Jump to content

3 e Gjonit - Kapitulli 1

Nga Wikibooks
Dhjata e Re
< 3 E GJONIT >
Kapitulli 1

1 Plaku, Gajit shumë të dashur, të cilin unë e dua në të vërtetë.

2 Shumë i dashur, unë dëshiroj të kesh mbarësi në çdo gjë dhe të gëzosh shëndet të mirë, ashtu si ka mbarësi shpirti yt.

3 Sepse u gëzova shumë kur erdhën disa vëllezër dhe dëshmuan për besnikërinë tënde ndaj së vërtetës, se si ecën ti në të vërtetën.

4 Nuk kam gëzim më të madh nga ky: të dëgjoj se bijtë e mi ecin në të vërtetën.

5 Shumë i dashur, ti vepron me besnikëri në të gjitha ato që bën për vëllezërit dhe të huajt.

6 Ata dëshmuan për dashurinë tënde përpara kishës; dhe ti të bësh mirë të gujdesësh për udhëtimin e tyre në mënyrë të denjë për Perëndinë,

7 sepse ata dolën për emrin e tij, pa marrë asgjë nga johebrenjtë.

8 Ne e kemi për detyrë, pra, t'i presim këta njerëz, që të jemi bashkëpunëtorë në çështjen e së vërtetës.

9 I shkrova kishës, por Diotrefi, që do të jetë i pari ndër ta, nuk na pret.

10 Prandaj, po të vij, do t'i kujtoj atij veprat që bën, duke folur fjalë të liga kundër nesh; dhe duke mos u mjaftuar me këto, ai vetë nuk i pret vëllezërit dhe i ndalon ata që duan t'i presin e i përjashton nga kisha.

11 Shumë i dashur, mos imito të keqen, por të mirën. Ai që bën të mirën është nga Perëndia, por ai që bën të keqen nuk e ka parë Perëndinë.

12 Për Demetrin të gjithë dëshmojnë, madje edhe vetë e vërteta; edhe ne dëshmojmë për të, dhe ti e di se dëshmia jonë është e vërtetë.

13 Kisha shumë për të të shkruar, por nuk dua të të shkruaj me bojë e penë;

14 por shpresoj të të shoh së shpejti dhe do të flasim gojarisht.

15 Paqja me ty. Të përshëndesin miqtë. Përshëndeti miqtë një për një.