Doni të dini si ka qenë Shqipëria e parë, ajo para 120 vjetësh?…

Nga Wikibooks

…Ja si e përshkruan atë Lumo Skëndo në vëllimin e dytë të “Kalendarit Kombiar” të vitit 1898

Zylyftar Hoxha

Siç është bërë e njohur, para disa muajsh fondacioni arsimor, kulturor dhe humanitar Alternativa për të Ardhmen (ALSAR) ribotoi në origjinal në katër vëllime të 22 numrat e “Kalendarit Kombiar”, që i përkasin periudhës kohore, nga viti 1897 deri në vitin 1928, të botuesit të njohur rilindës, Kristo Luarasi. Kalendari përbëri një ngjarje me interes të madh kulturore të vitit që jemi. Ai u përurua në Tiranë dhe në Prishtinë, me një pjesëmarrje të gjerë të akademikëve, historianëve, gjuhëtarëve, pedagogëve të universiteteve, studentëve etj. 500 kopjet e përmbledhjes iu dhanë falas institucioneve shkencore, bibliotekave, muzeumeve historikë, instituteve të ndryshëm, akademikëve, punonjësve shkencorë dhe njerëzve të tjerë interesuar.

Meqenëse botimi kishte një numër të kufizuar kopjesh, dhe shumë njerëz nuk kanë patur dhe nuk kanë mundësi ta sigurojnë, sipas rastit dhe mundësisë që do të na krijojë gazeta “Dita”, do të japim herë pas here pjesë të tij.

Në këtë numër do të japim një përshkrim interesant gjeografik të Shqipërisë të asaj kohe, dmth, të fundit të shekullit të 19-të, kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë Osmane dhe kur ende nuk kishte filluar copëtimi i saj nga fqinjët dhe Fuqitë e Mëdha. Në atë kohë nuk bëhej fjalë për “Shqipëria të Madhe”, “Shqipërinë Etnike” apo “Shqipërinë Natyrale”, pasi këto janë terma që u vendosën vonë, pas copëzimit të Shqipërisë në vitin 1913 nga Fuqitë e Mëdha. Pavarësisht mungesës së një shteti, bëhet fjalë për një Shqipëri 88 mijë km katror, tre herë më të madhe seç është sot Republika e Shqipërisë!

Këtë shkrim po e sjellim në vëmendje të lexuesit edhe për një arsye tjetër: për gjuhën e bukur, të virgjër e të patrazuar shqipe, në dialektin e toskëve të jugut. Vëllimet e para të Kalendarit Kombiar, deri në vitin 1909, kur Kongresi i Manastirit vendosi alfabetin e ri që përdoret edhe sot, janë shkruar me Alfabetin e vjetër me gërma cirilike. Ndaj më është dashur që ta “deskriptoj”, duke ruajtur parimin fonetik, shqiptimin dhe nuancat gjuhës së një shekulli më parë.


Shqipëria. Cop’ e dheut që ka në jugët mëngën e Artës dhe Greqinë, në verit Maln’ e Zi, Jenipazar dhe Sërbinë, në perëndim detnë Adriatik dhe Jonianë e nga ana e lindjes zgjatet nga mëng’ e Selanikut e gjer në Vranjet quhet Shqipëri, vend i djemve të Shqipes; atje rri kjo “racë e bukurë, e mençme, trime dhe me vetija të mira”, si kundër thonë shkronjësit e huaj.

Male

Shqiptarët si dhe shkaba janë hequr në malësit, se Shqipëria është pothua në vend fjesht mal, por fort i bukurë e plot pyje dhe kullota.

Mali Sharr ka majën më të lartë nga gjithë malet që janë në sinit të Ballkanevet: Lubatini në mest të Prizrenit dhe t’ Ysqypit, është një majë e lartë 3050 metra mbi faqet të detit. Sharri lëshon dega në verilindjet dhe futet në Sërbi; nga ana e jugës degët e Sharrit janë: Korabi i veshur në bredh në dushk e në bushk, Jublanica në mest të Elbasanit e të Strugës që ka majë 2280 metra të lartë; më posht Elbasanit zë mali i Polisit, 1800 metra; Gramosi në Kolonjë, 2300 metra i lartë; mali i Sanolikes, 2500 metra i lartë dhe malet e Pindos (të Mecovës) që na ndajnë nga Greqia dhe hyjnë brenda në Thesalitë.

Jashtë Sharrit: mal i Galishicës në mes të kënetit të Ohrisë e të Prespës; Peristeri, i lartë 2600 metra, në jugët të Manastirit dhe Nereçka dhe Viçica më poshtë.

Brenda Sharrit, malet Shkodrës: Taraboshi, Cukali, Bori dhe Muranja, me borë që s’çkrijnë as në verë, si dhe të Lubatinit, male të veshur ndër ah, gështenja, frashnje, bredh etj.

Tomorri. Plot me të mirë (sikundër e besojnë vendësit) dhe maj’ e tij afër Beratit, 2400 metra e lartë, që nxjerr zë të tmerruar (nga të fryrit e erës në mes të shpellave): Dhembeli, pa pyje, por plot kullota dhe maja e Nemërçkës afër Përmetit; malet e Çikës, të lartë 2100 metra dhe tërë bushk e dushk; maleve të Çikës (Himarës) që moti u thoshin malet e Rrufesë (qeravnos), se atje bëhet fort dendur tërmet dhe bubullima, dhe pandehet se Grekërit e vjetër në këto male besonin, se aty ishte Plutoni, perëndi e Skëterrës.

Veç këtyre maleve të mëdhenj t’ emërtojmë dhe: malet e Mirditës, Krraba, Koloborda pranë Elbasanit. Mal’ e Ostrovicës; Radomi dhe Qarri në Kolonjë; Malete Sulit dhe të Mishqelit mbi Janinë.

Lumenj

Natura, vendit dhënë i ka dhënë shi sa duhet për të ujitur dhe të apijë çdo bimë dhe lumenjtë rrjedhin më ç’do anë. Më të mëdhenjtë janë: lum i Nartës që del nga malet e Mecovës dhe rrjedh në mes tënë dhe të Thesalisë.

