Jump to content

Kushtetuta e përkohshme e Kosovës/Gjykata Kushtetuese e Kosovës

Nga Wikibooks

Neni 193

Gjykata Kushtetuese e Kosovës kontrollon dhe mbron kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë si dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës.
Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendos për:
1. pajtushmërinë e ligjit me Kushtetutën, ose me marrëveshjet ndërkombëtare që përbëjnë pjesë të rendit të brendshëm juridik, në rastet e parashikuara me Kushtetutë;
2. pajtueshmërinë e marrëveshjeve ndërkombëtare me Kushtetutën para ratifikimit të tyre;
3. pajtueshmërinë e akteve normative të organeve të Kosovës si dhe të organeve të komunave e Qytetit të Prishtinës me Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare;
4. pajtueshmërinë e të gjitha akteve normative me ligjin;
5. kushtetushmërinë e akteve dhe të veprimtarisë së partive dhe organizatave të tjera politike, sipas nenit 5 të Kushtetutës;
6. mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet pushteteve, si dhe ndërmjet pushtetit qendror dhe të komunave dhe Qytetit të Prishtinës;
7. pamundësinë e ushtrimit të funksioneve nga ana e Kryetarit të Kosovës;
8. çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtushmëritë në ushtrimin e funksioneve të Kryetarit të Kosovës dhe të deputetëve, si dhe të funksionarëve që i zgjedh ose emëron Kuvendi;
9. kushtetutshmërinë e referendumit dhe verifikimin e rezultateve të tij;
10. gjykimin e ankesave të individëve për shkeljen e të drejtave të tyre kushtetuese, pasi të jenë shterur të gjitha mjetet juridike për mbrojtjen e tyre;
11. edhe për çështje të tjera që i janë lënë në komptencë me Kushtetutë.
Gjykata Kushtetuese ka vetëm të drejtën e shfuqizimit të akteve për të cilat vendos, në tërësi ose të dispozitave të caktuara të tyre.

Neni 194

Gjykata Kushtetuese gjykon organet e Kosovës dhe ata të komunave e të Qytetit të Prishtinës kur ata vihen nën akuzë për shkelje të Kushtetutës dhe të ligjeve në ushtrimin e funksioneve të tyre.
Nën akuzë mund të vihen:
1. Kryetari i Kosovës për shkelje të Kushtetutës dhe tradhti ndaj Atdheut, sipas procedurës së parashikuar me Kushtetutë;
2. Kryetari dhe anëtarët e Qeverisë së Kosovës dhe organet që kanë përgjegjësi të njëjtë, për shkelje të ligjit, sipas procedurës së parashikuar me Kushtetutë; dhe
3. Organet e komunës dhe të Qytetit të Prishtinës për shkelje të ligjit, me vendim dhe kërkesë të Qeverisë së Kosovës.
Nëse konstaton fajësinë, Gjykata Kushtetuese me vendim konstaton ndërprerjen e mandatit dhe shkarkimin nga funksioni të organit përkatës.

Neni 195

Kur Gjykata Kushtetuese vërteton se ligji ose akti tjetër normativ i organeve të Kosovës, ose akti normativ i organeve të komunës ose të Qytetit të Prishtinës nuk është në pajtim me kushtetutën, ai ligj, ose akti tjetër normativ, shfuqizohet.
Kur Gjykata Kushtetuese vërteton se akti normativ i organeve të Kosovës, ose akti normativ i organeve të komunës ose të Qytetit të Prishtinës nuk është në pajtim me ligjin, ai akt normativ shfuqizohet.

Neni 196

Gjykata Kushtetuese përbëhet nga nëntë gjyqtarë.
Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese i zgjedh Kuvendi i Kosovës me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve: tre me propozimin e Kryetarit të Kosovës dhe nga tre me propozimin e Gjykatës Supreme të Kosovës dhe të Kuvendit të Kosovës, nga listat me më shumë kandidatë.
Gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese zgjidhen profesorë të lëndëve juridike, juristë me cilësi të larta profesionale e morale, me stazh juridik të paktën pesëmbëdhjetëvjeçar.
Funksioni i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese zgjatë tetë vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje;
Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese zgjedhin nga radha e tyre me shumicën e votave të të gjithëve, Kryetarin e Gjykatës për katër vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje.

