Arti ushtarak i Gjergj Kastriotit –Skënderbeut

Nga Wikibooks

Nga: Dr. Marenglen Kasmi

Në kuadër të 550 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, po organizohen aktivitete të shumta shkencore dhe kulturore. Trajtimet historike në kumtesat e mbajtura gjatë sesioneve e konferencave shkencore të organizuara për këtë qëllim kanë qenë të shumta dhe me tematikë që rroknin shumë aspekte të jetës dhe veprës së Heroit Kombëtar. Ajo që bie në sy, është mos përfshirja në këto aktivitete e historianëve ushtarakë, ndërkohë që pjesa më e madhe e jetës dhe veprës së Skënderbeut dominohet nga lufta dhe zhvillimet e saj.

Për luftën dhe Artin Ushtarak të popullit shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut kanë shkruar dhe i kanë kushtuar studimet e tyre ndër vite shumë historianë ushtarakë dhe pedagogë në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm/ Akademinë e Mbrojtjes, si Dilaver Radshi, Kadri Cenolli, Shahin Leka, Filip Tushi, Proletar Hasani, Pajtim Ribaj dhe në mënyrë modeste edhe autori i këtij shkrimi.


Arti ushtarak shqiptar i aplikuar në mesjetën e vonë, e konkretisht në shekullin XV, përkon me luftën e popullit shqiptar kundër pushtimit osman dhe mund të quhet pa hezitim si një nga kulmet e artit ushtarak shqiptar, të drejtuar nga Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Lufta për mëse dy dekada e gjysmë e shqiptarëve ndaj invazionit osman u karakterizua nga një numër i madh betejash, në të cilat u shfaqën dhe përsosën më tej forma të ndryshme të artit ushtarak.

Nëse analizojmë me kujdes artin ushtarak të zbatuar nga ushtria arbërore nën drejtimin e Skënderbeut, vërejmë se ai ishte një njohës i mirë jo vetëm i traditës dhe artit të vjetër luftarak vendas, por po ashtu edhe një njohës i teknikave dhe artit të luftës europiane që prej periudhës së antikitetit. Përkrah përfundimeve që mund të nxjerrim sot gjatë vlerësimeve krahasuese, na vjen në ndihmë edhe vepra e Marin Barletit, i cili shkruan se Skënderbeu njihte mirë historinë e Pirros së Epirit dhe Hanibalit.

Para se të bëjmë një skicim të përgjithshëm të Artit Ushtarak shqiptar në periudhën e Skënderbeut, të shohim si e interpreton atë një studiues i huaj, Björn Opfer-Klinger, në një recensë të botuar në vitin 2011 në revistën gjermane “Zeitschrift für Balkanologie” [Revistë për Balkanologjinë]mbi studimine shumëdiskutuar të Shmitt-it për Skënderbeun: “Prej pyjeve të dendura të Shqipërisë së Mesme ai (Skënderbeu – M.K) udhëhoqi në krye të disa qindra burrave, të cilët në kohën e tij më të mirë nuk do të bëheshin më shumë se 2000-3000 luftëtarë, një luftë të ashpër guerile. Luftëtarët e tij e nxirrnin jetesën nga fushatat e hajdutërisë dhe robërit e luftës, për aq kohë sa ata paguanin haraçin për tu liruar. Ai (Skënderbeu – M.K) nuk ishte drejtues i një lëvizje çlirimtare shqiptare. Me shumë gjasa në radhët e tij luftonin edhe sllavë ortodoksë, grekë dhe vllahë dhe po ashtu, shumë bujarë shqiptarë preferuan të luftojnë përkrah sulltanit. (…)”

Do të përpiqemi që këtij qëndrimi, ti japim përgjigje në këtë artikull duke shprehur disa konsiderata për Artin Ushtarak shqiptar të kësaj periudhe, e sidomos duke e krahasuar atë me artin ushtarak perëndimor e lindor të kohës.