Lumi i Zi (Gliqi) që shkon nga Suli e derdhet në det nja tre orë nën Pargët; Grekët e vjetër këtë lumë të vogël e quanin Akeron dhe i thoshin lum i Skëterrës se është i zi me serë, shkon nga vende moçalinë dhe natën kërcejnë flaka mbi të.

Lumi i Kallamasë që kujtohet se del nga kënet i Janinës nën det, qëmoti quhej Thiamis.

Vjosa, plot pishq, që del afër Mecovës, shkon nga Konica, Përmeti dhe merr këmbën Drino afër Tepelenës, këtij lumi të vjetrit i thoshin Aos.

Semani që ka dy këmbë të mbëdha: Devollë dhe Ergjendin. Devolli është dy këmbë: njëra del nga Nemërçka, tjetra nga Gramosi, të cilat bashkonen ndë këneta e Va bëntrokut, marrën dhe një vijë që del nga ky kënet; më tej Devolli përhapet në fushët afër Korçës; bën kënetet e Svirinës e Maliqit, shkon në veri të Tomorricës, dhe nën Berat duke u bashkuar me lumnë e Beratit që i thonë edhe Ergjent, merr emrin Seman, shkon nga Myzeqeja dhe derdhet në det t’ Adriatikut.

Shkumbija, që del nga malet e Gollobordës, shkon afër Elbasanit dhe Peqinit. Shkumbija ndan nga mezi Shqipërinë dhe në veri janë Gegët, e në jugët Toskët, që kanë në mes të tyre aqe ndryshim sa kanë dy sytë e një balli.

Arzeni dhe Ishmi që dalën nga mali i Kërrabës dhe ujitin fushën e Tiranës.

Drini i Zi, që del nga këneti i Ohrisë, nëpër mest të Strugës; ngjitet në veri shkon afër Dibrës, arrin në katund të Lumës ku merr ujërat e Drinit të Bardhë, i cili del nga malësie Ipekut; pastaj të dy bashkë nën emrin Drini i Zis e kthehen nga perëndimi, bëjnë një gjysmë rrote, shkojnë afër Lezhës dhe bien në det. Drini është një lumë i fortë, shum’ i bukurë dhe shkon nga vende t’egër me pyje e me shkëmbenj.

Bojana që derdh ujët e kënetit të Shkodrës në det.

Vardari që del nga malet e Lumës, ngjitet në Tetovë, bën nga Lindja, shkon nga Ysqypi nget drejt Jugës, lak Qyprylinë dhe posht derdhet në mëngë të Selanikut.

Ibri që shkon nga fush’ e Kosovës dhe hyn në Sërbi.

Kënetët

Në verit, Liqeni i Shkodrës që kemi përgjysmë me Malin e Zi. Liqeni i Shkodrës, nëntë orë i gjatë dhe nja pesë orë i gjerë, është rrethuar nga male të zhveshur, e me fusha fort pjellore nga Juga.

Këneti i Plavës, i vogël, por fort i bukurë. I Ohrisë, në formë të një veje, 100 qillometra të katërçipta dhe i thellë 100 deri në 150 metrauhësh në kohë të Romanëvet Lihnidos, është fort i kthjelltë, shumë i bukurë dhe plot pishqe shumë lloj. Këneti është 570 metra më i lartë nga deti. I Prespës. Rrumbullak dhe 60 metra i thellë, pandehet se ky kënet bashkohet me të Ohrisë, me një lumë që shkon nën mal të Galishicës. Këneti i Vantrokut; kënët i Kosturit; kënet i Svirinës e i Maliqit që i bën Devolli e që janë pak të thellë. Këneti i Tërbufit e një tok të tjerë në Myzeqe; po këta janë fort pak të thellë dhe anët janë plot moçalinë, zhukë e kallame. Këneti i Janinës, i bukurë, me një nisi të vogël në mest, në të cilët u vra Ali Pasha në vitin1822.

Fusha

Në verit kemi fushën e Kosovës që është 500 metra më e lartë nga deti; fush’ e Shkodrës dhe e Zadrimës. Fushn’ e Shkodrës pothuajse çdo mot e mbyt Drini; fush’ e Ysqypit.

Fush’ e Manastirit që nga Perlepi e gjer në Follorinë. Kjo fushë që është më e madhja dhe më pjellorja e gjithë Shqipërisë, është 15 orë e gjatë dhe tre orë e gjerë.

Fush’e Korçës, 4 orë e gjatë.

Fush’ e Tiranës, plot pyje dhe ullinj.

Fush’ e Myzeqesë, fort e gjerë por tërë moçalinë e plot ethe. Kjo fushë mund të qërohet e mund të bëhet një vend pjellor që të mos ketë shoqe.

Fare në jugët e fush’ e Janinës, e Filatit dhe e Lurës.

Tregëri

Nga të mos pasurit ndë dhe siguri, tregëria në Shqipëri është shumë pas. Qendrat në të cilat bëhet tregëria janë: Shkodra, Durrësi, Vlora, Saranda, Preveza dhe Manastiri.

Nga Shkodra del në mot 170.000 qillogram, qillogrami është (ok e re domethënë 312 dërhem) lesh; 100.000 qillogram sumak; 200.000 copë lëkurë dhije, deleje, lepuri etj. disa mijë ok li, vaj dhe pak mëndafsh dyllë mjalti.

Nga Durrësi del: lëkurë 25.000 copë; vaj, misër, tërshërë, farë liri, duhan, dru për të djegur dhe për të bërë anije, dhe nja 50.000 okë lesh.

Nga Vlora nja 50.000 ok lesh, 18.000 lëkurë; misër dhe fasule, vaj ulliri: 10.000 shekuj, 150.000 ok valanidh (lënde dushku për lëkurët); kripë, 500.000 litra verë; pishq të kripur, breshka dhe shushunja.

