Letra e Kadaresë, 52 vjet më parë

Nga Wikibooks

Moikom Zeqo

Në vitet ’70 të shekullit XX në shtëpinë e Ismail Kadaresë rrinim në studion e tij të librave.

Ai hapi një sirtar.

Nxori tri fletë të daktilografuara dhe m’i zgjati mua t’i merrja.

“Për historinë”, më tha shkurt, duke buzëqeshur.

Këto fletë, që i ruaj në arkivin tim, qenë kopja e një letre, për Drejtorinë e Ndërmarrjes Botuese “Naim Frashëri“ Tiranë.

Dhe qe bërë nga Ismaili në datën 4 janar 1966.

Letra qe një protestë, jo thjesht për burokracinë.

Absolutisht jo.

Letra flet për një konflikt.

Shkrimtari rebelohet me mënyrën obskurantiste, që vepronin me librat e tij, që paraqiste për botim.

Në 1962 (Ismaili në atë kohë qe 26 vjeç) ai çoi një libër me tregime.

I bënë vërejtje.

Një vit më vonë, më 1963 e paraqet sërish librin.

Por procesi i shqyrtimit të librit qe paradoksal nga libër i botueshëm, u shndërrua në libër të pabotueshëm.

Në 1965, mos u çuditni, mbas 3 vitesh inkubacioni idiotesk nga Ndërmarrja Botuese “Naim Frashëri” i jepet autorit, tashmë 29 vjeç, relacioni i shkruar për vërejtjet mbi librin, mbushur me ofendime, me “ton rrugaçi”.

Kjo histori prokustiane botimesh përsëritet edhe me librin poetik “Përse mendohen këto male”, që Ismail Kadare, e dorëzoi për botim në vitin 1964.

Dy vjet më vonë, më 1966, ky libër nga më të rëndësishmit e poezisë moderne shqipe ende nuk qe botuar.

Për të painformuarit meskinë dhe delirantë, subjekte të tilla, kur librat e një talenti të madh si Ismail Kadareja vonoheshin mizorisht, djallëzisht, tinëzisht për vite të tëra, pa asnjë kuptim dhe pa asnjë argumentim duken si të pakuptueshme, ose “të shpikura” (“të shpifura”).

Por letra është një dokument substancialisht e vërtetë.

Dhe nuk është aspak burokraci rutinore, apo e pafajshme.

Qe një tmerr shpirtëror, një ngërç!

Dhe mendoni, që kjo ndodhte me Ismail Kadarenë, me një autoritet të madh, madje të rëndë!

Duke e botuar këtë letër, mbas 52 vitesh, rishikoj dhe reflektoj qartë “për rrugën e mundimshme dhe të rrezikshme të artit” nën praktikat inkuizicionante të ideologjive, në një kolazh dhe hibrid me injorancën.


Po shtoj: librin tim të parë e çova për botim në 1965 dhe u botua në 1968 (“Vegime të vendlindjes”).

Librin e dytë e çova në 1968 dhe u botua në 1970 (“Qyteti Feniks”).


DREJTORISË SË NDËRMARRJES SË BOTIMEVE

“NAIM FRASHËRI”

Tiranë

Po ju dërgoj për rishqyrtim librin me tregime.

Këtë libër po e dorëzoj në Drejtorinë e Ndërmarrjes dhe jo në redaksinë e letërsisë shqipe, me qenë se me këtë redaksi unë mendoj se nuk mund të merrem dot vesh, për arsye të konfliktit të gjatë që vazhdoj të kem me të, konflikt i krijuar vetëm për faj të saj.

Më 1962 unë paraqita në Ndërmarrjen tuaj librin tim me tregime i cili u aprovua për t’u botuar, pasi unë t’i bëja ndryshime disa prej tregimeve dhe pasi të hiqja ndonjërin prej tyre.

Më 1963 e paraqita përsëri librin për rishqyrtim.

Pas rishqyrtimit m’u bënë përsëri vërejtje të tjera dhe unë punova përsëri mbi librin.

Më 1964 e paraqita librin për të tretën herë.

Pas rishqyrtimit të tretë libri im u gjet i pabotueshëm dhe më 1965 Ndërmarrja më dha përgjigje për të.

Siç shihet procesi i shqyrtimit të këtij libri është mjaft paradoksal.

Nga një libër i botueshëm, pas punës që unë bëra mbi të, ai, jo vetëm që u shndërrua në një libër të pabotueshëm, por edhe në një libër shumë të keq (sipas jush).

Më 1965, Ndërmarrja juaj më dorëzoi relacionin e përgjigjes për librin tim, të shkruar nga shefi i redaksisë shqipe Razi Brahimi.

E them që në fillim se ky relacion është një dokument i turpshëm për Ndërmarrjen tuaj.

Ky është një relacion i shkruar me qëllim të keq, fyes për mua si autor dhe si qytetar, plot me spekullime dhe insinuata politike, duke arritur deri në shpifje të hapura. (Po ju kujtoj vetëm rastin e tregimit “Kënga”, për të cilin R. Brahimi pretendon se unë e “kam shkruar me urrejtjen e njeriut modern ndaj malsorit shqiptar”).