Është tashme e qartë që, një vend i vogël, siç ishte Shqipëria e asaj kohe, duhej të përballej me një kundërshtar më të madh në numër dhe të armatosur me teknikën pararojë të kohës. Masa e parë që u mor për përballimin e ushtrisë osmane kishte karakter politik dhe ushtarak. Kjo masë ishte pikërisht Kuvendi i Lezhës i Marsit 1444. Në këtë kuvend, bujarët shqiptarë nën drejtimin e Skënderbeut morën masa konkrete për përgatitjen e luftës mbrojtëse të vendit nga invazioni i pritshëm osman. Ndër vendimet kryesore të Lidhjes ishin formimi i ushtrisë së përbashkët shqiptare nën drejtimin e një kryekomandanti, Skënderbeut dhe krijimi i një arke të përbashkët të Lidhjes për të përballuar shpenzimet e luftës. Fillimisht ushtria e Lidhjes kishte karakterin e një ushtrie federale, meqenëse ajo përbëhej nga luftëtarë të mbledhur prej gjithë bujarëve shqiptarë, që dhanë besën në Lezhë për të luftuar kundër osmanëve. Por, Skënderbeu, duke qenë njohës i mirë i ushtrisë dhe artit ushtarak osman, e kishte të qartë që një ushtri e tillë, heterogjene në përbërje dhe përgatitje ushtarake, nuk mund të përballonte në atë gjendje sulmet e ushtrisë osmane. Kështu që, menjëherë pas Lidhjes së Lezhës, Skënderbeu mori masa për krijimin e një ushtrie me strukturë të qëndrueshme, kompakte dhe të unifikuar. Ajo përbëhej nga forcat e përhershme dhe ato plotësuese. Forcat e përhershme përfaqësoheshin nga Garda dhe Rojet e Kufirit. Garda kishte rreth 2000-3000 luftëtarë të zgjedhur, ndërsa Roja Kufitare kishte një forcë prej 3000-5000 burrash. Ashtu si në shtetet e tjera europiane, luftëtarët ishin me pagesë, mbi parimin e mercenarizmit, por gjithsesi e shfaqur jo në një formë të zgjeruar shumëkombëshe, siç hasej në këtë kohë rëndom në Europën Perëndimore dhe në Perandorinë Osmane. Forcat ndihmëse rekrutoheshin mbi bazën e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe vullnetarizmit, sipas parimit “një burrë për shtëpi”. Ushtria përbëhej nga këmbësoria, kalorësia dhe artileria.

Arma kryesore e ushtrisë shqiptare ishte kalorësia. Skënderbeu, në ndryshim nga mendimi ushtarak feudal europian, ku kalorësia e rëndë dhe e koracuar vlerësohej si elementi përcaktues i fitores në një betejë, ngriti një kalorësi të lehtë, të shpejte dhe tepër të manovrueshme. Oliver Jens Schmitt-i, duke cituar Papa Piu II, i cili ishte një nga skeptikët e suksesit të kalorësisë së lehtë në luftim, arrin në përfundimin se kryengritësit ishin inferiorë edhe në pajisje. Ky ishte një vlerësim i paargumentuar mjaftueshëm ushtarakisht. Përzgjedhja e një arme të tillë ishte një kusht i diktuar nga terreni malor i vendit dhe kushtet e kohës. Pikërisht këtu qëndron edhe gjenialiteti dhe gjetja e Skënderbeut, i cili doli jashtë skemave mesjetare të luftimit dhe ndërthuri në një të vetme përvojën, traditën dhe terrenin. Shumë shpejt ky organizim luftarak bindi edhe më skeptikët jashtë kufijve të Arbërisë për efektshmërinë e kësaj kalorësie, madje përdorimi i saj filloi të merrte formë më të zgjeruar. Në këtë kohë në artin ushtarak perëndimor – e kryesisht në vendet gjermanike–kishte filluar të mbizotëronte ideja e një mbrojtje dinamike, e cila e kërkonte fitoren në dërrmimin, lodhjen dhe asgjësimin pjesë-pjesë të kundërshtarit të kombinuar me kundërsulme të guximshme, duke njohur kështu përparësitë që ofronte kjo taktikë luftimi, në ndryshim nga luftimi sipas shablloneve të vjetra, të dominuar nga kalorësit e armatosur rëndë.

Arti Ushtarak shqiptar i kësaj periudhe bazohej mbi dy variante kryesore: Kur ushtria osmane ishte në numër të vogël dhe siguronte afërsisht një raport forcash 3-4 me 1, Skënderbeu e organizonte dhe kërkonte fitoren në rajonin kufitar, pa i lejuar kështu ushtritë osmane të shkelnin në thellësi të vendit, për ta kthyer atë në një vend plaçkitje dhe tokë djerrë. Këto beteja kryheshin sipas skemave të betejave të rregullta fushore tipike për artin ushtarak të kohës, të ndërthurura me elementë të strategjisë elastike dhe jostatike,që favorizoheshin nga terreni malor dhe i thyer, drejtimet e kufizuara për tu futur në thellësi të tokave shqiptare, morali i lartë dhe përgatitja ushtarake dhe fizike e luftëtarëve të Skënderbeut. Ky variant bazohej edhe në një taktikë tjetër luftimi, tepër novatore për kohën, atë të Fußvolk-ut zvicerian [popullit këmbësor]. Ngjashmëria në luftën e dy popujve qëndronte më së shumti në terrenin e ngjashëm malor dhe në numrin e vogël të luftëtarëve. Kjo tregon që Skënderbeu ishte ndjekës i vëmendshëm i zhvillimeve ushtarake perëndimore dhe kishte aftësinë që t’i përshtaste këto përvoja në luftën e tij.