Nga Qimara del bushk (dru zbukurimi) fort shumë. Nga Saranda del cërmëdela (dru i verdhë), vaj lesh dhe lëkurë. Nga Preveza pak lëkurë, lesh, duhan, tabako, lënde dushku etj. Nga Manastiri drithë, verë dhe raki, mollë të Ohrisë dhe kumbulla.

Këto plaçka më të shumat venë në Trieste, ca në Brindis; drutë venë në Maltë; dritha në Korfus e në të tjera nisi të Greqisë.

Shqipëria nga Preveza gjer në Shkodër është anë detit, por veç Qimariotëve shumë pak të tjerë kanë anije, prandaj tregëri e vendit tënë bënet me anijet e të huajve dhe ne, humbasim një fitim të madh dhe të lehtë.

Mjeshtëritë

Në Gegëri bota janë më punëtorë dhe ç’do gjë që kanë nevojë e bëjnë vetë: punojnë leshnjë, linë, mëndafshin; në Prizren dhe në Jakovë punojnë armët dhe bëjnë shumë gjëra me fill argjendi: ashtu edhe lëkurët.

Në Shqipërinë e Jugës bota sa venë e po bëhen shumë përtasës dhe u pëlqen më mirë të rrinë me duar në gji e të varfërë, se sa të punojnë. Andaj dhe në më të voglin fshat, njerëzia vishet me plaçkë të huaj. Veç ca velenxa dhe guna, s’bëjënë gjë tjatër, por ç’do plaçkë e sjellin së jashtmi. Është keq dhe turp i madh që të rrimë kështu si jemi sot. E thamë sa është i bukur e i mirë dheu ynë: të duamë me një çikë punë mund të bëhemi të pasur e të lumtur. Fajin e kemi vetë.

Metale

Shqipëria, si mirret vesh, është plot metale; por asnjë s’punohet. Afër Korçës ka huj (thëngjill guri), si dhe afër Durrësit, dhe në malet mbi Sarandë, po s’punohen. Në Selenicë afër Vlorës del një serë fortë e mirë. Në malet e Qimarës gjendet squfur, afër Konicës kristal shkëmbi (dyr); në malet afër Vlorës gjendet kripë (si kripë e Pirevit). Në Konicë, në Përmet, në Lesh, ka banja squfuri të ngrohta; afër Dibrës dhe Ysqypit banja squfuri. Afër Manastirit, në Eqshi-Su është një ujë i thartë, fort i mirë për të pirë.

Si nga të tjerat gjëra në Shqipëri, as nga metalet s’del ndo një fitim.


Ç’pjell dheu ndë Shqipëri?

Shqipëria ka vendin fort të bukurë. Klima e saj në jugët dhe anës detit është e ngrohtë, dhe në veri pakëz e ftohtë, por e shëndoshë. An’ e detit nga Preveza e në Vlorë, po më tepër Çamëria është si një kopsht parajse: s’bie kurrë, pothua, dëborë dhe vapave të mëdha as emrin s’ua dinë. Atje bëhet ulliri sa një lis, portokaleja, limoni, qitroja, shëga sa një kokë njeriu. Afër Qimarës, në Palasë, bëhet edhe hurmaja sado që s’jep pemë. Prapë nga Vlora e në Ulqin, an’ e detit është plot pyje dhe ullinj; çdo drit bëhet në këto anë si dhe orizi në vende që ka ujë: në Myzeqe, afër Peqinit; e në Margariti del një oriz i mirë.

E tërë Shqipëria është pjellore: Vendet e unjët japin çdo drithë e pemë, vreshtë etj. Dhe pyjet janë plot kullota e të veshur me dushk, ah, bushk, bredha, gështenja, arra, lajthi etj. Malet me kullota ushqejnë bagëti dhe lumenjtë dhe kënetit ziejnë nga pishqet. Pyjet e thellë ushqejnë dhe ujq, derra, arinj, drerë, sorkadhe gjepura, kunadhe etj.

Malet e Ohrisë e të Tetovës janë me emër në tërë faqen e dheut. Ver e prizerenit, e kosturit dhe e Ohrisë janë për t’u mbajtur në gojë. Duhani i Metojisë (fush’ në mes të Ipekut, Jakovës, Prizerendit dhe Mitrovicës) e i Beratit, fasulet (groshet) e Ysqypit janë fort të mira.

Fush’ e Myzeqesë të qërohesh, sikundër e thamë, do bëhesh një vend pjellor që do të ushqente tërë Shqipërinë. Fush’ e Manastirit mbush botën me grurë, elp, misër etj. Fush’ e Korçës ka disa vjet që ka zënë e po bëhet moçalinë, dhe pa shkuar shumë kohë do të bënet fare baltë, kështu është edhe gjysma e fushës së Lurës: këto vende që shkel uji dhe fush’ e Zadrimës që mahnitet njeriu duke parë sa është pjellore, po që çdo mot e mbyt uji dhe s’lë të punohet, me pak mundim mund të qërohen dhe të hapen vijëra që të mos mbetet uji.

Me gjithë këtë pjellori që ka dheu, Shqiptarët mezi gjejnë bukë të hanë! Ç’është shkaku i kësaj mënxyre”

“Shkaku i kësaj varfërie që e bën njeriun të qanjë, është se Shqiptarët janë (na vjen ligsht ta themi) janë përtesësh e më tepër se arëbërës janë barinj: duan më mirë të venë me dhen se sa të punojnë dhenë. Veç kësaj dhenë e punojnë në një mënyrë fare të prapambeturë, domethënë s’kemi zënë ende (akoma) të përdorim dituri të dhédhënjes për të nxjerrë sa më tepër bimë. Të tëra këto vinë se jemi gjysmë t’egër e s’kemi zënë të qytetërohemi, kemi mendjen fare me të tjera gjëra e jo me punë e me mirësi”.

