Kolonizimi Serb i Kosovës/8

Nga Wikibooks

Qëllimi dhe masat për zbatimin e kolonizimit dhe reformës agrare


Faqe 7
faqe
- 8 -

Faqe 9
Pushteti i Mbretërisë SKS, ndonëse kishte premtuar se do të respektonin të drejtat e shqiptarëve etnikë që jetonin në Jugosllavi, madje kishin nënshkruar edhe aktet ndërkombëtare të kohës, që përcaktonin të drejtat e pakicave kombëtare (Traktati i Sen Zhermenit, i unifikuar edhe nga Lidhja e Kombeve), këto qarqe, menjëherë pasi vendosën administratën e tyre ushtarako-policore dhe civile, rifilluan terrorin e praktikuar në vitet 1912-1915. Kështu sipas një statistike, që u botua më vonë, trupat serbe vetëm gjatë janarit dhe shkurtit të vitit 1919 kishin vrarë 6.040 veta, kishin rrënuar 3.873 shtëpi.[1] Qeveria shqiptare e informon Lidhjen e Kombeve në prillin e vitit 1921 se në Kosovë ishin vrarë 2.000 shqiptarë, që nga fillimi i po atij viti; kurse katër muaj më vonë, kreu i Bashkësisë Islame në Bosnje, Reis ul-ulema Çausheviq, i tha një diplomati se që nga nëntori i vitit 1918, në rrethin e Prishtinës ishin vrarë 5.000 veta. Sa për shifrat e përgjithshme, një dokument i hartuar nga Komiteti i Kosovës, më 1921, llogariste se deri atëherë ishin vrarë 12.371 veta, ishin burgosur 22.110 veta dhe ishin djegur përafërsisht 6.000 shtëpi.[2]

Një ndër metodat e spastrimit etnik, shkombëtarizimit dhe sllavizimit të Kosovës, ishte edhe kolonizimi i Kosovës me elementin sllav dhe shpërngulja e shqiptarëve nga vendlindja e tyre. Kolonizimi si metodë përfide filloi të mistifikohet dhe të kamuflohet me zbatimin e njërës nga metodat borgjeze me reformë agrare, e cila propagandohej si masë përparimtare e që në të vërtetë fsheh qëllimin e borgjezisë serbomadhe - kolonizimin e Kosovës dhe shkombëtarizimin e popullsisë shqiptare, e cila ishte në shumicë absolute. Pra, borgjezia bënte përpjekje që ta rrallojë sa më tepër popullsinë shqiptare, sidomos në ato treva ku shqiptarët jetonin në numër të madh dhe Kosova ishte rajoni me popullsi më të dendur në tërë Jugosllavinë. Ekzistonte një program i gjerë i kolonizimit, i vendosjes së folësve të sllavishtes në viset e banuara me shqiptarë.

Në Kosovë për shkak të konfiguracionit të papërshtatshëm të terrenit dhe nivelit të ulët të forcave prodhuese në bujqësi, tokë të punueshme ka pasur relativisht pak. Në ato sipërfaqe ekzistunte dendësi e madhe e popullssë, e cila gjitnjë rritej për arsye të shtimit të madh natyror, sidomos të popullsisë shqiptare. Sipas shënimeve statistikore ishte shumë e lartë rritja e popullsisë që merrej me bujqësi. Në siperfaqet bujqësore nga viti në vit rritej gjithnjë numri i njerëzve, të cilët jetonin nga bujqësia. Kështu dendësia në Kosovë vende-vende ishte prej 200-300 banorë në një kilometer katror, ndërsa në Vojvodinë në po kaq sipërfaqe bujqësore ishin 80 banorë. Gjendja më e keqe ishte nse merrej parasysh sasia e tokës së punueshme, sepse në Serbi në 100 ha tokë të punueshme vitin 71,1 banorë, në Vojvodidnë 175 banorë, dërsa në Kosovë 228 banorë.

