës: arrestimet, pushimet nga puna, shantazhi dhe persekutimet. 326 mijë anëtarë të PK-së u përjashtuan nga partia, 300 mijë qytetarë u larguan nga jeta publike dhe nga institucionet. Gjendja e krijuar nxiti eksodin e rreth 70 mijë çekëve e sllovakëve jashtë vendit, derisa kufijtë u mbyllën.
Agresioni/ Praga gdhihet nën çizmen sovjetike
Pas Luftës II Botërore, Çekosllovakia ishte një vend nën tutelën e Rusisë. Në fund të viteve ‘60 rrathët mes vendeve që përqafuan ideologjinë e ardhur nga Rusia, po përçaheshin. Në këtë periudhë u bënë ndryshime në udhëheqjen e komunistëve çekë dhe sllovakë: aparatçikun Novotni e zëvendësoi liberali Aleksandër Dubçek. Më 22 mars ‘68 Novotni shkarkohet edhe nga funksioni i kryetarit të shtetit dhe në vend të tij, me vota të fshehta e duke pasur disa kandidatë, zgjidhet Ludvig Svoboda. Ishte hera e parë që komunistët lejonin një formë të tillë të zgjedhjes. Një muaj më vonë, Aleksandër Dubçek shpall programin e tij të reformave të thella ekonomike e politike: heqjen e tutelës së shtetit nga ndërmarrjet, federalizimin e vendit, rregullimin e raporteve në mes Çekisë dhe Sllovakisë, respektimin e të drejtave të minoriteteve etj. Qëllimi i deklaruar: të aplikohet “një socializëm me fytyrë njerëzore”. Lëvizja e demokratizimit thellohet më tej: largohen nga vendet udhëheqëse kuadrot dogmatikë e zëvendësohen me njerëz të rinj. Në maj të vitit ‘68 një delegacion çekosllovak shkon për vizitë zyrtare në Moskë. Aty rusët i tërheqin seriozisht vërejtjen delegacionit “Për ringjalljen e të djathtës në vend” e për “Rritjen e tendencave kundër revolucionare”. Më 6 qershor ‘68 qeveria çekosllovake suprimon censurën, duke i dhënë kështu një shtysë të fuqishme zhvillimit të letërsisë, arteve dhe demokratizimit të jetës përgjithësisht. Më 4 gusht ‘68 Dubçek deklaron se reformat nuk do të ndalen dhe vullneti i popullit do respektohet. Më 18 gusht Brezhnjevi fton kundërshtarët e tij në Moskë e u tregon një letër të fshehtë që kishte marrë nga 5 udhëheqës konservatorë çekosllovakë, që kërkonin ndërhyrjen ruse. Atë ditë merret vendimi politik për pushtimin e Çekosllovakisë.
Vetëvrasjet/ Kundërshtimi ndaj pushtimit rus
Duke shfrytëzuar klimën e Luftës së Ftohtë, rusët aplikuan masa të ashpra të pushtimit të përcjella me propagandë të cilën bënte pjesë dhe gazeta në çekisht, por e shkruar nga propagandistë rusë “Zpravy”. Në këto rrethana pushtimi, filloi të organizohet një qëndresë, e cila më vonë u personifikua me emrin e Jan Pallahut. Studenti 21-vjeçar i letërsisë, më 16 janar 1969, në shenjë kundërshtimi ndaj okupimit rus, dogji veten në sheshin “Vaclavsky”, qendrën kryesore të kryeqytetit. Ai u dërgua në spital me djegie masive e vdiq pas tri ditësh. Varrimi i Jan Pallahut u kthye në një manifestim të madh kundër okupimit. Ditën e varrimit të Jan Pallahut, në të njëjtin vend u dogj një student tjetër, 18-vjeçari Jan Zajic. Dy muaj më vonë u dogj edhe i treti, 44-vjeçari Evzen Plock.
1 tetor 2018