Po një nga ngajet e mëdha të varfërisë në të cilën rrojnë Shqiptarët sot, është mos pasja e rrugëve dhe urave. Megjithse ç’do njeri në Shqipëri paguan ç’do mot një pagesë të madhe guvernës, me nonjë anë të vendit tënë s’ka udhëza, dhe kjo ndalon fort vajtjen dhe ardhjen, të shpënët e plaçkave, dhédhënjen dhe tregërinë; pa le njerëzit dhe kafshët rrëzohen çdo ditë nga rripat, a mbyten në lumenjtë, me qenë se s’ka udhë gjëkund.

Njerëzia (popullsia) e Shqipërisë

Shqipëria kështu siç thamë që nga Greqia te Mali i Zi e në Sërbi; nga Adriatiku e në mëngët të Selanikut e gjer në Istip, ka më tepër se 800.000 qillometra të katërçipta dhe më shumë se 2.500.000 njerës. Ky vend, që s’ka të drejtë njeri të thotë se s’është Shqipëri, me 80.000 qillometra të katërçipta të saj, bëhet pothua dy sa Sërbia. Po ç’është ky vend përpara ati që kishin mbuluar Pellazgët d.m.th. Shqiptarët e njëzet shekulla më parë?

Veç shqiptarëve të Shqipërisë, janë edhe 300.000 Shqiptarë në Greqi; në Atik, Beoti, në nisurat Eube, Andra, Idra, Speca, Salamina e në Moret. Janë nja 200.000 Shqiptarë n’Itali, në Kalabri e në nisitë të Siqelisë. Shqiptarët Italisë po e mbajnë gjuhën e tyre më mirë se ata të Greqisë. Shqiptarët e Italisë kanë vajtur nga Shqipëria si erdhë Turqit në vendin tënë e pastaj. Të Greqisë ca më parë dhe ca më pastaj.

Veç këtyre, Shqiptarë kemi edhe në Mal të Zi, në Bosnje, në Dalmaci, dhe më tepër në Sërbi, e cila mori pa nonjë të drejtë: Nishnë, Vranjën dhe Leskovaçnë, që ja dha Kongresi i Berlinit më 1878. Duke vështruar sa shqiptarë janë në vendit të tyre, Sërbija dhe Greqia mos hapin gojën e të thonë, që në Shqipëri ka shumë Sllava a Grekër: ç’janë nja 30.000 Grekër n’anët e Janinës e më pak se kaq Shqeh në Metohi e në Yrqyp ca të pakë bullgarë afër Manastirit? No një Stat mbi dhet nuk është fjesht një komb. Vallë pa njerës që s’janë Shqeh ka Sërbia dhe Greqia? (Sërbia ka më tepër se 250.000 Vllehë, Shqiptarë, Bullgarë, Tyrq; dhe Greqia, thamë që vetëm Shqiptarë ka 300.000). Andaj dhe Shqipëria pse ka nja dhjet Grekër në jugët, disa Vllehë e Turq afër mëngës së Selanikut, dhe ca të pak Bullgarë e Serbër nga lindj dhe veri-lindja, njeri nuk na ndalon të themi, ky vend është fjesht Shqipëri; dhe ky vend ka qenë kurdoherë i Shqiptarëvet; të huajt kanë ardhur më pastaj, tani afër.

Serbët vetëm më 640 pas Krishtit dhe Bullgarët në shekullët të nëntë kaptuan Tunën, më parë ishin në anët të veriut të këtij lumi.

Thamë që lumi Shkumbi ndan Shqipërinë në mes dhe njerëzit e anës së veriut quhen Gegë e të jugës Toskë. Toskët ndahen në disa farësh, si: Çamër, Labër, Toskë fjesht etj; dhe Gegët me më shumë farësh, po më të mëdhatë janë: Mirditasit, Matjanët, Dukagjinasit, Klementët, Gjoshi, Shala, Kastrati.

Shqiptarët pa ardhur Tyrqit e të marrin vendin tënë qenë të tërë të Krishterë: Katolikë në veri, Ortodoksë në jugët. Pasdaj ca me hirë, ca me pahirë zunë e u bënë myslimanë dhe sot dy të tretat e Shqiptarëvet janë në Besët të Muhametit. Sado që Toskërinë e ka shkelur shumë Tyrku, Gegëria është fare otonomi dhe guverna vetëm një pagesë të prerë për njeri mer.

Bërësi: Lumo Skëndo


Gazeta "Dita"



Vështrim i Shqipërisë së 120 viteve më parë

Zylyftar Hoxha

Në numrin e djeshëm të gazetës “Dita” u botua ajo pjesë që bënte fjalë për gjeografinë e Shqipërisë të mbi 100 viteve më parë, një rrëfim interesant i Mit’hat Frashërit në vëllimin e dytë të “Kalendarit Kombiar” të vitit 1878, të botuesit rilindës Kristo Luarasi; ndërsa në numrin e sotëm po botojmë vazhdimin e këtij rrëfimi, që bën fjalë për historinë e Shqipërisë, veçanërisht historinë e lashtë.

Me një stil të njohur elegant të shkruari, me një gjuhë të thjeshtë dhe të bukur shqipe, pa përdorur asnjë fjalë të huaj (sidomos turke), mjeshtëri i rrëfimit, Mit’hat Frashëri jep etapat dhe periudhat më të rëndësishme historike që ka kaluar vendi ynë, duke u ndalur sidomos te ajo e gjenezës, prejardhjes së shqiptarëve nga Pellazgët dhe më vonë nga Yllirenjtë, tezë që po i mëshohet shumë sot dhe që, falë fakteve dhe provave të reja, mund të sjellë përmbysje dhe një revolucion të vërtetë jo vetëm në historinë shqiptare, por edhe atë botërore.

Në një kapitull të veçantë të materialit që po publikojmë përfshihen qytetet shqiptare me gjendjen aktuale të tyre të asaj kohe, numrin e popullsisë, veprimtaritë ekonomike dhe tregtare, pa harruar historinë e krijimit të tyre.

