Jump to content

38 vjet pas shuarjes, testamenti i Eqrem Çabejt

Nga Wikibooks

Prof. Emil Lafe

Më 13 gusht 1980, në një spital të Romës, mbylli sytë Eqrem Çabej, një nga lisat më të lartë të shkencës, arsimit dhe të kulturës shqiptare, anëtar themelues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Mësues i Popullit. Vdekja e parakohshme – sapo kishte mbushur 72 vjeç – i ndërpreu vijimin e veprës së tij të jetës “Studime etimologjike në fushë të shqipes” dhe të punëve të tjera që kishte nëpër duar. E. Çabej ka lënë një trashëgimi shkencore të pasur e të shumanshme me mbi 200 tituj veprash, artikujsh e tekstesh mësimore. Kontributin më të shënuar e ka dhënë në fushën e historisë së gjuhës shqipe dhe të marrëdhënieve të saj me gjuhët e tjera indoeuropiane e ballkanike. Duke iu mbajtur parimit se historia e një gjuhe është historia e popullit që e flet atë gjuhë, ai ka përfshirë gjerësisht në studimet e veta edhe kulturën materiale e shpirtërore të Shqiptarëve në shfaqjet më të larmishme të saj, kështu që në personalitetin e tij shkencor janë shkrirë në një gjuhëtari, etnologu e folkloristi dhe historiani.

Vepra shkencore e E. Çabejt, me gjithë gjerësinë e shumanshmërinë e saj, është e përqendruar në disa probleme themelore të historisë së gjuhës dhe të popullit shqiptar. Me njohjen e thellë të gjuhës shqipe dhe të dialekteve të saj, me forcën e analizës e të sintezës shkencore, me objektivitetin dhe logjikën e rreptë që përshkon veprën e tij, dhe me mprehtësinë e vëzhgimit e të arsyetimit që e karakterizonte, E. Çabej argumentoi një varg tezash themelore për burimin dhe origjinalitetin e gjuhës shqipe, për gjenezën e popullit shqiptar, për karakterin autokton të këtij populli në trojet e sotme të tij, për rolin aktiv e dinamik të Shqiptarëve në marrëdhëniet historike me popujt e tjerë, për njësinë e gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare, për pasurinë e fjalorit të shqipes dhe mundësitë e pashtershme zhvilluese të tij. Në të gjitha këto fusha ai solli kontribute vetjake origjinale me rëndësi të madhe kombëtare dhe për gjuhësinë indoeuropiane e ballkanike.

Çabej është i pari dijetar shqiptar që trajtoi në nivelin e shkencës bashkëkohore probleme të tilla të rëndësishme të albanologjisë, të cilat më parë kishin qenë fushë pune vetëm e albanologëve të huaj. Mendimi i tij edhe sot është autoriteti shkencor më i lartë në albanologji.

Vepra mjeshtërore e tij “Studime etimologjike në fushë të shqipes” prej shtatë vëllimesh përbën një sintezë të dijeve të thella e të gjera dhe të përvojës së gjatë që kishte fituar në gjurmimin e burimit të fjalës shqipe e të historisë së saj. Kjo vepër, që shënon një etapë të re në studimet historike për shqipen, përbën njëkohësisht një kontribut me vlerë të gjithanshme për studimin e historisë së gjuhëve të Ballkanit, për indoeuropianistikën dhe për teorinë e përgjithshme të etimologjisë. Autori nuk arriti të kryejë pasurimin dhe redaktimin përfundimtar të gjithë kësaj vepre të hapët. Vetëm vëllimi i dytë doli në gjallje të tij (1976) dhe ai arriti të përgatitë e të çojë në shtyp vetë edhe vëllimin e parë, që përmban hyrjen studimore. Vëllimet e tjera u përgatitën për botim me kujdesin e gjuhëtarëve Seit Mansaku e Anila Omari dhe të së bijës së tij, Brikena Çabej. Urojmë që Instituti “Eqrem Çabej” i themeluar kohët e fundit dhe Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, ku prof. E. Çabej punoi gjithë jetën, të ndërmarrin një botim të plotë akademik të veprës shkencore të tij.