Qëllimi i borgjezisë serbe në të vërtetë ishte që nën parullën e reformës agrare të zbatojë kolonizimin e Kosovës me elementin sllav të ardhur nga viset e ndryshme të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene, përkatësisht jugosllave dhe nga disa shtete të jashtme. Pra, në funksion të kolonizimit të tillë u vu edhe e ashtuquajtura reformë agrare. Kolonizimi dhe reforma agrare në Kosovë kanë pasur qëllim kryesisht nacional-politik dhe karakter eksploatues. Qëllimi kryesor i kolonizimit ishte thyerja e kompaktësisë nacionale të popullsisë shqiptare dhe ndërrimi i strukturës nacionale në dëm të shqiptarëve. Veçanërisht, synimi ishte që të kolonizohej dhe të forcohej elementi kolonist në pjesët rreth kufirit me Shqipërinë, sepse mendonin se me atë kufiri do të jetë më i sigurtë dhe do të ndërpritet vazhdimësia e popullatës autoktone shqiptare nga territori i Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, siç thuhej në dokumente me qëllim sigurimi dhe në përputhje me planin e tyre strategjik. Përkitazi me këtë dr. Hinko Krizman, deputet dhe ministër, në fjalimin e tij në Kongresin e Partisë Demokratike të Pavarur në Beograd, më 6.12.1925, ndër të tjera, thekson se kolonizimi është kërkesë e mbrojtjes popullore, forcim i popullatës nacionale në kufijt, në veri dhe në jug.[3] Përveç kësaj, ajo politikë bënte përpjekje që ta rrallojë sa më tepër popullsinë shqiptare dhe në ato treva homogjene dhe vendbanime të banuara plotësisht me popullatë shqiptare të vendoste kolonë, pra në ato krahina, ku shqiptarët jetonin në numër të madh, si dhe synohej të kolonizohen ato treva të pastra etnike shqiptare siç ishin: Drenica, Llapi, Llapusha, pjesë të Rrafshit të Dukagjinit, të Kosovës etj, dhe të thyhej homogjeniteti nacional i atyre vendbanimeve e trevave në fjalë. Sepse siç dihet në trevën e Llapit para pushtimit serb në vitin 1912 nuk kishte asnjë banorë serbë, në komunën e sotme të Deçanit serb kishte vetëm në manastirin e Deçanit dhe disa në fshatin Lloqan që prejardhjen e tyre duhet studjuar, në qytetit e Gjakovës kishte disa familje të pakta serbe, në komunën e sotme të Malishevës serbë kishte vetëm në fshatin Kijevë dhe Mleqan, treva e Drenicës sidomos asaj jugore nuk kishte fare serbë dhe kështu me radhë.


Programi i kolonizimit ishte një dukuri komplekse, që kishte qëllime të ndryshme: pikësynim i përgjithshëm dhe afatgjatë i tij ishte, siç u tha ndërrimi i strukturës kombëtare të popullatës në Kosovë (si edhe në Maqedoni, e cila po ashtu po kolonizohej), por në këtë mes, u ngatërruan edhe faktorë të tjerë. Një fakor i këtillë ishte dëshira për të ndalur valën e popullatës nga Serbia dhe Mali i Zi, që po emigronte në Amerikë, duke u ofruar toka të lira afër shtëpive të tyre. Një tjetër faktor ishte politika e dënimit të kaçakëve me konfiskimin e pronës së tyre: mënyra më efikase ishte ajo e zbatimit të këtij dënimi, dhënia e tokave të tyre kolonistëve. Ishte madje edhe një plan tjetër (i shqyrtuar seriozisht në Beograd, më 1921, por fare i pazbatuar) për kolonizimin në Kosovë të 7.000 ushtarëve rusë të gjeneralit Vrangel - një lloj ekuivalence serbe ndaj politikës osmane të vendosjes së çerkezëve luftarakë në rajonet me rëndësi strategjike.[4]

Me procesin e zbatimit të kolonizimit agrar në Kosovë, suksesivisht krijoheshin vendbanime të reja kolonësh. Pushteti kishte për qëllim që të vendoste kolonë në ato treva e vendbanime të banuara plotësisht me popullatë shqiptare në mënyrë që të zbërthejë, të shkatërrojë homogjenitetin nacional shqiptar të atyre vendbanimeve dhe të sendërtojë qëllimin nacional të kolonizimit. Posaçërisht synohej që të bëhej pastrimi etnik i popullatës shqiptare, sidomos përreth kufirit me Shqipërinë dhe në këto pjesë të vendosë kolonët dhe të ngriten vendbanime kolonësh. Kjo kishte për qëllim të formohet një tampon zonë, të ndërpritet lidhja ekzistuese organike territoriale, kombëtare, kulturore, familjare e shpirtërore e popullsisë shqiptare. Në zbatimin e politikës së kolonizimit të Kosovës, përkatësisht ngritjes së vendbanimeve të reja kolone, organet agrare kishin parasysh eksklusivisht interesat nacionalo-politike e shtetërore, duke lënë anash faktin se krijimi dhe zhvillimi i vendbanimeve të reja duhet të ketë qëllim të zhvillimit të natyrës ekonomike dhe sociale.


