Poezi të Shpend Sallaku

Nga Wikibooks



Poezi të Shpend Sallaku
redaktor
Hipi Zhdripi
2007




POEZI NË SHQIP NGA SHSNOE SHPENDI SOLLAKU SHPEND SALLAKU NOÉ
                                          ***

Jo nuk është mungesa e dollarit që më shpartallon por ajo rithirrje e padjallëzisë fëmijrore prangat e baballarëve tanë të mposhtur imitimi në qoshe rrugësh prej bijëve të etërve fitues ato mirazhe të kota vdekur në udhëtim e sipër vrasës të meteoriteve të pafajshëm jo nuk janë kufijtë sherrëvënës nuk janë kufijtë e hapur dykanatësh përuljes të të plotfuqishmëve që më përplasin në këndin e harruar por zëri im i pafuqishëm për të gjetur veshin që dëgjon jo nuk janë TV-të sindication as gazi nervin që asfikson metropolitanën që më hidhërojnë shikimin por rrokullisja e vetvetes në hiçin e braktisjes së alleluia-s jo nuk janë kanosjet e akullnajës ekspansioni i shkretëtirës vdekja e ishujve oqeanikë të mbytur por miliarda vetmi që zvarriten përbri miliarda vetmish të tjera në muzgun ultra të ndritshëm të njeriut fillikat

                                          ***

Në parkun e populluar Jurassik një bankomat shet për pesë lekë prototipe kryeministrash playboy e killers fati yt mund të ndryshojë sipas përuljes së ikonës por jo makthi I padobishmërisë në parkun mizëri Jurassik mallkimi i pigmejve të shfarosur vazhdon të dënojë me shekuj ankthi kolosët e indiferencës mizore trupat e gjymtuar dëshpërimisht gjurmojnë skeletet e memorieve të përdala të verbëra shurdhmemece pa histori në bulevardin zhurmshëm Jurassik plagët antike të trotuareve vjellin gjak blu mishngrënës e dhimbshmërisht bëlbëzon mallkimi i shenjtave të tradhëtuar

                                          ***

Jam duke ju çuar në litar por ju mbeteni inertë jam duke ju vetëtuar por ju jeni të verbër unë ulërij ulërij ulërij por juve ju mungojnë veshët jam duke ju përvëluar dhe zjarri po ju arrin tek sytë por ju copa mermeri vazhdoni të survejoni meteorët e të kërkoni armikun në planetë të tjerë e deri sa flaka s'u ka plasur retinën si të luajtur vazhdoni t’i këndoni kiametit tuaj

                                          ***

Kam kërkuar Edenin dhe gjeta Skëterrën bo bo kam duartrokitur J.F.K. dhe më ështe ngërdheshur Neroni një strehë për të tjerët kërkova dhe humba shtëpinë time një botë për të gjithë ëndërrova dhe humba atdheun tim thuamëni ju lutem që nuk jam i çmendur që s'duhet të vazhdoj kërkimin e kotë se jo ofromëni një copë litar se jo ofromëni një qivur

                                          ***

Unë thërres Woytila e përgjigjet guru Asahara unë thërres Sebastianos e përgjigjet Zhirinovskij unë thërres De Gasperi e përgjigjet Musolini unë thërres Nënë Tereza e përgjigjet Barbarella unë thërres Buda e përgjigjet Muhameti unë bërtas e ulërij bërtas e ulërij në sforcimin mbinjerëzor për të deshifruar kodin e gabuar të botës

                                          ***

Nëse un them zbardh ti bërtet nxin nëse un them zog ti menjëherë dhelpër nëse un ëndërroj akullin ti menjëherë zjarrin unë shkruaj Hitler ti shpejt Stalin unë lexoj Duçe ti shpejt Pertini unë i gjelbër ti arape unë rrugë ti skutë unë gjumë ti kalvar unë Jesù e ti Pilato ç'të bësh ç'të bësh bota është kaq e vogël sa që s'mund të jetojmë dot veç e veç

                                          ***

E pashë Napolin pastaj nuk kërkova të vdisja shkova të gjerb një kafé sizmike në lagjet spanjolle

                                          ***

Është koha e rrafshimit të monumenteve tuaja dhe i ngritjes së tonëve të bëjmë të rindrisin prapë gratë tona e të ribëjmë të qajnë tuajat të prezuncionit të bijve tanë-ushtarë dhe të uljes në gjunjë të tuajve të smokingëve tanë të markës e të qivureve tuaja të kalbura dhe nuk dihet se për kë Zotat po përgatisin mermerin e nesërm bronxin e ardhshëm të këshilluar prej Mark Aurelit

                                          ***

Në natën groteske të Halloween-it qenë të gjithë të rishfaqurit e Ustica-s të bërët hi të Moby Prince-it të hedhurit në erë të Bologna-s kokëprerit e Algjerit e të Drenicës (mungesë për gratë dhe fëmijët e varrosur në Otranto sepse clandestinë) pas tyre klithnin në eufori dosjet gjyqsore prej të cilave mbijetojnë të mykurit vrasës me kurorë heronjsh të dyshimtë të vërtetat e mbuluara në fund të detit vikama e kotë e të të afërmve në ditën tragjike të Hallowween-it ajo e Premte duhej të rikthehej e Shenjtë të falurat e njollosura zinin ngushtë sakristitë dhe ankthin e Zotit të hutuar sërish prej plogështisë së krijesave të tij të mangëta në ditën tallëse të Halloween-it admiralët marrin pak veten të qetë që kryen detyrën ndaj shtetit vrasës duke u kredhur në kërkime dhuratash për kurtizanet që ripërtërisin peliçet pas portave të blinduara të papërshkueshme prej pëshpëritjeve të të vdekurve të kontestuar