TESTAMENTI I GJUHËTARIT TË MADH

Çabej u nda nga jeta para se të arrinte në atë moshë kur dijetarë të tjerë kanë përgjithësuar përvojën e jetës e të punës dhe kanë shkruar testamentin shkencor. Ne që e kemi njohur nga afër dhe jemi ushqyer nga vepra, nga këshillat dhe nga shembulli i jetës së tij, kemi brenda nesh edhe testamentin e tij shkencor e qytetar. Unë po marr guximin të shpreh disa pika të këtij testamenti të pashkruar.

Pika e parë është pa dyshim përgjegjësia që kemi ndaj Atdheut dhe Kombit. Eqrem Çabej i takon një brezi intelektualësh që u ul në bankat e shkollës kur Shqipëria sapo ishte bërë, me mundime të mëdha, dhe kishte mbijetuar përmes rreziqeve të shumta të Luftës së Parë Botërore. Brezit të E. Çabejt i ra detyra për ta mëkëmbur këtë Shqipëri, për ta vënë në udhën e zhvillimit e të europianizimit. Ky ishte një brez intelektualësh atdhetarë të frymëzuar nga idealet e Rilindjes Kombëtare dhe nga idetë përparimtare të kohës. Ashtu si dhe shokët e tij të shkollës e të jetës E. Çabej zgjodhi të mbetej qytetar i vendit të vet, i shërbeu shkollës shqipe nga Shkodra në Gjirokastër, dhe u rikthye në atdhe në një kohë kritike (gusht 1944), kur intelektualë të tjerë që nuk patën një shtyllë kurrizore si të tijën, merrnin rrugën e mërgimit.

Për Gjirokastrën kishte mall dhe dashuri të veçantë. Ndonëse në të vërtetë kishte lindur në Eskishehir të Turqisë, si vendlindje shënonte gjithnjë Gjirokastrën. Herë pas here kishte dëshirë të vinte në dukje qytetarinë e gjirokastritëve, seriozitetin, përmbajtjen, mirësjelljen, dinjitetin vetjak dhe familjar, ndjenjën e jetës shoqërore, dëshirën për të nxënë, aftësinë për t’i bërë ballë jetës.

Si është e mundur që këta intelektualë shqiptarë, të larguar nga vatrat familjare shumë herë në një moshë fare të njomë, që dinin më mirë gjuhët e shkollave të tyre sesa gjuhën e nënës, u kthyen përsëri për t’i shërbyer vendit të vet? Përgjigjen për këtë na e jep Fan Noli me atë që tregon për rastin e vet (1). Që në moshën më të njomë familja dhe shoqëria shqiptare i kishte mëkuar këta djem me dashurinë për vendin, me ndjenjën e krenarisë dhe të dinjitetit kombëtar. Këto tipare mbetën të përhershme në karakterin e tyre, sido që rrodhi jeta dhe u gërshetuan rrethanat. E. Çabej ishte një nga intelektualët e atij brezi që e mëkëmbën Shqipërinë dhe që përgatitën brezin tjetër, i cili e mbajti atë më këmbë. Shqipëria për atë nuk ishte vetëm shteti shqiptar, po gjithë hapësira ku i thonë bukës bukë dhe ujit ujë.

Eqrem Çabej ishte një dijetar që përvetësoi dhe zbatoi metodën moderne të kërkimit shkencor, ku analiza e gjithanshme dhe e kombinuar e fakteve dhe rrethanave historike, të brendshme e të jashtme, është parakusht për të ndërtuar hipoteza e teza rreth problemeve të shqyrtuara. Ai na thoshte se një tezë gjykohet si e vlefshme, kur i qëndron kritikës, d.m.th. kur argumentet mbi të cilat mbështetet kjo tezë janë më të forta, më bindëse sesa kritika që i bëhet asaj. Në këtë kuptim ai e ka quajtur të vlefshme e të qëndrueshme tezën e autoktonisë së Shqiptarëve në trojet e tyre të sotme dhe tezën e prejardhjes së shqipes nga ilirishtja. Dihet se në Ballkan, po edhe në vise të tjera, problemet e autoktonisë kanë qenë dhe mbeten të lidhura ngushtë me diskutimet territoriale ndërmjet shteteve. Ka mjaft shembuj kur studiuesit kanë ecur pas hullisë së politikës dhe janë përpjekur të provojnë me çdo kusht atë që u kanë diktuar interesat politikë të vendit të tyre. E. Çabej nuk shkau në këto pozita. Parimi i tij, që na e përsëriste shpesh dhe që po e rendit si një pikë tjetër të testamentit të tij, ka qenë: Në kërkimin shkencor të jemi objektivë, por jo indiferentë. Të jesh objektiv do të thotë të ndjekësh logjikën e fakteve dhe të dëshmive historike, t’i marrësh parasysh ato, t’i interpretosh me një metodë shkencore, të mos i shtrembërosh e të mos i lësh në harresë “për të provuar” diçka të paracaktuar. Të mos jesh indiferent do të thotë që, kur të tjerë përhapin teza e pikëpamje të paargumentuara, në kundërshtim me faktet dhe me të vërtetën (qoftë nga mungesa e metodës shkencore, qoftë me qëllime të caktuara), duhet të përgjigjesh për t’i vënë gjërat në vend.