Një element i rëndësishëm i artit ushtarak shqiptar në këtë periudhë është edhe zbulimi strategjik. Në mesjetën e vonë, bie në sy që komandantët e ushtrive kristiane në Europën Perëndimore e vlerësonin gabim rëndësinë e zbulimit strategjik, për të mos thënë që thuajse nuk e përdornin fare atë. Këtë gjë e vërteton fakti që, për ta, zhvillimet e taktikës së ushtrisë osmane, e sidomos përdorimi taktik i artilerisë, për shumë kohë nuk njiheshin prej tyre. Kështu që gjatë betejave ata përsërisnin gjithmonë të njëjtat gabime. Në ndryshim nga ata, Skënderbeu,si ish pjesëtar i kësaj ushtrie, jo vetëm që e njihte mirë ushtrinë osmane, përgatitjen dhe kapacitetet e saj, por po ashtu ndërtoi rrjetin e zbulimit strategjik. Edhe atëherë nuk ishte shumë më ndryshe se sot në ushtritë moderne, kur për përgatitjen e planit operacional dhe marrjen e vendimit së pari bëhet vlerësimi i situatës së kundërshtarit, i cili bazohet mbi të dhënat e zbulimit. Po ashtu, për një ushtri të vogël zbulimi ishte edhe një domosdoshmëri për zhvillimin e një elementi shumë të rëndësishëm që çonte në fitore, mashtrimin, ç’ka Skënderbeu e vlerësonte në mënyrë të veçantë.

Strategjia e osmanëve shpesh kishte karakter ofensiv, por taktika e përdorur në beteje ishte defensive!Pjesën thelbësore të ushtrisë e përbënin repartet e jeniçerëve, pra këmbësorisë tejet të disiplinuar dhe kalorësia e koracuar e formuar nga timariotët. Pjesa tjetër e ushtrisë përbëhej nga këmbësoria e lehtë dhe forcat e logjistikës apo prapavijës. Strategjia osmane synonte arritjen e fitores nëpërmjet një beteje të vetme e vendimtare, e cila duhej të kryhej sipas rregullave bazë të kohës, pra në terren fushor, me epërsi forcash dhe përdorimin e kalorësisë së koracuar. Me përjashtim të Skënderbeut u bënë pre e kësaj strategjie thuajse gjithë bujarët e krishterë ballkanas, siç ndodhi për shembull në kryqëzatën e Varnës e më pas me Janosh Huniadin më 1448. Ata mblodhën gjithë forcat e tyre ushtarake për kryerjen e një beteje përfundimtare dhe u mposhtën. Kështu që, Skënderbeut nuk i duhej që të gjente zgjidhje nga e keqja –siç mund të pretendohet sot – dhe të mos dilte në fushë të hapur, por i duhej që të zhvillonte një strategji dhe taktikë të përshtatshme që e çonte në fitore, çka ai e realizoi më së miri. Për këto suksese kemi informacion jo vetëm nga Barleti – meritat dhe dobësitë e veprës së tij tashmë janë të njohura – por edhe nga raportet e shumta të kohës, si ato venedikase, italiane por edhe osmane. Madje edhe historianët e sotëm revizionistë të Skënderbeut e pohojnë këtë gjë.

Taktikën e luftimit të Skënderbeut si një figurë plastike me gjithë ekspresionet karakteristike e përshkruan qartë Fallmerayer-i, i cili shkruan: “Skënderbeu me tetë mijë veteranë nuk i linte armikut fare qetësi, herë ish afër, herë larg, herë hidhej në shpinën e ushtrisë së armikut, kur e ku e pandehnin turqit më pak, u zaptonte atyre lëndë ushqimi e lufte dhe u hidhej veç e veç ushtrive para, tash i sulej armikut ditën, tash natën, herë vetëm, herë bashkë me të rrethuarit, vinte dhe zhdukej si vetëtima”.

Varianti i dytë i Artit Ushtarak të Skënderbeut bazohej në rastet kur forcat osmane mësynin me një numër të madh forcash, në fushata të përmasave perandorake dhe drejtoheshin nga vetë Sulltani. Shpeshherë abuzohet me numrin e forcave të këtyre ushtrive, duke tentuar të ulet numri i tyre. Por, ne dimë që nëse Sulltani e drejtonte vetë një ekspeditë ushtarake, atëherë ushtria quhej perandorake dhe kishte më së paku një numër prej 80.000-100.000 burrash e më shumë. Ekspedita të këtyre përmasave u bënë vetëm katër herë në vendin tonë, e përkatësisht në vitet 1450, 1457, 1466 dhe 1467.

