Gëzuar festën e lirisë, Tiranë! E di ku ishte Mit’hati atë ditë z.Rama?
Rustem Peçi*
Sot, më 17 nëntor, Tirana feston 74-vjetorin e çlirimit. Populli i Tiranës, si çdo vit e pret këtë festë si ditën më të shënuar, se Dita e Çlirimit është histori. Por, jo vetëm tiranasit, por i gjithë populli shqiptar e kremton 17 Nëntorin, sepse kryeqyteti është i të gjithëve dhe se çlirimi i tij ishte preludi i Çlirimit të Shqipërisë më 29 Nëntor 1944.
Duan apo nuk duan armiqtë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare Urdhrin: “Me çdo kusht të merret Tirana” e dha Enver Hoxha dhe askush tjetër.
Duan apo nuk duan kolaboracionistët e të gjithë ata që vjellin vrer kundër Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe partizanëve, që përpiqen ta kthejnë mbrapsht rrotën e historisë, çlirimi i Tiranës, i gjithë qyteteve, i gjithë krahinave, i gjithë fshatrave dhe e çdo pëllëmbe toke e Shqipërisë, është vepër e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, është vepër e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar që e udhëhoqi PKSH, me Enver Hoxhën në krye.
Çfarëdo që të bëjnë, ngado që të vërtiten kolaboracionistët, pinjollët e tyre, kalemxhinjtë e paguar dhe politikanët e djallëzuar, sulmin për çlirimin e Tiranës e organizoi Korparmata I Sulmuese Partizane me Komandant Dali Ndreun, Komisar Hysni Kapon, Shef Shtabi Mehmet Shehun. Ishte Komandanti i Brigadës I Mehmet Shehu, strategu i kësaj beteje frontale. Në të 19 ditët e netët e betejës për Tiranën do të provoheshin luftime nga më të përgjakshmet nga partizanët e të 11 brigadave që morën pjesë në të, për ta çliruar nga nazistët dhe veglat e tyre kolaboracionistët të Ballit Kombëtar e zogistëve, që ishin në një llogore me ta. Ishte populli i thjeshtë e i mrekullueshëm i Tiranës, intelektualët përparimtarë e patriotë që u bënë njësh me partizanët në barrikada dhe triumfuan… Tirana mbeti i vetmi kryeqytet në Botë që u çlirua vetëm me forcat partizane pa ndihmën e askujt tjetër.
Thjesht pyesim: Ku ishte Mid’hati me Ballin e tij kur partizanët përlesheshin me nazistët për çlirimin e Tiranës?! Në një llogore me hitlerianët.
Por gjatë këtyre afro tri dekadave kanë ndodhur vërtet çudira në Tiranë e në Shqipëri. Tiranën, në çdo prag të ditës së çlirimit e kanë fyer rëndë. Kështu u përurua shtatorja e mbretit Zog, që e la Tiranën dhe Shqipërinë nën zjarr e armëve e nën thundrën e çizmeve të pushtuesve fashistë… Para tri ditësh, më 14 nëntor, sollën eshtrat dhe u rivarrosën, e i ngritën bust Mid’hat Frashërit nga Qeveria e kryeministri përmes një ceremonie turpi. Kryesocialisti nderonte e përulej përpara veprës “madhore” të Mid’hat Frashërit, bashkëpunëtorit më të zellshëm të nazizmit.
Mos vallë po instalohet në Tiranë neonazizmi?!
Tirana jonë e barrikadave, e heroizmit, Tirana e kuqe po mban mbi shpinë peshën më të madhe të turpit dhe të fajit të të gjitha kohërave… Bashkimi me pushtuesit aq më tepër me nazifashistët, në çdo kohë është quajtur tradhti. Sot na u quaka lavdi! Sot kryetarin e Ballit Kombëtar që populli dhe historia e di ç’ka bërë, e bënë triumfator! Dhe triumfatorët e vërtetë fajtorë!
Ishte fyerje më të madhe për popullin e Tiranës ajo ceremoni shtetërore. Balli i Mid’hat Frashërit që e mbyti në gjak natën e 4 shkurtit 1944, merr nderimet më të mëdha qeveritare; ishte fyerje për popullin shqiptar të cilit Balli i Mid’hatit ia zhuriti fshtrat e qytetet, ia dogji shtëpitë, u vrau djemtë, vajzat fëmijët e pleqtë, bashkë me nazistët dhe vetë pa ta; ishte fyerje më të madhe për Luftën e Lavdishme Nacionalçlirimtare dhe për partizanët e saj.
Ç’është vallë kjo djallëzi politike?
Ndërsa thuhet se populli shqiptar u rreshtua në krahun e duhur të historisë, atij që u rreshtua në krahun e kundërt, kundër popullit i ngrihen buste dhe i organizohen ceremonira lavdie!… Me sa duket po rijetojmë në kohën e djallëzive, maskarallëqeve dhe tradhtive…
Me këto mynxyra që po bëhen, ka mundësi që nesër duke i hedhur hi syve popullit, e zhdukur historinë e vërtetë të Luftës, të thonë, se Tiranën dhe Shqipërinë e paska çliruar Mid’hat Frashëri me Ballin Kombëtar…!
Mos vallë Qeveria po kërkon të dijë kush ka mbetur pa monumente nga kolaboracionistët e kriminelët e luftës? Është turp! Ka mundësi që, kështu si ka nisur, nesër të ngrihen monumente edhe për Hitlerin edhe për Duçen, edhe për Rexhep Mitrovicën etj. etj..
Veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që morën pjesë në çlirimin e Tiranës, por edhe ata që luftonin gjetkë, ndjenë krenari të ligjshme për këtë vepër të tyre, që u shkrua e vulos më gjakun e shokëve të tyre, që mbetën lapidarë në Tiranë. Veteranët e LANÇ e kanë kokën lart, se janë ballëlart përpara popullit dhe historisë. Ata nuk e ulën kokën as u përulën e as u trembën kur Mid’hati me ballin u drejtonte pushkët pas shpine e jo më sot përpara kockave të tij që i rivarros Qeveria dhe kryeministri i rrethuar nga ballistë e kolaboracionistë e zuzarë të demokracisë…
Kokën e mbajnë uluar ata që kanë bërë krime e faje, përpara historisë, ata që tradhtojnë popullin dhe Atdheun. Ceremonira e vlerësime të tilla nuk i shërbejnë pajtimit, se ky nuk është pajtim, ky është krim i ri… Pajtimi bëhej nëse Balli do të kërkonte falje për 28 mijë dëshmorët, për mijëra viktima për të gjitha krimet dhe në fund të zhdukej nga faqja e dheut.
Gëzuar festën e çlirimit, Tirana jonë e dashur!
- Kryetar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ-it
17 Nëntor 2018