Jo rrallë Shqiptarët janë paraqitur nga disa studiues të huaj si një popull barinjsh shtegtarë e luftëtarë, që mjeshtërinë e bujqësisë dhe dijen e morën prej të tjerësh. Duke shqyrtuar tërë fjalorin e gjuhës shqipe, ku pasqyrohet vetë jeta e historia e popullit, E. Çabej arrin në përfundimin se gjuha shqipe, si pasqyrë e jetës dhe e historisë së popullit, nuk është e pasur vetëm me fjalë të sferës baritore e të kulturës materiale, po edhe me fjalë të sferës abstrakte-mendimore. Dhe prej kësaj ai formulonte në mënyrën e tij të figurshme pohimin se Shqiptarët në histori të tyre kanë qenë një popull jo vetëm i kërrabës e i shpatës, po edhe i parmendës e i pendës. Nga analiza e gjithanshme e marrëdhënieve të shqipes me gjuhët fqinje dhe mbi bazën e dëshmive historike ai është shprehur se hapësira e sotme e shtrirjes së Shqiptarëve në Ballkan nuk është rezultat i një zgjerimi a i një shpërthimi demografik nga një trevë e ngushtë, po përkundrazi rezultat i një ngushtimi dhe se Shqiptarët dikur kanë luajtur një rol më të madh në këtë gadishull sesa në kohët më të reja.

Eqrem Çabej, si dijetar i brumosur me parimet e kërkimit shkencor, nuk u josh nga teoritë e mjegullta pellazgjike, as nga hipotezat romantike (që vijojnë edhe sot) për gjuhën shqipe si çelës të gjuhëve të lashta të Mesdheut (2). Ai gjithmonë ndërtonte mbi një truall të qëndrueshëm, prandaj vepra e tij do të jetë jetëgjatë. Në çështjen aq komplekse të autoktonisë, ai nuk shkonte përtej periudhës antike, d.m.th. rreth 3000 vjet më parë. Për periudha më të hershme shkenca tani për tani nuk është në gjendje të hedhë dritë të mjaftueshme. Ai i jepte rëndësi të dorës së parë metodës dhe parimeve të studimit. Pa këto nuk mund të ketë kërkim shkencor. Kjo është një pikë tjetër e testamentit të tij shkencor.

Rreth një vit para se të ndahej nga jeta, E. Çabej mbajti një fjalë në asamblenë e Akademisë së Shkencave (9 janar 1979), e cila u botua së pari te gazeta ”Mësuesi” dhe te numri i parë i revistës “Gjuha jonë” me titullin “Për pastërtinë e gjuhës”. Ky shkrim në njëfarë kuptimi mund të vështrohet edhe si një testament i tij, si një plotësim i një amaneti të Aleksandër Xhuvanit, me të cilin bashkëpunoi ngushtë shumë vjet dhe ruajti për të gjithmonë një nderim mallëngjyes. Për të dy këta dijetarë gjuha është pasqyra më e qartë e një kombësie dhe e kulturës së saj; shkalla e pasurisë dhe e pastërtisë së gjuhës është një tregues i nivelit të kësaj kulture. Prandaj ringjalljet kombëtare kudo e në çdo kohë kanë shkuar hap më hap me pasurimin e pastrimin e gjuhës. Një ndër detyrat kryesore të gjuhësisë shqiptare është dhe mbetet pasurimi i gjuhës me elemente të gurrave vetjake dhe spastrimi i saj prej masës së fjalëve të huaja, që kanë vërshuar së jashtmi dhe që po vazhdojnë edhe në ditët tona, duke depërtuar në shkrimet shkencore dhe letrare, në radio, në televizion, në bisedën e përditshme. Pastrimi i gjuhës nga ky mish i huaj është një detyrë shkencore, njëkohësisht edhe kombëtare, = shprehet E. Çabej. = Nuk është aspak një shenjë shovinizmi, Shqiptari nuk e ka traditë shovinizmin (3). Bashkë me porosinë për mbrojtjen e gjuhës, ky dijetar na kujton kështu edhe një tipar moral e qytetar të Shqiptarëve: mungesën e ndjenjave shoviniste. Kjo do të thotë që jo vetëm të qëndrojmë në këtë traditë të lavdërueshme tonën, po edhe të mos lejojmë që të na përflasin të meta që nuk i kemi. Pra, duke mos qenë shovinistë, të mos jemi indiferentë ndaj shfaqjeve të shovinizmit.

