I pamposhturi Sevo Tarifa
Zabit Ahmetaj
(Një portret për veteranin që punon me pasionin e një të riu e që s’thotë kurrë “U lodha!”)
Një shkrim i shkurtër biografik për bashkëfshatarin tim mashkullorit, për partizanin e LANÇ-it, për shkrimtarin, për profesorin, për historianin, për qëndistarin e portreteve, Sevo Tarifën me rastin e datëlindjes së tij.
Fëmijëria
Sevua lindi në Mashkullorë në një fshat me një histori të lashtë, por edhe të re, në 14 gusht 1927. Babai i tij, Janua, për arsye ekonomike emigroi në Argjentinë duke e lënë 6-muajsh në bark të nënës. Barra i mbeti nënë Savos. Ajo do të përgjigjej e kujdesej për të ushqyer dhe katër pjesëtarë të tjerë të familjes që ishin: Poli (mëma e Savos), Sotira (mëma e Janos), Melpua e Sevua motër e vëlla dhe Ferrua (mbesa e Sotirës). Ajo diti të drejtonte timonin e jetës. Në këtë periudhë bëhen përpjekje për t’u lidhur me letra me babanë, mundësi për të dërguar ndonjë lekë, takimi i Sevos së vogël me të kthyerit nga Amerika me Çavo Pucin, kushëriri i tyre, ku ai e pyeste kur do të kthehej babai. Çavua i zënë ngushtë duke e mbajtur në prehër i përgjigjej se edhe ai do të kthehej.
Shkollën fillore Sevua e kreu në Mashkullorë me mësuesit e tij, që i donte aq shumë: Ahmet Idrizi, Sedat Asllani, Reshat Shahu. Në moshën 12-vjeçare, Sevua fillon punë krahu në rrugë në shoqërinë italiane “Puriceli” punëtor, por edhe shërbëtor tek asistenti italian i rrugës. Punët e rënda që kryente e detyrojnë të largohet se duart e tij të njoma s’i përballojnë dot. Asistenti jep urdhër të mos pranohet në punë. Por në këtë kohë spikat zemërgjerësia e burrit të Humelicës, Tilo Guga, që e merr në punë dhe në bordero shënon një emër tjetër. Më pas kalon në Vlorë pas familjes së gjykatësit Manol Komnino, shërbëtor. Ai e përzë se së bashku më Siri Bozgon nga Gjirokastra shpërndante traktet e PKSH. Punon nxënës këpucar në dyqanin e Gaqo Tushës dhe më pas në rrugën Vlorë-Drashovicë. Nga Vlora shkon në Tiranë, ku kishte kunatin e tij Gole Ninin, burri i motrës. Punon si shërbëtor në disa familje, tek Haki Stërmilli, Remzi Fico, Osman Haxhiu. Më pas, si pjekës gështenjash dhe shitës cigaresh. Këto punë të pavarura bënë të merret më shumë me lëvizjen NÇL, duke shpërndarë trakte dhe komunikata, duke e vënë veten tre herë në rrezik për t`u arrestuar, prandaj i kërkon përgjegjësit të grupit, Koco Tikës, që të shkonte partizan. Sevua largohet nga Tirana me dy fshatarë palokastritë, Mina Xhavara e Lefter Dedi deri në Fier dhe nga Fieri në Mashkullorë katër ditë në këmbë, me një trastë me 4 kg kripë në shpinë dhe me 500 lekë në xhepin e brendshëm.Këto ishin fitimet nga puna e tij.