Duke e lexuar përshkrimin në fjalë, një lexues i vëmendshëm gjen fakte dhe ngjarje të panjohura më parë ose dhe interpretime dhe këndvështrime ndryshe nga ato që ka mësuar nga librat e shkollës, ndërsa studiuesit gjejnë teza të reja për thellime në studimet e tyre.


(Vijon nga numri i kaluar)

Istorin’ e Shqipërisë e dimë vetëm nga të shkruarat e të huajvet: Të Grekërve të vjetër në Romanëvet etj; se nonjë shqiptar gjer më sot s’ka dhënë të shkruanjë ngjarjet që ka parë me sy apo që ka dëgjuarë.

Nga të thënat e të vjetërve, kuptohet që shqiptarëve u thoshin Pellazgë.

Në kohë të Hrodotit dhe të Strabonit (njëri 400 vjet para Krishtit i dyjti në kohë të Krishtit), nga mënga e Nartës e nga Volosi e lartë, s’kishte Grekër dhe njerëzit e këtyre vendeve quheshin Pellazgë, të cilët ndaheshin në trish: në Ilirinj, ata që ishin në Dalmaci e lartë, Thrasë, afër Detit të Zi dhe Frygas ata që ishin në perëndim të Azisë së Vogël. Pas të thënët të vjetërve të tërë ata njers ishin një racë se kishin një gjuhë, një palë zakone etj.

Pra shqiptarët njëzet shekllë më parë kishin mbushur tërë sinisinë e Ballkanevet, veç Greqisë dhe perëndimin e Azisë së Vogël, dmth, rreth Troadhës që ish qytet i Pellazgëvet.

Pëllazgët kur e nga ç’vend kanë ardhurë në lindje t’ Evropësë? Si dhe gjithë kombet evropiane, Qelterit, Zermenët, Llatinët, Sllavët etj., Pellazgët kanë ardhurë nga anët e Hindit dhe janë më të parët që erdhën në Evropë. Pandehet se ka më tepër se 6 000 vjetqë kemi ardhur në Evropë. Pandehet se Pellazgët kur erdhë në Evropë mbuluan dhe Greqinë e verin e Italisë. Më pastaj kur erdhë Elinët në Greqi Pellazgët u hoqnë mbi mëngët të Nartës dhe kurdoherë Grekët s’ksnë patur këtë kufi. Ata t’Italisë si erdhë Latinët u mblodhë në vendin që i thonë sot Toskanë (kjo fjalë ka të bëjë me Toskë).

Si kuptohet nga të shkruarat e të vjetërve, Pellazgët rronin me mbretëria të vogla a më mirë me pleqësi.

Treqind vjet para Krishtit, Filipi, mbreti i Maqedonisë (që kishte kryeqytet Pelën afër Jeniksesë që është sot) zu të madhojë mbretërinë e tij dhe bëri luftë me Greqinë e e mori. I biri, Aleksandri i madh, me një grup ushtarë fitoi të tërë sinisin’ e Ballkanevet dëboi dhe Goloanjtë na Iliria, ku kishin ardhur më 640 para Krishtit dhe u hodh në Asi, mundi Persët, vate gjer në Hind; mor dhe Egjyptën dhe bëri një mbretëri fort të madhe, të cilën pas vdekjes së tij e ndanë të parët e ushtrisë, të cilët ishin si dhe vetë ai, Pellazgë: Ptolemenjtë në Egjyptë, Selefqinjtë në Azit etj.

Dyqint’ e tetëdhjetë vjet para Krishtit Piroja, mbret i Epirit (Janinës), me ca Shqiptarë kapton Adriatiknë e u bje Romanëve, të cilët i mund dy herë, pastaj hidhet në Siqeli ku prapë është mundës. Në këto luftra i ishte paksuar fort shumë ushtria dhe në të kthyer, në luftën e Bene ventos Romanët e mundnë. Kur erdh’ në Shqipëri iu derdh Greqisë; vdiq në qytet të Argos (në Peleponez) nga një gur që i hodhi mi kokë një plakë, nga streha më 272 para Krishtit. Në kohën e Piros Epiri ishte shumë i qytetëruar dhe i lulzuarë.

Në Iliri Agroni madhoj mbretërinë gjer në Epir, por pas vdekjes së tij, e shoqja Zuta bëri luftë me Romanët dhe u munt; Romanët morë jugnë e Ilirisë dhe këto vende zunë të paguajnë një pagesë. Këta Ilirinj u ngrinë shumë herë dhe për pak kohë i dëbonin Romanët.

Filipi i Tretë, mbret i Maqedonisë kish zënë e madhohesh dhe mori Greqinë; më anë tjatë i ndihu edhe Anibalit që ish në luftëra me Romanët të cilët mi këtë dërguan kryeushtarë Flaminon në Shqipëri; me një luftë të madhe që u bë buzë Vjosës, afër tek është Tepelena sot, Filipi u munt, më 197. I biri i Filipit Perseja bëri fjalë me Genc të ngrihen kundër Romnëvet. Më 168 Romanët dërguan Pol Emile në Maqedoni kundër Persesë. Mbreti shqiptar të parë herë nga shumë luftëra, i theu shumë Romanët, po më në fund u munt dhe Pol Emili prishi 70 qytete në Epir dhe në Maqedoni si dhe njëqind e pesëdhjetë mijë shpirt i shpuri në Itali. Në këtë kohë erdhë vllehtë në Shqipëri nga Italia.

M’anë tjatër Gencoja si s’mori ndihmë nga Perseja, në një luftë me Aniçiunë u munt (168). Qencoja kishte kryeqytet Shkodrën.

Mos pandehet se me të mundur Perseja dhe Gecoja, Romanët e shkelë Shqipërinë. Jo; Romanët që kishin mundur tërë botën, Shqipërinë nuk e shkelë dot lehtë, veçse Perseja u munt pas shumë luftëra e si mundi disa herë armiqtë, po me gjithë këta Romanët vetëm qytetet anë detit muarën dot; vendi brenda kish lirinë dhe parësin’ e saj e s’e njih fare të huajnë.

