Vitviteja/Komiteti i Stambollit/Letrat cërnagore të datës 6-18 maj 1881

Nga Wikibooks

Vini Re! Pjesa e më poshtme është marrë klotë:


Nga të dhënat e proveniencës policore malaziase shihet se Myderrizi i Madh - Haxhí
Ymer Efendi Prizreni, kaloi në Ulqinin e okupuar nga Mali i Zi më datën 6/18 maj 1881,
rreth orës 17.15, dhe u vendos në familjen e mikut të tij dhe të bashkëmendimtarit
politik, Myderriz Salih Efendi Hylja. Administratori i Malit të Zi në Ulqin, vojvoda Sima
Popoviq, po atë ditë, informoi Ministrinë e Punëve të Brendshme, vojvodën Masho
Verbica në Cetinjë, sa vijon: “Hoxha i Madh i Prizrenit, Haxhí Ymer Efendiu, ka ardhur
në Ulqin dhe është vendosur te Hoxha ynë i Madh, Salih Efendiu, i cili sot ka qenë së
bashku me të tek unë që të ma paraqet. Haxhí Ymer Efendiu ka ikur nga Prizreni, kur ka
ardhur atje Dervish Pasha. Ai më ka deklaruar se kërkon strehim në Mal të Zi, kurse
Salih Efendiu është për të (mbështetje - strehues) i mirë”.
Më tutje, administratori malazias i Ulqinit vinte në spikamë se: “Ndonëse mund të
mendohet se ai (Haxhí Ymer Efendiu) mund të ketë edhe qëllime të tjera, ai me siguri
këtu nuk do të mund të bënte asgjë, e të mos e dija menjëherë. Ai më tha se edhe disa
udhëheqës kryesor të Lidhjes së Prizrenit janë arratisur dhe se më kryesori Abdullah
Beu (Abdyl Frashëri) ndoshta do të vijë edhe vetë në Ulqin. Është kënaqësi të dëgjohet
edhe kjo se Lidhja, e cila e mbajti Ulqinin, tashti kërkon strehim në të “ - përfundonte
V.S. Popoviq.
Vojvoda Masho Verbica nga Cetinja, më 7/19 maj 1881, informonte Vojvodën Sima
Popoviq në Ulqin se “Ka ardhur këtu nga Prizreni popi Jovan Popoviq, prift prizrenas i
ndjekur prej Dervish Pashës. Ai është ndjekur për shkak se e ka ndihmuar (për arratisje)
Ymer Efendinë. Ai e njeh Ymer Efendinë dhe e lavdëron se është njeri i mirë dhe i
mençur, dhe se me të vërtetë nuk qëndron në kurrfarë marrëdhëniesh të fshehta me
Dervish Pashën. Sipas thënies të të përmendurit Popoviq, familja e Ymer Efendisë është
internuar nga Prizreni në Manastir, e ndoshta në Selanik.”
Nga përmbajtja e dy dokumenteve të sjella më sipër shihet qartë se Myderriz Haxhí
Ymer Efendi Prizreni prej datës 22 prill deri më 18 maj 1881 nuk kishte njohuri se
ç’kishte ndodhur me familjen e tij në Prizren. "Ymer Efendiu shkoi n’Ylqin, n’atë qytet të
cilin para disa mujve si kryetar i Qendrës pat dhënë urdhën me e mbrojtë me çdo
sakrificë. Pranoi nga zemërimi të rrojë nën sllavët se sa nën Turqit të cilët nuk e mbajtën
fjalën e i dulën të pabesë” - do të konstatojë Xhafer Belegu, më 1939, sepse Sulltani dhe
Porta ia mohuan premtimet për autonominë e Shqipërisë.