E vërteta e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe a gënjen Avni Alcani?

Nga Wikibooks

Nga Naim Balla*

Ditë më parë Gazeta prestigjioze “Dita” (09.07.2018), gazetë e mirënjohur kombëtare, që shkruan vetëm të vërtetën, botoi një artikull të Avni Alcanit me titull, “Si u rehabilitua Beg Balla në vitin 1983”. Në këtë artikull ai mundohet të shpjegojë dhe të na mbushë mendjen se në vitin 1983, ai si punonjës në muzeun e Librazhdit, së bashku me një instruktor partie dhe me miratimin e një sekretari partie, (V.B), arritën që të rehabilitonin figurën e atdhetarit dhe patriotit të madh të Çemenikës, Beqir ose Beg Ballës siç thirrej në popull, duke i vënë një foto në muzeun e rrethit!?

Dy momente politike të vështira kaloi Beg Balla në jetën e tij të gjatë gjithë, si njeriu më i rëndësishëm në Çermenikë e më gjerë në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë. Si përkrahës të Aqif Pashës, në vitin 1922, Halit Lleshi dhe Beg Balla komandonin 400 burra të armatosur nga Dibra dhe Çermenika dhe ishin nisur për në Elbasan, por në Shmil, u ndeshën me forcat e bashkuara vërlaco-zogiste. Pas fitores këto të fundit u futën në Orenjë, plaçkitën dhe i vunë zjarrin shtëpive të Beg Ballës, i cili që në këtë moment arratiset në azil politik në Jugosllavi dhe në Greqi. Ai do të kthehet në Atdhe në vitin 1926, vit në të cilin Zogu bëri amnisti politike. Rehabilitimin e parë politik të atdhetarit Beg Balla, e bëri persekutuesi i tij, Mbreti.

I dyti, pas vendosjes së sistemit socialist dhe fillimit të luftës së klasave në vitin 1951, Beg Ballën me gjithë aktivitetin e madh atdhetar dhe patriotik dhe kontributin e jashtëzakonshëm të tij, fisit të tij, Orenjës dhe Çermenikës në LANÇ, e bënë kulak. Pak ditë pas kësaj ngjarje Enver Hoxha interesohet personalisht, thërret sekretarin e partisë të Elbasanit, Todi Lubonjën dhe kur mëson se Beg Ballën e kishin bërë kulak, urdhëron ti hiqnin menjëherë këtë titull, duke thënë se Beg Balla nuk ishte as i kuq, komunist, as i zi ballist, por kafe, nacionalist, patriot dhe përkrahës i flaktë i LANÇ. Ky ishte persekutimi dhe rehabilitim i dytë politik i Beg Ballës, që u bë nga i Pari i vendit në Qarkun e Elbasanit. Tjetër nuk ka më.

Me dekret të Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë nr.1970 datë 23.02.195,1 Beg Balla është dekoruar me dy medalje, atë të ‘Trimërisë’ dhe atë të ‘Kujtimit’. Më 27 nëntor të vitit 1962, me rastin e 50-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, me Dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor, nr 3608 datë 26.11.1962, Beg Balla është dekoruar me medaljen për “Veprimtari Patriotike”. (Shih gazetën ‘Zëri i Popullit’, datë 27.11.1962. A ka vlerësim më të lartë se ky!? Kurse këto shokët në Librazhd, sipas Avniut, e paskan ditur akoma të persekutuar!? Mosdije apo dashakeqësi. Se ku e gjen autori i shkrimit persekutimin politik të Beg Ballës, as dreqi nuk e di, veçse në mendjen e tij diabolike. Një butafori dhe shtrembërim i pastër historik. Ku e gjetën fuqinë dhe tagrin që këto tre veta, atje në Librazhd të bënin edhe armik, edhe hero, të vinin a hiqnin foton në një muze, që bënin edhe ‘diellin’ edhe shiun.

Po të ishin kaq të fuqishëm këto burra pse nuk rehabilituan Kadri Hoxhën, mikun e ngushtë të Begut? Ai po, ishte i burgosur, i dënuar, i internuar, i super persekutuar! Këta shtrembërues të historisë, nuk guxonin ti zinin emrin në gojë.

Autori thotë se në librin e tij ”Kur lindi Partia”,Enver Hoxha e kritikon Beg Ballen kështu e ashtu, por në të gjitha faqet e këtij libri nuk gjen asnjë fjalë për Beg Ballën. Lajthitje apo dashakeqësi. Një maskaradë, trillim amatoresk, i qëllimshëm dhe i dënueshëm.

Edhe thënia e Enver Hoxhës në librin “Rreziku anglo amerikan për Shqipërinë” , ku Enveri e kritikon komandantin e Qarkut të Elbasanit ,Kadri Hoxhën për mefshtësi në punë dhe ‘bën lloqe me Beg Ballën në Orenjë’, nuk i drejtohet aspak Beg Ballës, por Kadriut dhe defekteve të tij në punë. Është hileqare, e qëllimshme dhe dashakeqe t’ia veshësh këtë kritikë Beg Ballës, siç bën Avniu!

Autori shpif hapur kur thotë se Enver Hoxha, në librin” Rreziku anglo-amerikan pë Shqipërinë” e quan Beg Ballën “bashkëpunëtor të anglezëve, tradhtar dhe reaksionar”. Tekstualisht në faqen 64 të librit të mësipërm, Enveri i thotë Kadri Hoxhës: “Mirë, çoje gjeneralin anglez Devis tek miku yt Beg Balla në Orenjë, por kujdes se më kanë thënë se gjenerali është pak i moshuar dhe Begu është plak, mos e lër gjeneralin të nanuriset shumë me Begun. Komandanti I Grupit buzëqeshi. Bëj shaka i thashë, thotë Enveri, për të ngacmuar se e di që e ke mik, se Beg Balla është simpatizant i LANÇ”. Kaq dhe vetëm kaq. Ku janë këtu akuzat për bashkëpunëtor, reaksionar e tradhtar. Shpifje dhe vetëm shpifje.