Sevua partizan
Nënë Savua, djalin e saj të vetëm, dritën e syve e nisi partizan për lirinë e Shqipërisë në batalionin e dytë të Brigadës së VI Sulmuese, bashkë me djemtë e tjerë të Mashkullorës, që edhe këta s’ishin pak, por 22 djem të çetës “Çerçiz Topulli”, të batalionit “Asim Zeneli” e të brigades VI: bujq, çobanë, shërbëtorë, hyzmeqarë. Vajtja partizan për Sevon shënoi një fazë të re në veprimtarië e panjohur dhe të vështirë, marshime të gjata dhe të lodhshme, të pambathur mirë e të paveshur, të pangrënë. Përpjekje të egra të zhvilluara me një armik të armatosur me armët moderne të kohës, nazistët gjermanë, të ndihmuar edhe nga ballistët e zogistët. Kur e shikojmë Sevon në një fotografi me pantallona të shkurtra e me pushkë në dorë, duket si një pioner. Ai ishte krenar për një gjë, që me armikun do të luftonte ballë për ballë. Zjarri i armës së tij do të dëgjohej e do të bashkohej me atë të armëve të shokëve. Luftimet e zhvilluara nga Brigada VI në Rrëzomë, Kurvelesh e Mesaplik, Dukaj e kala të Margëlliçit, Labinot e në rrethinat e Tiranës, në Shqipërinë e mesme e të veriut, çlirimin e Shkodrës (29 Nëntor 1944) dhe shporrjen e bishës naziste nga vendi ynë, si dhe luftimet përtej kufirit në Jugosllavi është edhe ndihmesa e këtij luftëtari.
Pas çlirimit
Bashkë me lirinë, Sevua, kthehet në familje për të punuar e për t’u shërbyer mamasë, edhe gjyshes, të cilave po u afrohej mosha e pleqërisë. Nuk ishte pretedent për poste e karrige, por punën e filloi me lopatë në dorë në mirëmbajtjen e rrugëve, por me ndërhyrjen e sekretarit të qarkut Gjirokastër, Haki Toska, ish-komisar i brigadës VI, emërohet në Këshillin Sindikal të qarkut, në gjendjen civile, në Këlcyrë. Më vonë daktilografist në prefekturën e Gjirokastrës , në qarkorin e partisë, drejtor i radios dhe nga vitet 1947 – 1963, sekretar i parë i rinisë në Gjirokastër, Elbasan, Durrës e Tiranë. Gjatë kësaj periudhe është marrë me edukimin e të rinjve, të ardhmes së atdheut, për formimin kulturor, për gjallërimin e jetës së brendshme në organizatën e rinisë, për pjesëmarrjen e tyre në aksione lokale e kombëtare, për heroizmin e tyre në punë, për ndërtimin e atdheut. Luftoi për shëndoshjen e familjes së re, goditjen e koncepteve negative në shoqëri, në familje e në shkollë.
Në 1954 shkon për studime në B.S. në ”Komsomol”. Në këtë kohë babai i tij kthehet nga kurbeti i zgjatur 30 vjet. Sofia, nusja e djalit e cila nuk e njihte vjehrrin dhe as ai nusen ,me një fotografi të tijën në dorë për ta njohur e saktësuar, e pret në portin e Durrësit. Nisen drejt Elbasanit për të shkuar në shtëpi ku çifti takohet i përmalluar, këtë herë jo më të rinj, por në mosha të thyera. Ardhja nga B.S. i Sevos, takimi i tij me babanë, këtë herë jo si djalë po edhe ky baba me dy fëmijë. Në të gjitha detyrat e ngarkuara, shtetërore e në mënyrë të veçantë ato partiake, Sevua ka qenë i përkushtruar, i ka kryer ato me devotshmëri, por asnjëherë ai nuk është shkëputur nga fshati duke u takuar me fshatarët, duke u shkuar atyre në gëzime e hidhërime, por edhe duke i ndihmuar në problemet e tjera si ujësjellësin ku merr pjesë edhe vetë, në sistemimin e varrezave duke i bashkuar të dyja lagjet në një varrezë ashtu siç vazhdojnë edhe sot, në asfaltimin e rrugës së fshatit, në rregullimin e qendrës së lagjes “Jorgji Puci”.Këmba e tij ka shkelur në çdo skaj të Shqipërisë, ku ka zhvilluar takime me miq, me shokë, me të rinj me të reja, fatosa e pionerë, me gra e pleq, me punëtorë, me bujqë e çobanë, me oficerë e ushtarë. Ka qenë gjithmonë i komunikueshëm dhe i ndjeshëm me problemet e njerëzve.
