Lexoni librin e jetës!
Ne e dimë se gjithë jeta,
ka një trend e ka një cak,
nesër është një ditë më shumë,
po është dhe një ditë më pak!
Shpesh mbyll sytë dhe shikoj,
të gjithë jetën si një ëndërr,
pastaj rri edhe mendoj,
si s’u lodh e shkreta zemër?!
Ç’ka kaluar-ka kaluar,
pa kuptuar e stuhishëm,
na mbetet për t’u jetuar,
vetëm çasti i tanishëm!
Ç’ka kaluar është tretur,
ç’kemi para nuk e dimë,
nga gjithë jeta na ka mbetur,
sekonda që marrim frymë!
Dhe fill pas kësaj sekonde,
vjen një tjetër që na falet,
neve jetojmë akoma,
thjesht se zemra s’do të ndalet!
Se dora që bëri Botën,
thellë në çdo detaj u ndal,
i vuri sipas meritës,
kë në llum-e kë në mal!
Tani punët janë vulosur,
dhe ndryshime më nuk priten,
shqiponjat do fluturojnë,
dhe zhapinjtë do zvarriten!
Tani punët janë vulosur,
formulë tjetër s’mund të gjendet,
rendi do vazhdojë siç është,
kurrë s’do ndryshojnë vendet!
Tani punët janë vulosur,
asgjë nuk mund të ndryshojë,
kurrë s’do shohim përmbi male,
një zhapik të fluturojë!
Kontradikta kryesore,
nuk ka gjasa që të tretet,
mes zhapikut dhe shqiponjës,
e përjetshme do të mbetet!
Dhe këto antagonizma,
janë bërë ligje të natyrës,
njëlloj si luftë e pasosur,
mes të keqes dhe së mirës!
Zoti e krijoi çdo gjë,
që nga njeriu të dihej,
po të mos ishte e keqja,
e mira si do të njihej?!
Zoti na tregoi gënjeshtrën,
të kuptonim të vërtetën,
në fund na dënoi me vdekje,
që të vlerësojmë jetën!
Zoti në fillim s’e kishte,
në mend fikjen e qiriut,
e bëri për të dënuar,
egoizmin e njeriut!
Dhe pse kishte robër Zoti,
askujt jeta nuk ju fal,
po dhe pas këtij ndëshkimi,
egoizmi nuk u ndal!
Më mirë Zoti mos u’a ndizte,
fare dritën e qiriut,
kafsha-kafshës nuk ja bën,
ç’i bën njeriu -njeriut!
Për çdo ditë edhe më shumë,
fort kanë gjëmuar kambanat,
po mbi Botën e mallkuar,
s’kanë mbaruar kasaphanat!.
Po njëlloj si vetes sime,
gjithë Botës i qaj hallin,
se dihet që ndënë fre,
Zoti ende s’e ka Djallin!.
Lexova librin e jetës,
po libri aspak s’më bindi,
mirë ne na bëri Zoti,
po Djall-ziun kush e lindi?!
Në terrin e errësirës,
do ketë lindur Djall i zi,
si një sfidë kundër së mirës,
po pse i’u dha kaq fuqi?!.
Pse ashtu-e pse kështu,
do të pyesin përjetë,
por e di dhe unë dhe ju,
se Jeta është e vërtetë!.
Dhe e ëmbël-dhe e hidhur,
dhe me gazin-dhe me lotin,
dhe përjetësisht të lidhur,
ca me Djallin-ca me Zotin!
Arben Duka