Vitviteja/MIGJENI/Legjenda e misrit

Nga Wikibooks

Fragmente nga [1]

Legjenda e misrit

        Misër! Misër!
        Lajmi se do të shpërndahet misri doli nga zemra e dheut, rrodhi nëpër dejt e thella deri te gjymtyrët e mpita të dheut që quhet shtet. Dhe bani të dridhen nga gëzimi frymorët që s'kanë me çka ta mbajnë frymën.
        Si thneglat që mblidhen rreth një korës misri, q'ashtu në një qendër nënprefekture janë mbledhur malësorët rreth depos së misrit.
       ... Nëpër luginat e maleve përshkohet malësori vetëm me një këmishë e brekë legjendare mbi shtat, për me arritë në qendrën e nënprefekturës, për me marrë misër. Kraharori i tij asht një copë graniti që u shkëput nga mali dhe u vendos mbi dy kambë të drejta e të forta si landa e pyllit. Dhe lëvizet copa e malit pa bëzajtë. Përpara depos së misrit bjerr cilsin' karakteristike të vetën, dhe bahet frikacak, pse, - mendon ai - nj'ashtu e don ligji, nëpunësi; përndryshe s'ka misër. "Si urdhnon zotni" përsëritet sa e sa herë në mënyrë qesharake, me të marrun zani, me gjeste majmuni - vetëm e vetëm mos me zgjue mninë e engjujvet që ndaj--77.29.81.3 23 shkurt 2013 15:18 (UTC)në misër.
        Dhe kur e marrin misrin, nisen njeni mbas tjetrit gjatë udhës së malit të ngushtë dhe të jetës...
        Ushtojnë luginat e malevet nga fjalët e malësorvet t'unshëm, që varg, njeni mbas tjetrit, ecin të ngarkuem me ka një gjysmë thesi misër. Vargu i tyne asht i gjatë pa fund, si asht e gjatë e pa fund vuejtja e tyne. Mbi kurriz të vet barin ka një gjysmë thesi misër, barin jetën e vet, barin perëndin'. Perëndi e vërtetë-misër i dëshiruem.
        Ndodh që njërit i derdhen kokrrat e misrit nëpër birë të vogël të thesit, shoku nga mbrapa, pa i pa, i shkel; i treti shok as një as dy, - por ia hedh mallkimin e pamëshirëshëm: "Mos shkel, he të shitoftë zana!"
       Se shekulli i njëzetë asht shekulli i apoteozës së misrit ndër folet e shqipeve.

Nga [1]

Kangët e pakëndueme

        Thellë në veten time flejnë kangët e pakëndueme,
        të cilat flenë e presin nji ditë ma të lumnueme
        me shpërthye, m'u këndue pa frikë e pa zori.
        Thellë në veten time kangët e mia mbesin...
        e unë jam vullkani që fle i fashitun,
        por, ku t'i vijë dita, të gjitha ka me i qitun
        në nji mijë ngjyra të bukura që nuk vdesin.
        Por a do të vijë dita kangët me u zgjue?
        Apo ndoshta shekujt me ne prap' po tallen?
        Jo!Jo! Se liria filloi me lulëzue
        dhe e ndiej nga Dielli (alegorik) valën.
        O kangët që fleni, reliket e mia
        që ende s'keni prekun asnji zemër të huej,
        vetëm unë me ju po kënaqem si fëmija,
        unë-djepi i juej, ndoshta vorri i juej.


  1. 1,0 1,1 GJUHA SHQIPE PËR TË HUAJ DHE SHQIPTARËT JASHTË ATDHEUT fq.282 Autor: Gj. Shkurtaj dhe E. Hysa. Sh.B. TOENA, Tiranë 2001. ISBN 99927-1-454-9 Gabim referencash: Invalid <ref> tag; name "GJSH" defined multiple times with different content