- Në mes tuaj kam qëndruar
- E jam duke përvëluar,
- Që t'ju jap pakëz dritë,
- Natën t'jua bëj ditë.
- Do të tretem, të kullohem,
- Të digjem, të përvëlohem,
- Që t'ju ndrit mirë e të shihni,
- Njëri-tjetrin të njihni.
- Për ju do të rri të tretem,
- Asnjë çikë të mos mbetem,
- Të digjem e të qaj me lot,
- Se dëshirën s'e duroj dot.
- Unë zjarrit nuk i druhem
- Dhe kurrë s'dua të shuhem,
- Po të digjem me dëshirë,
- Sa të mund të ndrit më mirë.
- Kur më shihni që jam tretur,
- Mos pandehni se kam vdekur.
- Jam i gjallë e jam në jetë,
- Jam në dritë të vërtetë
- Unë jam në Shpirtit tuaj,
- Mos më kini për të huaj,
- Më është falur durimi,
- Andaj po digjem si trimi,
- Sa me ka ënda t'ju bëj mirë,
- Të mos mbeti në errësirë.
- Jakeni, rreth meje rrini,
- Flisni, qeshni, hani, pini
- Në shpirtit kam dashurinë,
- Pa digjem për njerëzinë...
- Me zjarr ta djek mushkërinë
- E të tretëm për njerinë
- Unë dua njerëzinë,
- Mirësin'e urtësinë.
- Ne behi shoke me mua,
- Ne me doni si ju dua,
- Njëri tjatrine ne doni
- Të paudhe mos punoni...
- Unë, duke përvëluar,
- Njerëzit i kam ndrituar;
- Kam qenë mik me njerinë,
- Andaj i di e me dinë...
- Dua shum fjalë t'ju them,
- Po trembem mos ju bënj ujem.
- E ku shkruhene në kartë
- Fjalët' e gjuhësë 'zjarrtë ?
|