E - mail autentik nga ditët e luftës derguar mikut tim Ferhat Ymeri në Seatle (USA)

Nga Wikibooks
E-mail autentik nga ditët e luftës derguar mikut tim

Ferhat Ymeri në Seatle (USA)

Gjakovë, 12.08.98

Message-Id: <[log in to unmask]>
From: "BESNIK BARDHI" <[log in to unmask]>
To: <[log in to unmask]>
Subject: [log in to unmask]
Date: Wed, 12 Aug 1998 21:32:49 +0200
Content-type: text/plain; charset=ISO-8859-1

Më në fund, tungjat FERHAT

Ja më në fund arrita që të kyqem në rrjetin e Internetit dhe kështu të komunikojmë më shpesh në këto kohë jashtëzakonishtë të vështira. Që në fillim të kësaj letre !!!!!!!, po,po këto janë rafale automatikësh,më prit pak të lutëm....................................................................... .................................... Fatkeqësishtë dhe as që kisha paramenduar ndonjë herë që do të komunikojmë së bashku në zhurmën e të shtënave dhe në luftë. Në këto momente u kthyen nga fronti i Junikut bastardët e Karpateve dhe qëlluan në ajr për të përshëndetur kolegët e tyre në ndërtesën e milicisë këtu pran banesës sime. Ishte një konvoj i madh i tanksave, mjeteve të blinduara dhe kamion - transporter të shumtë të stërmbushur me çetnikë që këndonin këngë lufte serbe dhe që shkuan në drejtim të Prizrenit. ( Dhashtë Zoti të mos arrijnë kurr në cak ) Ferhat, si je ti dhe si janë bashkëshortja dhe Erik DARDANI. Besoj se në kushte çfar keni, mendoj në LIRI-në e plotë, vështirë që mund të ketë njeriu ndonjë problem apo jo ! Ku dhëmb dhëmbi shkon gjuha, apo jo. Pikërisht kjo po n'a mungon më së shumti, pra LIRIA .Kemi filluar të harrojmë ndjenjën e lirisë ( nëse e kemi pasur ndonjë herë) dhe jemi tjetërsuar fare. Nuk mund të them asesi që kemi rënë në defetizëm, përkundrazi jemi pajtuar me një fakt të pa mohueshëm se liria nuk falet, se çmimin e ka shumë të lartë dhe se është e vetmja gjë që fitohet me gjak ( dhe atë vetëm të njeriut !). Pra, në këto kohëra kur nuk dihet se pas një minute, një ore, apo një dite, do të jeshë në këtë botë apo jo, shtrohet pyetja: Gjerë kur bota demokratike do të bënë sehir dhe do t'i lejoj Kasapit të Ballkanit t'i ngopë epshët e veta me krimet më makabre që do ti ketë lakmi edhe vetë Hitleri. Rrafshi i Dukagjinit u dogj i tëri, me qindëra mija qenje njerëzore po bredhin nga një mal, fushë, lug në tjetrin, nën qiellin e hapur dhe mëshirën e hordhive çetnike, që dijnë vetëm të presin në fyt të pa aftët si pleq, gra, fëmijë. Sëmundjet epidemike vetëm kanë filluar të marrin viktimat e para.

Se besoj të jetë çmendur e tërë bota dhe të lejoj të zhvillohet holokausti më i ri në botë dhe atë jo në ndonjë nga regjionet margjinale të ruzullit toksor, por m'u në Europë.

Edhe dita e sotit po përfundon, për Gjakovën akoma pa tronditje të mëdha, përveç detonimeve që dëgjohen nga granatimet e fshatrave të Gjakovës.(Edhe ato pak shtëpi sa kanë mbetur pa u rrënuar).Gjakova, frymon pa mushkëri. Ferhat,këtë letër po e shkruaj me një ton pak të pa zakonshëm,për çka të kërkoj falje,por më beso se që në hyrje të letrës,pas të shtënave më humbi inspirimi,por në anë tjetër ishte dëshira e madhe që sa më shpejtë të vemi kontaktin.

Shumë të fala Enit dhe Dardanit si dhe të gjithë shqiptarve atje. Më dërgo edhe ndonjë adresë (e-mail apo në Internet) të institucioneve,shoqatave apo mjeteve të informimit në gjuhën shqipe.( Mundesh gjithashtu të ju japësh edhe e - mailin tim për komunikim).Jam në dispozicion aq sa mundëm të kontribuoj në dhënjen e informatave të cilat për ju atje janë më se të nevojshme.Pres shpejtë pëgjegjen. Për sot po përfundoj me kaq, prit shumë të fala nga shoku dhe miku ytë:


BESNIKU
Gjakovë(shumë e gjakosur), 12.08.98