Më 395 pas Krishtit, kur u nda Mbretëria e Romës më dysh, Shqipëria i ra Lindjes d.m.th mbretërisë që rrij në Bizant (Konstandinopojë). Në shëkull të pestë, Gotërit (racë Zerman) erdhë nga veriu si një breshërimë në urdhërit të Alarikut e zënë mi Iliri e mi Epirt; po ca më pastaj, më 535 Justiniani, mbret i Bizantit, i dëboi nga sinisi e Ballkanevet.

Thamë se në kohë të Krishtit Shqiptarët përhapeshin në tërë sinisinë e Ballkanevet gjer në Tune. Në shekllët të shtatë, një racë mongoli e quajtur Avar, kaptoi Tunën dhe iu hodh Ilirisë. Më 640, mbreti i Bizantit, Irakliu u dha leje Sërbëve të vinë këtej Tunës e të qëndrojnë kundër Avarëvet. Po Sërbët pastaj zunë të luftojnë kundër Bizantinjve dhe sa vinin e madhoheshin, kaq sa në kohë të Dushanit më 1350 kishin marrë të tëra vendet dhe Greqinë. Shqiptarët duke ardhur Gotët, Avarët dhe Sërbët, përzjeheshin me këta kombe a hiqeshin në malet e Shqipërisë, atje ku janë edhe sot, kështu sa vinte e zvogëlohesh vendi. Kur mbulonin tërë sinisin’ e Ballkanevet, Shqiptarët ishin të përhapur fort të rrallë në këto vende.

Në shekllet të nëntë erdhë Bullgarët, racë mongoli që ka mësuar gjuhën e Sllavëvet. Bullgarët zunë Bullgarinë, Thraqinë, dhe Lindjene Maqedonisë. Bullgarët zgjeruan mbretërinë e tyre dhe muarë pothuaj tërë Shqipërinë, dhe kryeqytet kishin Ohrinë, po për pak kohë se në shekllët të njëmbëdhjetë mbretëria e tyre u zvogëlua shumë dhe u shua.

Më 1060 Robert Giskardi, duk norman u hodh nga Italia në Shqipëri, mori Butrinton, Durrësin dhe vate gjer në Ohri, po s’ndenji gjëkundi. Pas Robertit, i biri i tij Boemondi shkoi si breshër mbi Butrinton, Vlorën dhe Janinën, po edhe ky s’qëndroi fare gjëkunt.

Gotë, Avarë, Serbë, Bullgarë dhe Normanë shkonin si breshër në Shqipëri, po ndonjërit Shqiptari si unji kokën. Dhe sado që kemi patur fajin e turpshëm që jemi gjithën të ndarë mes tënë, kemi bërë shumë luftëra të gjakta me armiqtë, dhe në funt kur jemi mundur zgjedhë nuk na kanë vënë dot kurrë. Veç në disa qytete, në Shqipëritë, Shqiptari ka mbretëruar. Kjo shkoi derisa e ardhë Tyrqit nga Azia në Evropë. Tyrqit si lum i buçitur, kudo që shkonin ishin mundës, veç Shqiptarët u kanë qëndruar trimërisht kundër, si një shkëmb kundre valës.

Më 1420 Sulltan Murati i dyjtë bëri shumë luftëra në Greqit, Shqipërit e në Sërbit. Në Shqipëritë në mes të mbretërve të vegjël që mundi, gjeti edhe Gjon Kastriotin, mbret i Krojës, të cilit i mori të tre djemtë penk në 1423: në mes të këtyre djemve ishte Gorg Kastrioti, trimi që nën emrin Skënderbeg do të çuditte të tërë botën me trimërinë dhe vleftën e tij.

Skëndërbeu ka lindur në Krojë më 1404, si thonë ca, dhe 1414, pas të thënës të disa histori shkronjësvet; pra kur e mori Murati penk ishte 9 a 19 vjeç. Murati e dojte shumë se ishte trim dhe e quajti Skëndër (Aleksandr) që t’i ngjajë Aleksandrit të madh.

Pas vdekjes të t’et, Skënderi më 1443 iku tinazi nga Murati (i cili doj të mer Shqipërinë, pas këtë i kish helmuar dhe vëllezërit e Skëndërit), dhe zuri Krojën. Q’atë çast thirri gjithë mbretërit e vegjël të Shqipërisë, dhe u lidhnë të tërë, mbase për të parën herë që kur është Shqipëria, për të qëndruar kundër Tyrqet. Skënderbeu luftoi tridhjetë e tre vjet me Tyrqit dhe në 40 luftëra që bëri ish gjithnjë mundës, sado që veç pallës, kishte me vete 15 000 njerëz, e Tyrqit vinin me 200 000. Murati vate edhe një herë vetë në Shqipëri me një ushtri të madhe, po u munt. Ë pastaj si vdiq Murati vate Mehmeti i dyjtë, ay që mori Stambollë, dy herë kundër Skënderbeut dhe të dy herët u munt në luftëra të gjakta. Nuk numërojmë kryeushtarët Ballaban, Ali, Firuz, Sinan, Josuf, Hysen që vanë në Shqipëri e u muntnë.

Skënderbegut Papa Evienio i katërt kish ndërmend t’i dërgonte ndihmës, po si vdiq papa njeri s’i vate ndonjë ndihmës, pra Shqipëria sado që luftonte vetëm kundër Tyrqvet, asnjë herë s’u munt. Dhe kjo tregon fort bukur që, kur ka bashkim, ç’është i zoti të bëjë vendi ynë!

