Shko te përmbajtja

David Selenica, ikonografi që përdorte ngjyrat e çelura

Nga Wikibooks

David Selenica ose Selenicasi ishte një piktor shqiptar i fundshekullit të XVII dhe fillimshekullit të XVII. Ai konsiderohet si një nga figurat më të shquara të ikonografisë në Shqipërinë post-Bizantine.

Selenicasi, i njohur edhe si Davidi i Selenicës u lind në fundin e shekullit XVII në Selenicë, një fshat në Kolonjë. Ai vdiq në mesin e shekullit XVIII pranë Korçës.

Vepra

Në vitin 1715 ai pikturoi afresket në një nga kishat në manastirin Lavra e Madhe, manastiri i parë i ndërtuar në Malin e Athosit. Nga 1722 deri në viti 1726 David Selenica dhe dy ndjekësit e tij Kostandini dhe Kristoja pikturuan muralet dhe afresket në Kishën e Shën Kollit në Voskopojë. Në vitin 1727 ai pikturoi muralet dhe afresket e kishës Gjon Pagëzori në Kostur dhe kishës Shën Mërisë në Selanik.

Teknika

Në ndryshim nga piktorë të tjerë të periudhës së tij, Selenica përdor në pikturat dhe ikonat e tij ngjyra të çelura. Selenica kombinon elemente të artit bizantin të epokës së Paelologut dhe shkollës Veneciane të artit.

Trashëgimia

Vepra e David Selenicasit ndikoi edhe mbi piktorët e tij bashkëkohës si Kostandin Shpataraku, vëllezërit Kostandin dhe Athanas Zografi dhe në vepra të tjera të fillimshekullit të XIX. Ai konsiderohet si themeluesi i një shkolle të veçantë kombëtare të piktorëve me bazë në Korçë.

Punët e tij ekspozohen në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë në pavijonin e ikonave si dhe në Muzeun kombëtar të artit mesjetar në Korçë. Punime të tjera të David Selenicasit gjenden në disa manastire në Malin e Athosit. Në Voskopojë ruhen shtatë prej muraleve të tij.