Britani e Madhe, shqiptarët ngrenë flamurin kuqezi edhe në Londër

Nga Wikibooks

Festimet më të mëdha të shqiptarëve në Britani janë organizuar në Londër, ku edhe jeton pjesa dërrmuese e shqiptarëve, ndërkohë që rritet nga viti në vit numri i bashkive të kryeqytetit që ngrenë flamurin kombëtar me rastin e festave. Por, ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit Ambasada e Shqipërisë në Londër ka menduar si gjetje të re mosorganizimin e pritjes tradicionale për trupin diplomatik dhe komunitetin shqiptar, por pjesëmarrjen në “Javën Shqiptare në Britani”.

E veçanta e festimeve të sivjetshme me rastin e festave kombëtare në Londër ka qenë shtimi i bashkive ku është ngritur flamuri shqiptar me rastin e Pavarësisë, siç ndodhi në Barking, ku jeton një pjesë mjaft e madhe e komunitetit shqiptar, në Ëalthamstoë dhe së fundmi në Brent, në veri të kryeqytetit.

Një nga shoqatat më të mëdha të komunitetit “Shpresa Programme” dhe gazeta “The Albanian” e Londrës, në Bashkinë e Barking, ngritën flamurin kombëtar dhe promovuan vlerat më të mira të komunitetit shqiptar dhe biznesmenëve shqiptarë në Britani. Përmes një auditoriumi, të pranishmit dëgjuan historinë e suksesit të dy motrave binjake Zalli, nga Patosi i Shqipërisë, me arritje të spikatuara akademike, ku njëra është pedagoge në Univeristetin e Harvardit.

Petrit Kucana, drejtori i gazetës më të madhe shqiptare në Britani dhe portalit “The Albanian” thotë se “si gjithmonë, në tërë këto vite, fokusi ynë ka qenë dhe mbetet promovimi i vlerave më të arritura dhe të spikatura të komunitetit shqiptar në Britani, me të cilat krenohemi dhe që frymëzojnë çdo shqiptar të ndershëm që kërkon të integrohet me sukses në shoqërinë britanike”.

Më herët, shoqatat kryesore të komunitetit në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë dhe të Kosovës, organizuan “Javën Shqiptare në Britani”, ku u hap një ekspozitë dhe pati një koncert festiv. Koreografi i mirënjohur Tomor Kokona, i cili ishte koordinatori artistik i eventit tha për Top Channel se “ishte një event unik për faktin se për herë të parë u mblodhën gjithë organizatat e diasporës për të festuar së bashku, ku 100 artistë sollën një mozaik muzikor dhe vallesh për mbi 800 të pranishëm”.

Ndërkohë, ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit Ambasada e Shqipërisë në Londër ka menduar si gjetje të re mosorganizimin e pritjes tradicionale për trupin diplomatik dhe komunitetin shqiptar, por pjesëmarrjen në “Javën Shqiptare në Britani”.


29 nëntor 2018