Dhjetë epigrame të zgjedhura
Pa titull…
Asgjë s’ka ndryshuar që nga Zhan Valzhani,
vetëm pak a shumë pena dhe mellani,
po vodhe një bukë-ty burgu të pret,
po vodhe uzinën bëhesh deputet!…
Pa titull…
Nuk është kollaj të gjesh të vërtetën,
sikur t’i kushtosh edhe gjithë jetën,
e vërteta është më e fortë se shkëmbi,
mësoje Atë-sado të të dhëmbi!.
Pa titull….
Faqe e njomë dhe do të vyshket,
do thahet dhe buza që djek,
porse shpirti-shpirti kurrë s’ndryshket,
dëbora e kohës nuk e prek!.
Pa titull…
Ura s’mbahet kurrë me një këmbë,
madje tri kërkon një pirosti,
ndaj medoemos duhen dy njerëz,
për të mbajtur gjallë një dashuri!.
Pa titull…
Askush ndonjë shteg s’e hapi i vetëm,
hapur gjithë shtigjet dhe neve i gjetëm,
dhe në ato shtigje nga gjembat pastruar,
ndezëm nga një zjarr me dritë të pashuar!.
Pa titull…
Zemra nuk ka dyer e dritare,
nuk ka as antena-rrufepritës,
ndaj aty mund të futesh,
vetëm në formën e dritës!.
Pa titull…
Asnjëherë rregullin s’kam prishur,
një lajthitje nuk ma gjeni dot,
për një kupë gjysmë boshatisur,
nuk them gjysëm bosh-po gjysëm plot!.
Pa titull…
Zakonin biblik me sqimë e me vlerë,
kam bërë një jetë të tërë:
” Ato që më falin i gdhënd në mermer,
ato që fal vetë i shkruaj në rërë!.”
……
Ke shtëpinë me gjashtë oxhakë,
mburresh ti-o miku im,
pamë e pamë një jetë të tërë,
asnjëri nuk nxori tym!.
Pa titull…
Kur fanfarë jeta bën muzikën,
dihet që punon dhe ndonjë reng,
se nuk ka njeri nga gjithë ç’ikën,
që s’la mbrapa një plagë e një peng!
A.DUKA