Një ton i tillë e përshkon fund e majë këtë relacion të gjatë, të shkruar me një ligësi të çuditshme dhe nervozizëm të padurueshëm.

Kuadrin e këtij toni e plotësojnë shkarravinat e bëra mbi faqet e dorëshkrimit dhe shënimet e shkruara anash me një ton prej rrugaçi, p.sh. “cinike”, “vulgare”, “alamet zotnije”, “lere telefonin se na mërzite” etj.

Justifikimi që deshi të bënte drejtorija juaj për këtë relacion është krejt pa baza.

Ju pretenduat se ky ishte një relacion pune, për përdorim të brendshëm, i cili gabimisht m’u dorëzua mua. Edhe sikur të ishte kështu, kjo gjë nuk e prek esencën e çështjes.

Bile aq më keq.

Në këtë rast ky relacion është një dizinformacion i shëmtuar, i fabrikuar me qëllim të keq.

Metoda e hedhjes baltë mbi autorët dhe veprat, sidomos veprat e pabotuara, metoda e krijimit të legjendave dhe hijeve është një metodë e preferuar e spekulatorëve dhe insinuatorëve.

Çfarë mirëkuptimi mund të ketë midis autorit dhe redaksisë së letërsisë shqipe, kur marrëdhëniet krijohen mbi kritere të tilla?

Unë besoj se as ndërmarrjet private të botimeve nuk guxojnë t’u drejtohen bashkëpunëtorëve të tyre me një mënyrë të tillë.

Por rasti i librit me tregime nuk është i vetëm.

Bile si mund të kuptohet mirë në kuadrin e përgjithshëm.

Ndërmarrja juaj dhe veçanërisht redaksija e letërsisë shqipe është treguar shumë konseguente në marrëdhëniet e saj të këqija me mua si autor.

Këtë e tregon qartë rasti i librit tim me vjersha dhe poema „Përse mendohen këto male“.

Në vitin 1964 unë paraqita në Ndërmarrjen tuaj librin “Përse mendohen këto male”.

Këtë libër, për më tepër se gjysëm viti, Ndërmarrja dhe redaksija e letërsisë shqipe, as që nuk deshën ta merrnin në shqyrtim, duke pretenduar se gjoja kishin mungesë letre.

Ndërkaq, redaksija e letërsisë shqipe dërgonte në shtyp në një kohë rekord libra të dobëta ideo-artistikisht, urgjenca e të cilave është diktuar nga shkaqe të dyshimta kryesisht tarafi.

Librin tim “Përse mendohen këto male” ajo e refuzoi me kokëfortësi, deri sa për futjen e tij në shtyp u desh ndërhyrja direkte e sh. Thoma Deljana, ahere zv.Ministër i Arsimit dhe Kulturës.

E gjithë kjo, besoj se nuk ka nevojë për koment.

Një qëndrim i tillë i Ndërmarrjes ka qenë për mua i pakuptueshëm.

Motivet e sjelljes së saj janë gjithashtu të pakuptueshme.

Një gjë është e qartë: dikush në atë ndërmarrje ka bërë çmos që librat e mi të vonohen e të pengohen sa më shumë, duke u munduar ta çojë punën gjer në mosbotim. Për të arritur këtë qëllim janë përdorur të gjitha mjetet, duke filluar që nga insinuata e deri tek shpifja direkte.

Për të gjitha këto, ndërmarrja juaj mban përgjegjësi. Ajo mban përgjegjësi për marrëdhënjet e ftohta dhe kundër interesit të punës, të krijuar midis saj dhe disa autorëve.

Ndërmarrja juaj jo vetëm që nuk ka bërë asnjë herë, qoftë dhe nxitjen më të vogël që këto autorë të çojnë librat e tyre për botim, por përkundrazi ka frenuar me të gjitha mënyrat.

Dita e përfundimit të librit dhe e dorëzimit për botim, duhet të ishte një ditë feste për autorin.

Ju, librat e disa autorëve, jo vetëm që i keni pritur pa më të voglën ngrohtësi, sepse kjo do ‘ishte e keqja më e paktë, por i keni pritur ato me turij të varur, sikur autori të mos sillte një libër të ri për letërsinë tonë, por një bezdi për redaktorët tuaj.

Duke dorëzuar për të katërtën herë për shqyrtim librin me tregime, libër, i cili, po hyn në vitin e pestë të procesit të shqyrtimit, unë e quajta të nevojshme t’ju shkruaj këtë letër.

Ismail Kadare

Tiranë më 4.I.1966


Kjo letër sqaron shumë enigma.

Por ajo ka rëndësi të veçantë, për të sqaruar, ato që duket se nuk dihen, ose për arsye okulte nuk mund të dihen, ose nuk duhet të dihen.

Për historianin e letërsisë shqipe dokumente të tilla autentike, si kjo letër janë pjesë e instrumenteve reale dhe mendore, për të arsyetuar dhe për të kuptuar të Vërtetën.

Sepse vetëm e Vërteta na bën të lirë!


12 Gusht 2018