Publicistika e profesorit dhe e shkrimtarit Sevo Tarifa është e gjerë. Ajo prek fushat e jetës e pa harruar, periudhën e Luftës Nacional Çlirimtare. Pena e tij ka gdhendur me daltën e skulptorit duke qëndisur portretet e partizanëve, të dëshmorëve e të heronjve, të komandantëve e komisarëve, pa harruar bashkëfshatarët e tij: Veipin, Abazin, Andonin, Çavon, Xhevdetin, Alinë, Rizanë, Lufton, Riston, Cikon, duke na i sjellë gjithmonë afër siç thonë vargjet “Vitet tutje e ata tëhu”. Por nuk harron të shkruajë për miqtë, për shokët e punës, të cilët i ka njohur, ka punuar me ta, që e respektojnë në mënyrë të jashtëzakonshme për punën e palodhur të tij. Shumë shkrimtarë, poetë e miq kanë shkruar për Sevon nga goja dhe pena e tyre. Fjalët më të mira kanë buruar. Theksoj se në punët e partisë, të pushtetit e të rinisë, ka kaluar përmes disa universteteve. Në aparatin Komitetit Qendror të partisë, shkoi 43 vjeç dhe u largua 63, shkoi pa syze dhe iku me syze, shkoi me flokë të zeza e iku me flokë të bardha. Në takimin më 20 mars në Mashkullorë, Enver Hoxha,e vlerësoi personin e Sevos: “Ju keni një djalë të mirë këtej nga Mashkullora. E quajnë Sevo Tarifa. Ai punon në aparatin e Komitetit Qendror bashkë me bashkëshorten time, Nexhmijen. Sevua u ka bërë ballë dallgëve të jetës që janë përplasur mbi të, duke i përballuar me guxim e trimëri, si ndarja nga jeta e bashkëshortes, Nendretit, më 1953-shin e që Melsi mbeti shumë i vogël jetim. Po kështu edhe bashkëshortja Sofia, ndahet nga jeta në moshën 66- vjeçare, mamaja e Fatosit, e Dritës dhe e Dhuratës. Ai është rrethuar nga dashuria dhe respekti i fëmijëve të tij të kulturuar e të shkolluar, me tituj e grada shkencore. Theksoj se edhe mamaja e tij, Savua, ka qenë një punëtore e nderuar dhe e respektuar në kooperativë në fshatin Mashkullorë.
Sevua nuk i përket asaj kategorie burrash që në mëngjes u gdhinë ndryshe e në darkë u bënë demokratë. Edhe pse shumë vende të botës vizitoi. Gjithmonë u ka qëndruar besnik idealeve për të cilat luftoi e punoi. Ai sot jep një kontribut në Organizatën e Veteranëve, edhe pse në moshën të thyer punon me pasionin e një të riu që s’tha kurrë “U lodha!”, duke u bërë shembull frymëzimi për brezat që vijnë. Shumë herë ai është ngjitur në foltoret e podiumeve, duke folur e mbajtur leksione për vlerat e LANÇ-it, për heronjtë e për dëshmorët. Për punën e tij të palodhur si gjatë luftës edhe pas çlirimit është dekoruar me medalje dhe urdhëra të ndryshëm, ndërsa bashkia e Gjirokastrës dhe ajo e Tepelenës e kanë nderuar me titullin “Qytetar Nderi”. Më 14 Gusht të këtij viti Sevoja ngjiti një shkallë më lart, hyri në vitin e 92-të të jetës së tij.
I uroj nga zemra Sevos jetë të gjatë edhe 100 pranvera nga bashkëfshatarët, shokët dhe miqtë që i do dhe e duan! Shëndet e lumturi në familje! Pena e tij e artë le të na japë vepra të tjera me vlerë edhe në të ardhmen!
18 Gusht 2018