Djemtë shqiptarë të karatesë fitojnë katër medalje në Maqedoni
Shpeshherë lajmet të tilla kalojnë pa u vënë re, por për sportistët dhe trajnerët të cilët punojnë me muaj për marrjen e një rezultati të kënaqshëm, sigurisht që do të thotë shumë. I tillë ka qenë edhe Kampionati Ndërkombëtar i Karatesë, zhvilluar fundjavën që lamë pas në Shkup të Maqedonisë.
Skuadra “Energjia” trajnuar nga mjeshtri i Karatesë, Erton Latollari ka arritur të rrëmbej katër medalje dhe të kthehet në shtëpi krenare dhe me trofe.
Për Latollarin ky është një lajm i mirë, që i jep motiv për të ecur përpara, për të vazhduar në mënyrë intensive me trajnimin e grupeve, ku si qëllim kryesor janë jo vetëm fitoret në kompeticione të ndryshme ku ata marrin pjesë, nderin që i bëjnë vendit duke e përfaqësuar në mënyrë dinjitoze, por edhe kënaqësia individuale.
Kështu, e diela që lamë pas, datë 11.11.2018 do të mbahet mend për trajnerin Latollari dhe skuadrën e tij. Mësojmë se në këtë kampionat morën pjesë 450 sportistë nga Maqedonia, Kosova, Bullgaria, Serbia, Shqipëria dhe Mali i zi.
Shqipëria u përfaqësua me 4 sportistë dhe trajnerin Erton Latollari. Në fund të Kampionatit Shqipëria fitoi 4 medalje; 1 Ari, 2 Argjendi dhe 1 Bronzi.
13 Nëntor 2018