Duke u rikthyer te çështja e gjuhës, e quaj të nevojshme të përmend se me propozimin e Eqrem Çabejt në Asamblenë e Akademisë së Shkencave në shkurt 1979 Këshilli i Ministrave nxori pas dy muajsh një vendim të posaçëm për krijimin e Komisionit të përhershëm për organizimin e punës për pastrimin dhe pasurimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe. (4) E. Çabej propozoi të themelohej edhe një revistë me emrin “Gjuha jonë” ose “Gjuha shqipe”. Në të vërtetë dolën dy revista simotra: “Gjuha jonë” në Tiranë (1981) dhe “Gjuha shqipe” në Prishtinë (1982), por për fat të keq ai nuk arriti t’i shohë. (5)

Kujdesi për gjuhën është një pikë themelore jo vetëm në testamentin e E. Çabejt, po edhe në testamentet e shkruara e të pashkruara të gjithë atyre që hodhën në kartë fjalët e kësaj gjuhe të zjarrtë. Akademia e Shkencave dhe Instituti i Gjuhësisë e i Letërsisë janë përpjekur të rindërtojnë në kushtet e sotme atë veprimtari që shtjelloi komisioni i propozuar nga E. Çabej. Me kërkesën e gjuhëtarëve në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë te neni 59 përcaktohet se “shteti synon kujdesin e veçantë për gjuhën shqipe.” Por aktet nënligjore të nevojshme nuk kanë dalë ende!

Sigurisht masat organizative kanë rëndësinë e vet, por krahas tyre është e nevojshme bindja për rëndësinë dhe dobinë e punës, vështrimi drejt së ardhmes. “Shumë fjalë që do të vendoset të përdoren e të hyjnë në gjuhë, edhe neve në fillim do të na duken pakëz si çudi. Porse brezat që do të vijnë, do t’i përdorin vetvetiu. Në këtë punë me rëndësi kombëtare do të veprohet me guxim bashkuar me kompetencë shkencore, dhe, si u tha, me hapa të matur, me maturi në punë.” Kështu shkruante E. Çabej në artikullin e përmendur. (fq. 47)

Çabej e vlerësonte lart gjuhën popullore, duke e cilësuar si “rrënjën që ushqen në mënyrë të pareshtur gjuhën e shkrimit; ligjërimi popullor është i caktuar të jetë një gurrë e gjallë, ku përtërihet vazhdimisht gjuha e literaturës”. Rruga e parë për pasurimin e gjuhës shqipe është marrja e fjalëve të gjalla në ligjërimin popullor e nëpër dialekte dhe të shtënët e tyre në përdorim të përgjithshëm (6). Në këtë kuptim ai shprehet se gjuha e shkrimit nuk duhet të jetë dialektofobe (7), d.m.th. nuk duhet të ketë frikë se mos fjalët e të folmeve të ndryshme që do të merren për ta pasuruar a për të zëvendësuar fjalë të huaja, do të ndihen si mish i huaj në të. Vetë ai i dha gjuhës së shkrimit fjalën vjetar (vjetari statistikor), të formuar jo nga forma normative e sotme vit-i, po nga një formë e gegërishtes veriore vjetë – vjeta, po ashtu fjalën mjedis, që është një formë dialektore e emrit midis, dhe pikërisht për këtë dallim fonetik u mor si një fjalë e re e përshtatshme për të zëvendësuar huazimin ambient. Sot kjo është bërë një fjalë zyrtare deri te emërtimi Ministria e Mjedisit.