Organet shtetërore dëshironin që nën maskën e reformës agrare dhe të kolonizimit të realizonin politikën për shtypjen brutale të popullsisë shqiptare, konfiskimit të tokës së fshatarëve shqiptarë, të nxiste tendencën e shpërnguljes së saj në Turqi e në Shqipëri dhe të realizonin idenë e nacionalizimit dhe të serbizimit të Kosovës. Me këtë, politika hegjemoniste jugosllave, duke e konsideruar se popullata shqiptare homogjene autoktone, e cila jeton në numër të madh dhe vështirë mund të asimilohet për shkak të kulturës dhe gjuhës tjetër nga ajo sllave, ajo gjeti metodën e terrorit, të dhunës, të marrjes së tokës dhe të shpërnguljes me dhunë të popullatës shqiptare jashtë atdheut të tyre, dhe me këtë të fitojë sipërfaqe të mëdha toke të punueshme, në të të vendosë një numër të madh të kolonëve. Me qëllim të rrëmbimit të tokave, ushtria dhe xhandarmëria shpeshherë së bashku edhe me elementin kolon, të cilin e furnizonin me armë dhe municion, hidheshin në aksion terrori kundër shqiptarëve.


Kolonët të ashtuquajtur vullnetarë, çetnikë, optantë, etj., kishin ardhur gati nga të gjitha viset e Jugosllavisë borgjeze, si nga Mali i Zi, Hercegovina, Bosna, Dalmacia, Lika, Korduni, Bania, Serbia Jugore, Vojvodina, etj. Mirëpo, kishte kolonë të ardhur edhe nga disa shtete të jashtme si nga Rusia, Italia, Hungaria, Shqipëria, Amerika, etj. Atyre pushteti u jepte prona të mëdha të tokës, sipërfaqja më e madhe e marrë nga pronarët shqiptarë, duke i detyruar ata që të shpërngulen ose të bëhen shërbëtorë “të agallarëve” të rinj, duke ua punuar tokën dhe duke e paguar edhe tatimin për atë tokë. Pushteti, kolonët i vendoste edhe në shtëpitë e fshatarëve vendas shqiptarë dhe të atyre të shpërngulur. Kolonëve, përveç tokës se dhënë falas, pushteti disave ua ndërtonte edhe shtëpitë, si dhe u jepte ndihmë në material ndërtimor, vegla pune, kredi, i lironte nga tatimet shtetërore për 10 vjet dhe nga ato komunale për 5 vjet, kurse të drejtën e plotë si pronarë - me të drejtë për të shitur atë - do ta merrni pas dhjetë vjetësh, transportin falas të tyre, të materialit ndërtimor, veglave të punës, bagëtive etj. deri të vendi i vendosjes etj. U formuan Kooperativat agrare nga të cilat kolonët merrnin kredi pa kamatë, material ndërtimor dhe ndihma të tjera.


Në mesin e kolonëve të ardhur, që shteti u kishte dhënë tokë, përveç fshatarëve bujq kishte edhe tregtarë, pensionistë, oficerë, xhandarë, nëpunës, etj. Për t’i nxitur dhe për t’i tërhequr kolonët që të vijnë dhe të vendosen në Kosovë, makineria propoganduese serbe përdorte në forma të ndryshme propagandën se në Kosovë ka tokë më bollëk, shtëpi të lira etj.


Kolonëve të ardhur sllavë, pushteti, përveç tokës “utrinë”, kullota e të tjerë, u ndante posaçërisht tokë të punueshme pjellore të marrë nga pronarët shqiptarë, të cilët ishin të detyruar të shpërngulen jashtë vendit ose të marrin nga kolonët e të punojnë tokën e vet përgjysmë ose me qesim dhe për të edhe të paguajnë më tutje tatimin. Tokën pronarëve shqiptarë pushteti ua merrte edhe me motivacion se është përfshirë në kompleksin agrar dhe për atë shpesh nuk jepte kurrfarë kompensimi, ose nëse jepte atë tokë e jepte të cilsisë së dobët.