Le të ndalemi shkurtimisht në një nga elementët bazë të luftimit, mbrojtjen. Sot dëgjojmë vlerësime se për Skënderbeun “lufta e kështjellave nuk ishte pika e tij e fortë”. Ky është një përfundim i gabuar, sepse përvoja luftarake tregoi që luftimi mbrojtës zinte një vend shumë të rëndësishëm në artin ushtarak shqiptar kundër ushtrive osmane në shekullin XV. Në ndryshim nga bashkëkohësit e tij, Skënderbeu zgjodhi një taktikë të veçantë mbrojtje – por jo të panjohur në artin ushtarak vendas – duke hequr dorë nga shabllonët dhe skemat mesjetare për mbrojtjen e kështjellave. Ai në ndryshim nga këto parime nuk i mbylli gjithë forcat e tij në kështjellë për të organizuar mbrojtjen, por në kështjellë mbylli forca të pakta këmbësore dhe forcat kryesore të ushtrisë me kalorësinë i përqendroi jashtë mureve të kështjellës. Raste tipike të kësaj taktike janë rrethimi i Parë dhe i Dytë i Krujës, përkatësisht në vitet 1450 dhe 1466. Siç theksova edhe në citatin e mësipërm, me forcat kryesore jashtë kalasë që i drejtonte vetë, Skënderbeu organizonte goditje të befasishme natën ndaj kampit armik, luftimin me grupe të vogla të koordinuara me kundërsulme nga brenda kështjellës, si edhe duke organizuar sulme të shpejta ndaj karvanëve të mëdhenj të furnizimit të ushtrisë osmane.

Nëse analizojmë artin luftarak, arrijmë në përfundimin se Skënderbeu vlerësonte drejt raportin ndërmjet elementëve kryesorë të luftimit, njeriut, armës dhe terrenit, duke i kombinuar me mjeshtëri dhe efikasitet ato me faktorët kohë dhe fortifikim. Ky art u mbështet gjithashtu në vullnetin dhe moralin e popullit shqiptar si edhe në traditën e tij luftarake. Po ashtu, një rol jo të vogël në këto zhvillime luanin edhe aftësitë e Skënderbeut, jo vetëm si personalitet ushtarak, strateg dhe komandant, por edhe si politikan dhe udhëheqës popullor. Njohja e mirë e artit ushtarak shqiptar,atij osman por edhe europian, i shërbente atij për të ndërtuar një strategji dhe taktikë të suksesshme në beteja. Kjo përvojë e fituar, e gërshetuar dhe përshtatur më së miri me terrenin malor shqiptar, fortifikimin e kështjellave, zbulimin, mashtrimindhe goditjet e shpejta rezultoi përcaktuese në mbrojtjen e vendit për gati një çerek shekulli nga pushtuesit osmanë.


Në këtë artikull tentuam të japim një tablo modeste të artit ushtarak të spikatur shqiptar në periudhën e Skënderbeut, duke bërë, për aq sa ishte e mundur, një analizë krahasuese dhe kritike, sidomos ndaj qëndrimeve diametralisht të kundërta, të shprehura kohët e fundit. Një burim të tillë e cituam qysh në fillim të artikullit. Ndoshta, një ndër vlerësimet më objektive për Skënderbeun, luftën e popullit shqiptar kundër pushtuesve osmanë dhe artin ushtarak shqiptar të shekullit XV e bën konsulli austriak në Janinë, Julius Pisko, në monografinë e tij kritike “Skënderbeu. Një studim historik”, të botuar në Vjenë në vitin 1894, ku ai, në hyrjen e veprës së tij shkruan: Gjergj Kastrioti Skënderbeu, heroi kombëtar shqiptar, është padyshim një nga figurat më të spikatura të Mesjetës. Duket e pabesueshme që një njeri i cili nën komandën e tij nuk kishte më tepër se disa mijëra ushtarë, edhe ata jo të ushtruar për luftë, të ketë mundur t‘i përballojë 24 vite me radhë duke triumfuar mbi ushtrinë osmane, dhjetë e njëzet herë më të madhe për nga numri. E gjithë Europa dridhej nga ecuria e fitoreve të pandalshme të Kalifëve Otomanë, ndërkohë që në një vend idilik të veçuar, thërrmoheshin të gjitha përpjekjet e kësaj perandorie nga vendosmëria e hekurt e një personi, i cili ishte në gjendje që me një vështrim ti kthente ushtarët e tij në heronj. Talenti strategjik i shkëlqyeshëm i Skënderbeut, gojëtaria entuziaste, e gjithë magjia që dilte nga personaliteti i tij, e vendosin atë denjësisht në anën e heronjve më të rëndësishëm të gjitha kohërave”.

  • Artikulli është pjesë e një kumtese shkencore të autorit, ku janë dhënë edhe referencat përkatëse shkencore.