Çabej qe jo vetëm një dijetar i madh, po edhe një mësues i madh, një Mësues i vërtetë i Popullit. Te shumë nga studentët e tij koha tashmë i ka mjegulluar njohuritë për fonetikën historike e për historinë e gjuhës shqipe, por ata ruajnë të gjallë figurën e ndritur të profesorit dhe atë përmasë shpirtërore e intelektuale që ai përçonte te të tjerët në një mënyrë të vetvetishme.

Shënimet:

(1) Si ndodhi që Fan Noli, i cili bëri shtatë vjet në shkollën plotore greke dhe katër vjet në gjimnazin grek, mbeti një djalë fshatar shqiptar në kundërshtim me të gjithë arsimin grek? Ka shumë arsye pse Fan Noli doli prej atyre ujërave greke dhe i shkundi ato si rosa. Arsyeja e parë mund të gjendet në një anekdotë që tregohet për pedagogun e mirënjohur zviceran J. H. Pestaloci (1746-1827): Njëherë një nënë zvicerane e pyeti nëse do të kishte mundësi t’i jepte të birit të saj atë edukatë që predikonte ai. Pestaloci e pyeti nënën: “Sa i madh është djali?” Ajo u përgjigj: “Pesë vjeç.” Pestaloci tha: “Shumë vonë.” Ajo që deshi të thoshte ai, ishte se edhe në moshën pesëvjeçare fëmija ka marrë një edukatë në shtëpi, të cilën është vështirë t’ia ndryshosh. (Fan S. Noli, Autobiografia, Vepra 6. Tiranë, 1996, f. 247).

(2) Gjuhëtari austriak Gustav Meyer (1850–1900) e kishte ndarë përfundimisht gjuhën shqipe nga afria e supozuar prej disa dijetarëve me gjuhët klasike, veçanërisht me greqishten, që u shfrytëzua nga qarqe të caktuara edhe për të ushqyer pikëpamjen e një burimi të përbashkët të Shqiptarëve me Grekët e lashtë. Në parathënien e Fjalorit etimologjik (1890), me një mprehtësi të rrallë parashikuese, ai shkruan ndër të tjera: “Nuk besoj se Shqiptarët patriotë dhe Grekët nevojtarë aneksimesh, të cilëve dogma për një lashtësi të thellë të çdo fjale shqipe u duhet si mbështetje për teorinë e tyre pellazgjike ose për çfarëdo teori tjetër, do të ndiejnë ndonjë gëzim të madh … po të marrin ndonjëherë në dorë librin tim.” Me gjithë të metat objektive e subjektive të këtij fjalori (të vëna në dukje veçanërisht nga E. Çabej), gjuha shqipe aty paraqitet si një gjuhë indoeuropiane më vete, po pa ndonjë stërlashtësi që ta vendoste te rrënjët e ndonjë gjuhe tjetër të Mesdheut.

(3) “Gjuha jonë”, 1981, nr, 1, f. 37 (botuar së pari te gazeta “Mësuesi”, 28.3 dhe 4.4.1979).

(4) Vendim nr. 82, datë 7.4.1979 “Për organizimin e punës për pastrimin dhe pasurimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe”.

(5) Shqetësimet dhe problemet në përdorimin e gjuhës letrare janë sot edhe më të mëdha se më parë, por mjerisht revista “Gjuha jonë” e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Tiranës, e krijuar pikërisht për të trajtuar e përballuar këto probleme, u ndërpre në vitin 2009, sepse drejtuesit e Qendrës së Studimeve Albanologjike nuk ishin të interesuar për ruajtjen dhe ngritjen e kulturës gjuhësore, po për “politika të guximshme gjuhësore” , d.m.th. për ndryshimin gjuhës letrare që sanksionoi Kongresi i Drejtshkrimit me pretekstin se kjo kishte ndodhur në kohën e diktaturës.

(6) “Për pastërtinë e gjuhës”, “Gjuha jonë”, 1981, nr, 1, f. 38.

(7) Mbi disa çështje të traditës së shkrimit dhe të drejtshkrimit të shqipes. “Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe 20 – 25 nëntor 1972”, vëll. I, Tiranë, 1973, f. 256.


18 Maj 2018