Shko te përmbajtja

Dy burra të shquar të shkencës, dy humanistë të vërtetë

Nga Wikibooks

Vendosja e bustit të Eqrem Çabejt përpara Akademisë së Shkencave dhe një homazh për Aleksandër Xhuvanin

Prof. Emil Lafe

Dje në lulishten përpara Akademisë së Shkencave u vendos një bust i gjuhëtarit të mirënjohur Eqrem Çabej (1908–1980), një ndër anëtarët themelues të asaj Akademie.

Skulptori Hektor Dule mori përgëzime të ngrohta për realizimin e arritur figurës së atij dijetari në moshën kur fuqia e gjykimit vjen e bëhet gjithnjë e më depërtuese drejt thellësive të panjohura. Në opinionin e gjerë të vendit e të botës Eqrem Çabej njihet më fort për veprën e tij shkencore themelvënëse në shumë fusha të gjuhësisë shqiptare e sidomos në fushën e historisë së gjuhës. Por ai ka qenë edhe një burrë fisnik me personalitet të lartë moral, me ide e ideale përparimtare dhe me një vetëdije të fortë të përgjegjësisë kombëtare dhe të besnikërisë së palëkundur ndaj popullit e vendit të vet.

Në mars 1980, ndonëse i dobësuar nga sëmundja që do ta ndante nga puna e nga jeta pas disa muajsh, ai gjeti fuqi të shqiptonte vetë, duke qëndruar më këmbë, një fjalë kujtimi e nderimi për kolegun e tij të vyer, prof. Aleksandër Xhuvanin (1880–1961) në konferencën kushtuar 100-vjetorit të këtij punëtori të shquar të filologjisë shqiptare dhe të arsimit kombëtar. A. Xhuvani dhe E. Çabej ishin të lidhur me një bashkëpunim kolegjial shembullor dhe me një miqësi prekëse, ndonëse u përkisnin dy brezave të ndryshëm. Kam pasur fatin, në vitet 1959–1961, që ta vërej dhe ta ndiej nga afër atë lidhje të çiltër kolegjiale e miqësore të këtyre dy burrave të veçantë.

Në fund të fjalës së tij, ku vlerësoi ndihmesat e Aleksandër Xhuvanit në fushën e gjuhësisë historike shqiptare, E. Çabej ravizoi edhe një portret moral të kolegut dhe mikut, të cilin e ka dashur dhe e ka respektuar gjithnjë jo vetëm si mjeshtër të urtë e të ditur, po edhe sipas parimeve tradicionale shqiptare për vlerat e atyre që e kanë shpinën të kërrusur nga vitet dhe nga barrët e detyrave që kanë mbajtur. Fjalët e tij më kanë lënë një mbresë të thellë që atëherë kur i dëgjova së pari në sallën e konferencës dhe më pas duke i lexuar si një mësim që duhet nxënë përmendësh.

Ai tha atëherë: “Personaliteti i Aleksandër Xhuvanit përmban anë njerëzore të forta. Si çdo dijetar i vërtetë, ai ka qenë i rrafshët e i thjeshtë në jetë e në marrëdhëniet e tij me të tjerët. Besnik i parimit tonë për të vënë të gjitha forcat në shërbim të shoqërisë, duke i dhënë gjithnjë më shumë asaj sesa t’i marrë, ai ka vepruar gjithherë ashtu që interesi i përgjithshëm tek ai e ka lënë shumë mbrapa interesin personal, si në jetë, si në fushë të dijes … Ai si njeri mbeti një humanist socialist i vërtetë, një burë përparimtar në kuptimin fisnik të kësaj fjale.”

Të dy këta dijetarë ishin të një brumi. Ata nuk janë një përjashtim në radhët e inteligjencies shqiptare. Janë vetëm dy shembuj nga më të ndriturit. Te ky portret moral i A. Xhuvanit i vizatuar aq mjeshtërisht me fjalë të thjeshta, po të zgjedhura e të ndiera në thellësinë e kuptimeve të tyre, unë shoh edhe vijat themelore të një autoportreti të vetë autorit. Edhe ai mbeti një humanist socialist i vërtetë në një mjedis ku këto fjalë kanë qenë më fort propagandë dhe shumë më pak një realitet i prekshëm.

Nderimi i këtyre dijetarëve të shquar, humanistë socialistë të vërtetë, është një peng moral i shoqërisë dhe i shtetit shqiptar, aq më fort i një shteti të drejtuar nga një parti socialiste. Figurat e tyre duhet të jenë frymëzuese për punë të mira e të dobishme, që të lartësojnë shkencën e kulturën shqiptare. Ato nuk duhet të kthehen në ikona të padëmshme, të idealizuara e të zhveshura nga realizmi i tyre, para të cilave vetëm falemi, kërkojmë ndjesë ose vetëlëvdohemi. Sot shkencat albanologjike dhe institucionet e tyre, që jo rrallë u bënë timare të militantëve e të puthadorëve partiakë, janë larg asaj që duhej të ishin. Në radhë të parë, janë të shpërfillura e të shpërqendruara, ende pa një shtëpi funksionale e të denjë për rëndësinë dhe vlerën e tyre, ndërkohë që në ndërtesa arsimore-kulturore të shtetit lulëzojnë gjithfarë institucionesh universitare private. Së dyti, ato janë pa një program të përcaktuar perspektiv, pa një hierarki detyrash, pa projekte konkrete veprash madhore me rëndësi kombëtare. Të krijohet përshtypja sikur shteti nuk e ka mendjen t’u vërë detyra konkrete shkencave albanologjike dhe as të dëgjojë se çfarë duan të bëjnë dhe mund të bëjnë ato me mbështetjen e shtetit për kulturën kombëtare. Duket sikur gjithë diskutimi po zhvillohet rreth riorganizimit të Akademisë së Shkencave, kur dihet tashmë se ajo Akademi nuk është dhe as mund të bëhet më institucioni më i lartë kërkimor-shkencor i vendit (përcaktim që ka mbetur në Statutin e saj nga koha kur ishte e tillë), por thjesht shtëpia ose shoqata shkencore e akademikëve të zgjedhur sipas të gjitha rregullave që përcakton Statuti.

Thellësia e mendimit të Eqrem Çabejt, ashtu siç e ka plazmuar bukur skulptori, duke depërtuar në thelbin e subjektit të tij, të kujton fjalën e lashtë se rrënjët e dijes janë të hidhura, por frytet të ëmbla. Duhen ndihmuar me sa të jetë e mundur të rinjtë që kanë nisur rrugën nëpër rrënjët e hidhura të shkencës, që të na sjellin fryte të ëmbla. Kërkimi shkencor kërkon organizim dhe planifikim, ngrohtësi shpirtërore, mbështetje e vëmendje të pandërprerë, klimë bashkëpunimi e mirëkuptimi, kushte të përshtatshme për një rendiment pune më të lartë, nxitje për frymëzim. Në punët e organizimit e të drejtimit të shkencës më shumë se kudo vlen fjala e urtë “Mat shtatë herë dhe pre një herë!”

Pjesëmarrja e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e djeshme të përurimit të bustit të Eqrem Çabejt dhe fjala e tij me atë rast janë pa dyshim shprehje e një vëmendjeje më të madhe të qeverisë për shkencat albanologjike dhe për kërkimin shkencor në përgjithësi.

26 Qershor 2018