Skënderbegu vdiq mq 1467 në Lesh! Pas Skënderbegut s’e mbajtën bashkimin në mes tyre dhe ca nga ca Tyrqit muarë të tërë Shqipërinë. Tyrqit s’e shkelë vendin tënë, dhe Pashët ishin vendës e bëheshin bir për atë. Megjithëkëtë shqiptarët u përndërkryenë shumë herë kundër Tyrqvet: Mahmut Pasha në Shkodrtë më 1796; Ali Pasha në Janinë që u vra më 1822, më pastaj Zyliftar Poda, Hodo Aliu, Gjoleka etj. kundër Tanzimaatit, që dojë të bëjë sulltan Mahmuti dhe tani afër lig’ e Prizerendit më 1879, e cila ligë zuri të qeverisnjë edhe vendin vetë; kjo ligë ishte bërë për të ndrequr kundër dhënies vent nga Shqipëria fqinjëve, e për të kërkuar otonomin’ e Shqipërisë; ushtri e kësaj lige luftoi e edhe me Dervish Pashën që kish ardhur për t’i dhënë me pahir Ylqinë Malit të Zi. Këtë ndërkryerje nuk e goditnë se s’ish bashkimi në mest.

Pas Tanzimatit guverna e shkeli fare Toskërinë dhe fushat e Gegërisë po gegëria mbeti fare e pa shkelur.

Gërmadha

Në Shqipëri e më tepër në anët të jugës ka një tok gërmadha qytetesh, të mbetura nga kohërate para.

Pa thënë për qytetet të themi për emrat e vendevet pas të parëve: Grekërit Janinës gjer në Vjosë i thoshin Epir. Epiri ndahesh me disa copë: 1, Molosi, afër Janinës; 2, Kassope, afër Sulit dhe Prevezës (Çamëri); 3, Thesproti, anës së detit që është kundre Korfuzit; 4, Kaoni, Qimares; Amanti rreth Vlorës.

Kryeqytet i Molosisë, në kohë të Piros e më pasdaja, ka qenë Pasaroja, që kujtohet se ka qenë te gërmadhat e mëdha nja katër orë në perëndim-jugët të Janinës, afër një fshati që i Thonë Dhramëzi. Në këto gërmadha gjendet edhe sot një thjatro fort e madhe dhe e ruajtur shumë bukurë; një fortesë, një sërë mure të tërë të Pellazgëvet, d.m.th. të bërë me gurë të mëdhenj dhe pa gëlqere në mest. Pasaron e rrëzoi Pol Emili.

Nja pesë orë në perëndim të Janinës afër fshatit Paliur gjenden gërmadhat e qytetit, rrëzuar prej Pol Emilit, Orior mi Thiamen (Kalama).

E thamë më lartë që gërmadhat e Oraklit të Dodonës duken afër Barkmadhit. Afër Prevezës duken gërmadhat e Nikopojës. Nikopojën e bëri Avgusti mbreti i Romës për të mbajtur mend që mundi Antoanë, 31 vjet para Krishtit. Nikopojëne rrëzuan Bullgarët.

Në jug të Malit Zalo nga duken gërmadhat e qytetit që i thoshin Kasope e ka qenë kryeqyteti i Kasopesë e i Thesprotisë; dhe këtë qytet të Pellazgëve teka rrëzuar Pol Emili.

Anë lumit të Zi (Akeron) afër Kostricës janë gërmadhat e një qyteti q’ i thoshin Pandosi: dhe afër Lëkurësit (pranë Aqeronit), gërmadhat e Bushetës: qytete të Pellazgëvet që i rrëzoi Pol Emili.

Në Thesproti të sipërme gjenden afër Konispolit ca gërmadha. Afër Vivarit dhe në anë të lumit Saroni (tek është m’ i afërt Korfuzi nga Shqipëria) duken gërmadhat e mëdha të Butrintos (qëmoti Buthrothos), qytet i vjetrë, në gërmadha duken mure të’ Pellazgëvet dhe ca të bërë në kohë të Romanëvet e të Venecianëvet.

Filat’ i sotmë është mi vendit që qe Troadh e re; Troadhën e bërë Shqiptarët si u prish Troadha e Frygjisë. Kryeqytet i Haonisë ish Feniqeja, në jug të Delvinës; Feniqeja ish qytet i madh dhe i bukurë i Haonisë dhe Haonët mbulonin më të tepërtën e Epirit. Sot në gërmadhat çquhet një thjatro, korita të gurta për ujë, një fortesë etj.

Afër qytetit Qimarë që është sot janë gërmadhat e Qinmarës së vjetrë, qyet i Pellazgëve si e tregojnë gurët e mëdhenj e pa gëlqere.

Gërmadhat e Pojanit afër Fjerit (tek derdhet Vjosa), ky qytet quhet Apolonia, qe i Grekërve si dhe Durrësi; Grekërit kishin tre qytete në Shqipëri: Nartën (që i thoshin Ambraqi), Durrësin (që i thoshin Epidmnos) dhe Apoloninë. Këta tre qytete ishin kollonitë e Gregërvet në shqipëri sikundër ishin dhe në Itali e gjer në Marilje e në Spanjë.

Apolonia në kohë të Romanëvet ishte e zbukuruar dhe tregtore: Oktavi (Avgusti) atje po mbaronte mësimet pa vajtur në Romë. Apolonia ishte edhe një nga të dy kryet e udhës që kishin bërë Romnët dhe e qyuanin Via Egnatia: kjo rrugë niste në Apoloni dhe në Diraqum (Durrës), shkonte nga Albanopolis (Elbasani), nga Kihnida (Ohrija) e vinte në Selanik. Vija Egnatia ka qenë aq’ e shëndoshë sa dhe sa dhe sot gjenden gjurmët e saj. Apolonia s’dihet kur është prishurë.

Afër Kudhësit (në lindje-jugët të Vlorës) duken gërmadha të Pellazgëvet. Afër Korçës duke gërmadhat e qytetit të vjetër Devoll: ky qytet është bërë me mure sipas zakonit të Pellazgëvet.

Të sosim dyke zënë ngoje dhe gërmadhat që duken afër Guranxit (në jugët të Libohovës) dhe gërmadhate Lopësit në veri të Tepelenës. Mos harrojmë edhe këtë, që urë e Tepelenës është e mbetur që nga koha e Romanëvet.