Neni 197

Struktura kombëtare dhe etnike e Gjykatës Kushtetuese është në pajtim me strukturën e përgjithshme kombëtare dhe etnike të popullsisë së Kosovës.

Neni 198

Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Kryetarit të Kosovës.

Neni 199

Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të ndiqet penalisht pa pëlqimin e Gjykatës Kushtetuese. Ai mund të ndalohet ose të arrestohet vetëm në qoftë se kapet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij. Organi kompetent njofton menjëherë Gjykatën Kushtetuese. Kur Gjykata Kushtetuese nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë.

Neni 200

Mandati i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese mbaron sipas kërkesës së vet, nëse dënohet për vepër penale me dënim heqje lirie, nëse me vendim gjyqësorë të formës së prerë deklarohet i pa aftë për të vepruar, kur nuk paraqitet me detyrë për më shumë se 6 muaj dhe kur ta mbush moshën 70 vjeç.
Gjykata Kushtetuese e njohton Kuvendin mbi ekzistimin e shkaqeve për shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Neni 201

Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese mund të shkarkohet nga Kuvendi me 2/3 e të gjithë deputetëve për shkelje të Kushtetutës, për kryerjen e veprës penale, për paaftësi mendore a fizike, për akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit. Vendimi i Kuvendit shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila, vetëm kur vërteton se ekziston një nga shkaqet e mësipërme, deklaron shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese mund të vendosë që gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese kundër të cilit ka filluar procedura penale të mos ushtrojë detyrën derisa të zgjasë kjo procedurë.

Neni 202

Secili mund të marrë iniciativë për fillimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutëshmërisë dhe të ligjshmërisë.
Procedurën para Gjykatës Kushtetuese e fillojnë organet shtetërore të parashikuara me Kushtetutë.
Gjykata Kushtetuese mundet edhe vetë ta fillojë procedurën për vlerësimin e kushtetutshmërisë e të ligjshmërisë.

Neni 203

Secili individ që konsideron se me një akt normativ i janë shkelur të drejtat e garantuara me Kushtetutë, respektivisht me ligj, mund të marrë iniciativë për fillimin e procedurës për vlerësimin e kushtetushmërisë, respektivisht të ligjshmërisë së tij.
Procedurën para Gjykatës Kushtetuese mund ta fillojë:
1. Kryetari i Kosovës;
2. Qeveria e Kosovës;
3. Kuvendi i Kosovës kur këtë e kërkon së paku një e pesta e deputetëve; dhe
4. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Kosovës.
Procedurën para Gjykatës Kushtetuese mund ta fillojnë, kur çështja e kushtetutshmërisë ose ligjshmërisë lidhet me punën e tyre, respektivisht me interesat e tyre:
1. Ombudspersoni;
2. çdo gjykatë sipas rastit të nenit 178, alinea 2 të Kushtetutës;
3. organet e komunave dhe të Qytetit të Prishtinës;
4. organet e bashkësive fetare; dhe
5. partitë politike dhe organizatat e tjera.
Procedurën për vlerësimin e kushtetushmërisë dhe të ligjshmërisë mund ta fillojë Gjykata Kushtetuese me nismën e vetë me vendimin e shumicës së anëtarëve të Gjykatës.

Neni 204

Gjykata Kushtetuese vendos me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të saj.

Neni 205

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare, të detyrueshme dhe të ekzekutueshme.

Neni 206

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese shpallen në “Gazetën Zyrtare të Kosovës”.
Vendimet e Gjykatës Kushtetuese hyjnë në fuqi ditën që e cakton Gjykata me vendimin e saj.

Neni 207

Gjykata Kushtetuese, me Rregulloren e punës rregullon procedurën dhe organizimin e vet.