Dy vendimet e gjermanëve për bankat dhe minierat në 14 muaj pushtim në truallin shqiptar

Nga Wikibooks

Dr. Arqile Veshi

Njihet historikisht se pas kapitullimit të Italisë fashiste, më 8 shtator 1943, Shqipëria u pushtua nga trupat naziste gjermane. Ata qëndruan në truallin shqiptar 14 muaj.

Krahas veprimeve luftarake ata në bashkëpunim me qeverinë shqiptare të vendosur prej tyre ndërmorën edhe veprime me karakter ekonomiko-financiar, që tregon se qëllimi i tyre nuk ishte “kalimi në tokën shqiptare” por de fakto, pushtimi i vendit politikisht, ushtarakisht dhe ekonomikisht.

Hapi i parë që ndërmorën autoritetet gjermane të pushtimit me t’u vendosur në Tiranë ishte ndalimi i veprimtarisë se të gjitha bankave që vepronin në vend, si rrjedhojë gjatë periudhës 11-20 shtator 1943 u ngrinë të gjitha depozitat bankare dhe akordimi i kredit bankar.

Kjo bëri që kriza ekonomike-financiare të thellohej më tej pasi, për shkak të kapitullimit dhe të ndërprerjes së marrëdhënieve me qendrat e tyre në Itali, firmat dhe shoqëritë italiane në Shqipëri ishin të detyruara të ndalnin veprimtarinë e tyre ekonomike-financiare.

Në këto kushte, autoritetet naziste gjermane urdhëruan të rifillonte veprimtarinë e saj vetëm Banka Kombëtare Shqiptare, por edhe kjo në shkallë të kufizuar sa për të plotësuar nevojat e komandës ushtarake gjermane dhe qeverisë ndonëse formale shqiptare.

Pak kohë pas pushtimit më 12 shtator 1943, për të zgjidhur nevojat më urgjente ekonomike-financiare të ushtrisë gjermane në Shqipëri që tashmë ishte ulur këmbë-kryq, Ministria e jashtme Gjermane udhëzoi ambasadën Gjermane në Romë që të bllokonte rezervën e kartëmonedhave Shqiptare të depozituara aty.

Po më 12 shtator 1943, ministri gjerman për evropën Juglindore Neubacher, urdhëroi që përveç rezervës së kartëmonedhave të merreshin edhe klishetë e stampimit, rezervat e arit dhe rezervat në devizë që ishin pronë e Shqipërisë të depozituara në Bankat Italiane.

Fillimisht klishetë, ari dhe devizat u depozituan në Berlin, në Bankën Qendrore të Gjermanisë, ndërsa sasia e kartëmonedhave u depozituan në Bankën Kombëtare të Shqipërisë në Tiranë. Në zbatim të kësaj politike, në Romë nga rezerva valutore shqiptare u morën 120.6 milion franga Shqiptare në kartëmonedha dhe rezerva e arit e llogaritur me kursin e kohës me 8.1 milion franga shqiptare. Si të mos mjaftonin këto sipas Arkivit Qendror Shqiptar, Fondi i Bankës Kombëtare të Shqipërisë, gjermanët në prag të përfundimit të luftës më 30 tetor 1944 grabitën thesarin në Bakën Kombëtare me vlerë 2.740.000 franga shqiptare dhe 13.519 napolona ar, të cilat me kursin prej 510 franga shqiptare të asaj periudhe arrin në vleftën 6.894.690 franga Shqiptare.

Regjimi ushtarak gjerman gjatë periudhës 14 mujore që qëndroi në truallin shqiptar si pushtues, në aspektin ekonomik tregoi interes për sektorët që u interesonin trupave në vend dhe nevojave të ekonomisë gjermane, prandaj ata treguan interesin për vënien në punë të minierës të Rubikut për mineralin e bakrit dhe minierave të kromit në veri si ajo e Kamit në Tropojë e Kalimashit në Kukës e Bulqizë në Peshkopi etj, nga të cilat prodhimi i tyre kishte destinacion eksportin në Gjermani.

Kështu nga 42.902 tonë mineral kromi i prodhuar nga tetori 1943 deri në gusht 1944 28.832 tonë u eksportuan në Gjermani. Gjithashtu regjimi ushtarak gjerman vëmendje tregoi për prodhimin e çimentos që i duhej për nevojat e ndërtimeve mbrojtëse, për mbajtjen në punë të centraleve elektrikë, të rrjetit të furnizimit me ujë, për artikuj ushqimorë për nevojat e trupave të tyre, ndërsa vaji i ullirit dhe sapuni i prodhuar nga lëkura eksportoheshin në Gjermani.

Referuar veprimtarisë politike luftarake dhe ekonomiko-financiare të autoriteteve dhe trupave gjermane në Shqipëri për periudhën shtator 1943 – nëntor 1944 të krijohet plotësisht bindja që ata vepruan plotësisht si pushtues, pasi dihet që luftërat në filozofinë e tyre kanë pushtimin e territoreve gjeografikisht dhe shfrytëzimin e përvetësimin e pasurive nën e mbitokësore.

Këto veçori dalluese të një pushtimi u reflektuan plotësisht nga gjermanët në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, prandaj i quaj të turpshme mendimet dhe veprimet e disa pseudo historianëve që me paturpësi mohojnë atë poshtërim që gjermanët i bënë popullit shqiptar. E vranë dhe e masakruan në shtëpinë e vet dhe i grabitën atë pak pasuri që kishte.

Pseudohistorianët mohojnë atë shkallë vetëmohimi që populli bëri për të luftuar këtë poshtërim. Kontributi dhe sakrificat në kuadrin e kësaj lufte janë njohur edhe nga Aleatët e Koalicionit Antifashist dhe nga e gjithë bota demokratike.

Në dhjetor 1942 Ministrat e Jashtëm të Britanisë, Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, deklaruan se e çmonin rezistencën e armatosur të shqiptarëve dhe e njihnin pavarësinë kombëtare të Shqipërisë.

Shteti shqiptar dhe partitë politike pa dallim duhet të krenohen me kontributin e sakrificën e asaj periudhe historike.


29 nëntor 2018