Qytetet shqiptare dhe historia e tyre

Qyteti që ka më tepër njerës në Shqipëri është Manastiri me 45 000 njerës dhe 660 metra mi dett. Në kohët e para në vent të Manastirit (Bulgarët e quajnë Bitola) ish Traklea e kdhisur 800 para Krishtit.

Prizerendi me 38 000 njerës, këtu punohet mirë hekuri, filli i argjendit e i floririt; ky qytet është i vetmi në Shqipërit, që të ketë mjeshtëri të punës: atje punohen bukur dhe lëkurët.

Janina 33 000 njerës që e ka bërë Shen Jani (Gjoni) në të pestë shekull pas Krishtit: në këtë qytet të bukur afër kënetit punohen bukur rrobat e arta të Shqiptarëve dhe lekurët. Këneti i Janinës është rrëzë Mishqelit, të cilit në kohën e Irodotit e të Strabonit i thoshin Tomarys (mos e përzjeni me Tomorrin). Në maline Tomarys ish qytet’ i oral (faltore ku pyeteshin Perëndit dhe kuptohesh ç’do të bëhet dhe ç’vullnete kanë Perënditë) i Dodonës. Disa nga të diturit pandehin se qyteti i Dodonës ka qenë ku është sot Janina dhe orali afër fshatit Barkmadh. Orakl’ i Dodonës është në një vend ku janë Pellazgët, thotë Irodoti. Dodonën e përzunë Gotërit.

Ysqypi 28 000 njerës mi Vardart; afër ka moçalin (valto).

Elbasani 20 000 njerës mbi Shkumbinë, ky qyete më parë quhësh Albanopolis.

Dibra 19 000 njerës.

Shkodra 36 000 njerës, mi lumn’ e vogël Qiri, afër kënetit. Shkodra s’dihet kur është bërë; 168 para Krishtit ish qytet i Gencos; si erdhë Sërbët Shkodar u bë kryeqytet i këtij kombi, që e mbajtnë gjer më 1368. Më 1401 e muarë Venecianët, të cilëte humbnë më 1409, po e muarë prapë më 1444, më 1477 Tyrqit e muarë nga Venecianët.

Ipeku 18 000 njerës, qytet mesjetar ku punojnë si dhe në Prizered: Ipeku ka qenë qyteti që rrijë patriarku i Sërbëvet në kohërat të Dushanit 1350.

Jakova, Tirana dhe Perlepi nga 17 000 njerës.

Ohria 16 000, në veri-lindje të kënetit, vend fort i bukurë. Ky qytet quhesh Lihnid në kohë të Romanëvet; në shekll’ të nëntë ish kryeqytet i Bullgarëvet; është 570 metra mi det dhe mollët e saj janë me emër si dhe të Tetovës dhe të Prizerendit.

Gjinokastra 12 000 njerës, mi Drinon. Ky qytet është bërë prej Piros dhe quhësh Piro-kastro, d.m.th. fortesë e Piros, emër që e kanë bërë si është sot.

Ieni- Pazar, Tetovë (Kalkandelen) dhe Prestina 12 000 njerës; në Preshtinë bëjnë sapun myshqe shumë të mirë.

Berati, Kosturi nga 10 000 njerës, Korça 9 500 njerës; në Korçë u çel të parën herë, më 1885 e para mësonjëtore e gjuhës tënë.

Mecova me malet me erë të mirë me 8 500 njerës; në Mecovë bëhen velenxa dhe fanella të mira.

Preveza 8 000 njerës, ky qyet quhësh qëmoti Beremcia, se e ka bërë Piroja, 290 para Krishtit, në emër të së vjehrrës Berenica, e shoq; e Ptolemejt Lago n’ Egjypt. Venecianët e kanë mbajtur Prevezën nga 1499 deri më 1717, në këtë mot e muar Francezët, dhe më 1797 Ali pashë Tepelena ja u mori këtyreve pas një lufte.

Kroja 7 500 njers, ku lindi Skënderbeu më 1404.

Vlora 6 500 njers, qytet tregtor gjysmë orë larg detit, në kohë të Romanëvet ishte më e pasur dhe më e madhe se është sot; këtë qytet si dhe qytete të tjerë anë detit e kanë patur Venecianët gjer më 1690.

Parga e bukur plot qitro e ullinj me 2 900 njers, të cilën më 1401 e mbajtnë gjer më 1797; nër këtë mot shkoi në dorë të Francezvet dhe më 1800 u bë një republikë (Dhimokrati) e voglë; po më 1814 e muar Inglizët, të cilët ia shitën Ali Pashës 1818.

Durrësi 2 500 njers, qytet tregtar; ky qytet, ky qytet ka qenë i Grekerve të vjetrë, të cilët i quanin Epidamus: Korinthasit e kishin këtë qytet për tregëri dhe ish fort i stolisurë, kur e muarë Romanët është quajtur Diraqium: më 1082 Robert Dsiguardi me normanët etij e mori; më 1294 e muarë mbretërit e Napolit; më 1386 e muarë Venecianët që e mbajtnë deri më 1501; paskëtaj e muarë Tyrqit.

Leshi 3 700 njers. Mi Drint, dy orë larg detit” këtë qytet e ka bërë Denisi, tiran i Sirakuzës në Siqeli dhe e stolisi fort tepër. Si vdiq Denisi shkoi në dorë të Ilirinjve, pasandaj në të Romanëvet: më 1396 e muarë Venecianët dhe ish në duart’ e këtyre kur trimi i Shqipërisë vdiq atje më 1467; më 1506 e muarë Tyrqit.

Duamë të emërojmë dhe Ylqinë 10 000 njerës fjeshtë Shqipëtarë dhe anijetorë të keq: këtë qytet ia dha Tyrku Malit të Zi më 1880; Shqiptarët u mbyllën në fortesat dhe s’donin të jepëshin te Mali i Zi, dhe luftuan gjer në fund me ushtrin’ e Dervish pashës.

Berësi: Lumo Skëndo


Gazeta "Dita" 19 qershor 2018