Shko te përmbajtja

Kongresi i alfabetit të gjuhës shqipe

Nga Wikibooks

Gazeta "Bashkimi" 14 nëntor 1988

Zihni Haskaj

(80 vjet më parë)

80 vjet më parë, më 14 nëntor 1908 u hap kongresi i parë i Manastirit, i cili i vazhdoi punimet gjer më 22 nëntor. Ky kongres, siç e quante dhe e vlerësonte edhe shtypi i kohës "kongresi i alfabetit shqip", do të mbetet i paharruar në historinë e kombit tonë për punën e madhe që kreu për njësimin e alfabetit dhe për programin e përbashkët të Lëvizjes Kombëtare shqiptare që shtroi në mbledhje të veçanta të tij.

Në këtë forum të rëndësishëm morën pjesë atdhetarë nga të gjitha anët e Shqipërisë si edhe nga shoqëritë shqiptare jashtë atdheut. Ata duke përfaqësuar vullnetin e lirë të shqiptarëve, siç thotë ftesa e shpërndarë në shtator nga klubi shqiptar "Bashkimi" i Manastirit, u mblodhën për "të dhënë një fund çështjes së Abecesë".

Edhe më parë, në fund të shekullit 19 e në fillim të shekullit 20 nuk kishin munguar përpjekjet për të sheshuar mosmarrëveshjet dhe për të arritur një pajtim të mendimeve midis përfaqësuesve të alfabeteve kryesore që përdoreshin në atë kohë në vendin tonë. Ato përpjekje, megjithëse ishin të veçuara, tregonin se kërkesa për alfabetin e njësuar të gjuhës shqipe ishte një domosdoshmëri objektive.

Pjesëmarrësit e këtij Kongresi, që ishin veprimtarë të njohur të lëvizjes kombëtare, shkrimtarë e gazetarë, lëvrues të gjuhës e mësues të shqipes si Bajo Topulli, Luigj Gurakuqi, Mihal Grameno, Shahin Kolonja, Hilë Mosi, Sotir Peci, Ndre Mjeda, etj. pasi dhanë mendime rreth tre alfabeteve kryesore që ishin në përdorim, vendosën të përdoreshin bashkërisht dy alfabete, ai i Stambollit, i cili kishte një përhapje të gjërë ndër shqiptarë, dhe alfabeti i mbështetur i tëri në alfabetin latin, që kemi sot në përdorim. Vendimi i Kongresit të Manastirit , ndonëse nuk caktoi një alfabet të vetëm, ishte me rëndësi të madhe politike, sepse jo vetëm i dha fund kaosit që ishte krijuar për këtë problem, por duke lënë në përdorim dy alfabete mjaft të afërt midis tyre dha mundësi për zhvillimin e gjuhës letrare shqipe, të arsimit dhe të letërsisë shqipe. Pas këtij kongresi, pati një përhapje të gjërë çështja e alfabetit dhe u çelën një sërë shkollash në gjuhën shqipe.

Ky hov patriotik ra në kundërshtim me kërkesat e turqve të rinj, të cilët, pas ardhjes së tyre në fuqi ishin hedhur kundër lëvizjes sonë kombëtare për ta penguar e shuar atë. Njësimin e alfabetit dhe përparimin arsimor e kulturor të popullit shqiptar e kundërshtonin edhe armiq të tjerë si Fuqitë e Mëdha imperialiste, shovinistët fqinjë, Patrikana e Stambollit, kleri reaksionar etj, të cilët nuk donin që kjo çështje me karakter aq të mprehtë politik, që do të ndihmonte në forcimin e mëtejshëm të ndërgjegjes kombëtare, të zgjidhej në të mirë të shqiptarëve. Prandaj populli shqiptar, i mbështetur në forcat e veta, me zgjuarësi e trmëri diti t’u bëjë ballë të gjithë armiqve.

Kongresi i Manastirit nuk diskutoi vetëm çështjen e alfabetit, por edhe probleme të rëndësishme politike. Delegatët, në një sërë mbledhjesh të fshehta shkëmbyen mendime mbi marrëdhëniet me xhonturqit dhe me vendet e tjera, mbi luftën për të drejtat kombëtare dhe për zhvillimin kulturor dhe ekonomik të vendit. Mendimet për këto probleme u pasqyruan në programin kombëtar prej 18 pikash, i cili u miratua në ato mbledhje dhe iu dha deputetit të Korçës Shahin Kolonjës për ta paraqitur në parlamentin osman në emër të shqiptarëve. Ky program shprehte kërkesat për autonomi si "njohjen zyrtare të kombësisë shqiptare dhe të gjuhës shqipe", emrimin e nëpunësve shqiptarë në të katër vilajetet, kryerjen e shërbimit ushtarak në Shqipëri dhe shkurtimin e tij deri në dy vjet e gjysmë, gjuha amtare të shpallej "si gjuhë mësimi në të gjitha shkollat shtetërore", likuidimin e shkollave të huaja etj.

Mjaft kërkesa të programit kishin të bënin me zhvillimin ekonomik të vendit, si të hapeshin e të shfrytëzoheshin minierat, të ndërtoheshin hekurudha nga sipërmarrës shqiptarë, të ngriheshin ekonomi të mëdha bujqësore në Myzeqe, kufizimi i depërtimit të kapitalit të huaj në ekonominë shqiptare etj.

Kërkesat politike, kulturore dhe ekonomike të programit në fjalë ndihmuan në bashkimin e mëtejshëm të popullit shqiptar në luftën e tij për çlirimin kombëtar. Këtu qëndron edhe merita e atdhetarëve, që siç ka thënë udhëheqësi ynë i paharruar shoku Enver Hoxha "Në kushtet e terrorit otoman nuk ishte lehtë të bëje atë që bënë ata, të shkruaje të shtypje e të dërgoje në Shqipëri mijra abetare e libra të tjerë, të hapje shkollën e parë shqipe më 1887, të organizojë një Kongres të tërë si ai i Manastirit për caktimin e alfabetit unik shqip. Dhe të tëra këto patën pa dyshim reperkusione të mëdha, të cilat gjetën pasqyrimin e tyre më të mirë në rritjen e vrullshme të lëvizjes revolucionare dhe të kryendritjes së armatosur".

Ngjarjet e viteve 1910-1912 dëshmojnë se Kongresi i Manastirit i nëntorit të vitit 1908, së bashku me kongresin e parë arsimor pedagogjik shqiptar të Elbasanit të vitit 1909 dhe me Kongresin e dytë të Manastirit të pranverës së vitit 1910, ndezën akoma më shumë zjarrin patriotik të popullit tonë. Ato i dhanë hov të mëtrëjshëm luftës për liri që erdhi duke u rritur në kryengritjet e mëdha të atyre viteve të cilat çuan në shpalljen e pavarësisë më 28 Nëntor 1912.


Gazeta "Bashkimi", e hënë 14 nëntor 1988