                                          ***

Në gjysëmshtizë flamuri i planetit të brejtur prej minjsh e mizash dheu në letargji do të kalonte edhe Nënë Mahatma Tereza dhe s'ka më kush t'i mbyllë sytë e skleposur botës në grahmat San Pietro s'duhet të qahet më për kalime të tepërta në Parajsë por për të tjerët që s'mund t'u lejohet në gjysëmshtizë vetullat e varreve të paemër mërgoi administratorja e vdekjes për llogari të Zotit

                                          ***

Nëna ime ndihej frikshmërisht keq dhe e mësova prej një udhëtari 6 muaj më pas daja ishte transferuar në qiell dhe munda ta di një vit më vonë prej një shoferi porta e shtëpisë time ishte thyer kush më spiunonte tani është president dhe munda ta marr vesh dy vjet më pas prej një gazete të ricikluar atdheu im po shpërbëhej dhe m'u njoftua prej TV-së të të tjerëve haluçinacionet e mia ishin ç'helmuar të mbeturat të konxheluara por pasqyra ishte e thyer dhe shpirtkënaqur nuk mund të numëroja rrudhat

                                          ***

Shpatulla të kërrusura nga pesha e përçarjes së të vdekurve

                                          ***

Gjithë trupi im është dhimbja
e një errupsioni të pamundshëm.

I paaftë jam të qis jashtë atë të squllët e të errët meduzë
brenda lëvores time,
i pazotë jam të erruptoj atë masë të gurëzuar
që mbush kafkën.

Truri më kotë përpiqet të godasë membranën,
është gangrena që bllokon shtegun e shpëtimit.
Mendja pa dobi përpiqet të bëjë hapin e gaforres,
është kanseri që bllokon derën e tualetit.

E dashur, nuk jemi njohur kurrë më parë,
ishin larvat tona,
hibridë resh e mjegullash.

                                           ***

Eshtë ora të ikim Sokrat,
ne të kthejmë patkonjtë,
të tjerë të bëjnë sikur jetojnë,
por askujt si është e qartë
kush shkon drejt më të mirës.
Mbërriti tashmë perëndimi i Quasimodos
e shpejt do t'u hiqemi sysh skarafaxhove,
por në kërcimin e fundit në terr-
loti i penduar
që s'mundëm të përceptojmë
muzgun e Dahaut,
e i shumë gjërave të tjera kurrë të perjetuara,
e plot të tjerash kurrë të përfunduara,
i pendimeve kurrë të ardhura
e i krimeve kurrë të rrëfyera,
dhe dënesa e shurdhër
e një grushti të shtrenjtish
të mbijetuar nëpër tokë.

                                            ***

Të gjithë do të donim të ishim kusarë,
por,për dreq,jo të gjithë dimë të fshehim.
Të gjithë do të donim të ishim parlamentarë,
por,për dreq,jo të gjithë dimë të gënjejmë.
Të gjithë do të donim të ishim tregtarë,
por,për dreq, jo të gjithë dimë të buzëqeshim.
Të gjithë do të donim të ishim pak më të ndjeshëm,
por,për dreq, jo të gjithë jemi inteligjentë.

                                            ***

Kush shkon të rrëmojë frutat
e kësaj varreze gjenealogjike,
gjen një të mërzitshme,të pështjellët,të pamasë armatë gurësh o pllakash,
ku është një aventurë të qëmtosh emrat e të vdekurve,
por nuk stresohesh të deshifrosh dedikimet:
lindur i varfër,
vdekur leckaman.
Më fatlumët pirgje vënë në pah foton ngjyrë sepie,
të tjerët-gurë anonimë,pak ferrë,shumë baltë,
si pronë private vetëm mbiemri,
për t'u përsëritur kotësisht nga pjellat e ardhshme
si dedikim:
lindur pa trashëgimì,
vdekur injorant.
Mërmërin varreza:
E pamundur që gjithë kjo rracë
s'ka mundur të zotërojë çelësin e diturisë,
e çuditshme që , prej të gjithë meteorëve të të fatit,
as edhe pak thërrime mbi kokat e tyre,
por vetëm:
vdiq me vlerë zero
e nuk e dinte që kish lindur.
Kafkë mbi kafkë,eshtër mbi eshtër,-
fertilizues për gjembaçë o barëra bastardë ,
hiç xixëllonja,hiç mëllenja,zhdukur bretkët,
pak rrufè,shi fallso,bosh kujtesa e aromave,
por s'mongon e pamëshirshmja:
Nuk kishte lindur idiot,
vdiq i çmendur...

                                             ***

I ngatërruar zgjohem midis kodeve me vija verticale
e nuk kam kohë të admiroj yllin
e gozhduar mbi shtyllën elektrike,
qenin që pshurr lulishten publike,
borën vulgare të ndotur prej kripës.
Eshtë mëngjes e zgjohem prej gazit te marmitave,
ndër vorbulla gri të rotatoreve mistrece,
varmihës të kërrusur me lopata e brioche
e qivure në pasarelë.
Dhe shpejt është mbrëmje - qerpikë gjysëm të kopsitur
të një filmi që në të gdhirë nuk kujtoj.
Nata nuk egziston
nëmos ripërtypja e ditës të ngjizur nga tan e taeg
të pasurisë të prodhuar për të tjerët.
Dhe është prapë mëngjes:
hidhem prej çarçafit me fatura e boleta
për të vërshyer drejt shtegut ekskluziv
që imponon freri i bankave.

                                              ***

Je përsëritmërisht i mprehtë
për të thërrmuar shumë kuaj troje,
por asnjëherë s’ke ditur
kush ishte Odiseu.