Pse autori nuk thotë që në librin “Mes njerëzve të thjeshtë”, faqe 317, Enver Hoxha shkruan se: ”Ashtu si Ali Shtëpani dhe Sherif Çekja, Beg Balla nga Orenja thirrej si gjykatës popullor për të ndarë davanë, ishte fshatar i mesëm, dëgjohej në popull dhe gëzonte besimin e tij. Ai u bë njeri i LANÇ, shtëpinë e tij e ktheu në bazë të LANÇ. Beg Balla u lidh me LANÇ me anë të Kadri Hoxhës”. A ka këtu fjalë, spiun, reaksionar, tradhtar etj, siç shkruan paturpësisht ky manipulator i historisë.

Me këtë rast krahas qëndrimit kritik për manipulim, shtrembërim dhe shpifje për figurën e Beg Ballës, në respekt të lexuesit të gazetës ‘Dita’, do të sjellim shkurt figurën e patriotit dhe atdhetari Beg Balla nga Orenja e Çermenikës, (1872-1954). Beg Balla mbaroi shkollën e mesme në Stamboll dhe Selanik. Ishte anëtar i Shoqërisë patriotike ”Drita” të Stambollit dhe i shoqërive patriotike” Bashkimi’” dhe “Vllaznia”të Elbasanit. Mori pjesë së bashku me patriotin Shaban Blloshmi në Kongresin e Alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir në vitin 1908. Hapi disa shkolla shqipe në fshat dhe Çermenikë. Mori pjesë në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë nga Ismail Qemali,më 28.11.1912. Në vitin 1913 emërohet nga Prefekti i Elbasanit, Aqif Pasha, Drejtor i Çermenikës deri në vitin 1922. Që nga viti 1927 deri në vitin 1939 zgjidhet disa herë Kryetar i Komunës së Çermenikës. Në vitin 1913 merr pjesë në ‘Mbledhjen e Durrësit’, ku zgjidhet një Qeveri Kombëtare e kryesuar nga Turhan Pashë Përmeti, ish-Kryeministër i Princ Vidit. Në vitin 1919 merr pjesë në një kuvend në Dukagjin të Matit, i organizuar nga Bajram Curri, Cen Elezi, Halit Lleshi etj, për të ruajtur të paprekur kufijtë e Shqipërisë. Lufton kundër haxhiqamilistëve në krahinë. Organizon çermenikasit dhe çon ndihma për luftën e Vlorës të vitit 1920. Në vitin 1920 merr pjesë në Kongresin e Lushnjes, i organizuar nga miku i tij Aqi Pashë Elbasani. Gjatë viteve të LANÇ, Beg Balla, gjithë fisi e miqtë e tij, fshati Orenjë dhe gjithë Çermenika, u vunë në mbështetje të saj pa asnjë rezerve, morën pjesë me armë në ‘të . Ballajt i dhanë lirisë së Atdheut dy dëshmorë. Në Orenjë u krijua njësiti partizan në prill të 1942, çeta partizane e Çermenikës në 15 gusht 1942, batalioni partizan i Çermenikës më 9 Maj 1943. Në lagjen Ballaj qëndroi Sh.P.U.N.Ç, Misioni anglez në Shqipëri i komanduar nga gjenerali Devis. Aty u vendos spitali partizan më i madh në rang vendi, depot e municionit, armatimi partizan, shtypshkronja e Partisë Komuniste etj. Të gjitha këto, me miratimin, mbrojtjen dhe mbështetjen në radhë të parë të Beg Ballës. Në shtator të vitit 1942 Begu zgjidhet kryetar i KANÇ të fshatit, kurse në Konferencën e dytë LANÇ që u mbajt në Labinot, zgjidhet kryetar i KANÇ të Çermenikës dhe anëtar i KPANÇ të Shqipërisë.

Duke parë gjithë këtë aktivitet të dendur politik dhe patriotik të tij dhe pretendimit të autorit të shkrimit se paska rehabilituar Beg Ballën, të vjen për të qarë dhe për të qeshur. Veprimtaria e shumë anshme dhe multikrahinore e Beg Ballës nuk lidhet vetëm me qytezën e Librazhdit. Ishte dhe është hapësirë e vogël historiko-politike ajo e Librazhdit për figurën e Beg Ballës. Autori, duke e paraqitur veten si rehabilitues të figurës së Beg Ballës, kërkon që të rehabilitojë veten në sytë e opinionit publik në Librazhd dhe Çermenikë sepse është vënë në krye të një shoqatëze, e cila ka dalë hapur kundër Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare.

Në librin e tij ,”Vite, njerëz dhe ngjarje”, në faqen 128 Haxhi Lleshi shkruan: “Atje kisha një mik të vjetër, Beqir Balla nga Orenja, Beg e thërrisnin. Nuk e kisha takuar që kur kish qenë familjarisht tek ne në Dibër të Madhe bashkë me familjen e tij si emigrant politikë i ndjekur nga Zogu. Më vinte shumë mirë që edhe Çermenika si në të kaluarën, madje më shumë tani kishte rrokur armët kundër pushtuesit dhe miku ynë ishte bërë një nga njerëzit më aktivë të luftës në krahinë”. Në vitin 1987, Presidenti Haxhi Lleshi bëri një vizitë kortezie në Orenjë dhe vendosi një kurorë me lule tek varri i mikut të vjetër të fisit të tij,Beg Balla.

  • Naim Sadik Balla, është nipi i Beqir Ballës.

13 Gusht 2018