Siç është theksuar më parë, për zbatimin e kolonizimit ishin të angazhuara të gjitha organet e pushtetit, duke filluar nga ato më të ulëtat lokale e deri tek ato më të lartat shtetërore. Pra, ishte angazhuar tërë makineria shtetërore. Ata kurrnjëherë nuk kishin marrë parasysh pozitën e fshatarit shqiptar. Përkundrazi, në aksionet e marrjes së tokës, përdoreshin metoda të llojllojshme, kështu që kishte raste kur toka iu ishte marrë deri në prag të shtëpisë, e që për të hyrë shqiptarë në shtëpi do të detyrohej të kalojë tani nëpër “pronën” e kolonit.


Me marrjen e pronave të banorëve shqiptarë në forma të ndryshme, sidomos të atyre të kaçakëve, që konsideroheshin armiq të shtetit, tokë kinse tepricë, tokë untrinë, pronë e tërë fshatit, komplekse të shumta të pyjeve etj.


Në veprimtarinë e organizuar për nxitjen e vazhdueshme të shpërnguljes shqiptare dhe të kolonizimit me kolonë sllavë, në vend të tyre, administrata shtetërore i kishte lënë vend të veçantë propagandës, sidomos shtypit, i cili duhej të kontribuonte në përgatitjen psikologjike të opinionit brenda vendit për ta përkrahur shpërnguljen dhe për ta justifikuar këtë para opinionit të huaj. Ndërsa, nga kolonët, nga tërë shteti dhe jashtë t’i nxitë dhe t’i tërheqë të vendosen në Kosovë, duke u premtuar tokë më bollëk, shtëpi, vegla bujqësore, lehtësi tatimore, kredi etj. Me këtë shtypi borgjez synonte që në radhët e popullsisë shqiptare të krijojë një gjendje tensioni të vazhdueshëm, i cili duhej të ndikonte në shtimin e mëtejshëm të shpërnguljes. Në shumicën e gazetave, sidomos në ato beogradase, botoheshin artikuj shpifës, tendenciozë, duke e paraqitur shpërnguljen si “dëshirë” të popullatës “myslimane”, ndërsa kolonizimi arsyetohej për tokën e lirë dhe interesat që kishte shteti për t’i kolonizuar këto treva me elementin e krishterë nga aspekti i mbrojtjes.


Shpronësimi në masë i fshatarsisë shqiptare pati për rrjedhojë varfërimin e saj. Ndërsa si rrjedhojë e spastrimeve etnike dhe e kolonizimit të tokave shqiptare u bë ndryshim i ndjeshëm i strukturës etnike të popullsisë. Duke u ballafaquar me pozitën e rëndë të tyre, të shkaktuar nga presionet e llojllojshme, që ushtronte pushteti policor ushtarak i Jugosllavisë borgjeze, dhe, duke mos gjetur mbrojtje elementare juridike për pronat dhe jetën e tyre, e po ashtu të ndihmuar me lehtësi të mëdha rreth përgatitjes së dokumentacionit të udhëtimit, që i ofronte po ai pushtet, një pjesë e popullit shqiptar emigroi në Turqi, e një pjesë edhe në Shqipëri. Shpërngulja e shqiptarëve nga vendlindja e tyre ka qenë e motivuar nga politika antishqiptare e diskriminuese. Ky proces i prirur nga qëndrimet negative dhe nga paragjykimet e qarqeve sunduese ndaj shqiptarëve dhe vendeve të tyre kishte filluar edhe gjatë periudhave më të hershme historike. Për ta nxitur shpërnguljen, pushteti borgjez i ngacmonte shqiptarët edhe në ndjenjat e tyre kombëtare e fetare, si në rrënimin e xhamive, varrezave etj.


Me vendosjen e kolonëve janë krijuar shumë vendbanime të reja të cilat janë pagëzuar me emra sllavë, si p.sh. Tankosiq, Nova Shumadia, Llazarevo, Devet Jugoviq, Hercegova, Dushanova, Serbobran, Petrovec, Petroviq, Kralica, dhe shumë të tjera. Mirëpo, edhe disa toponime të mbetura shqiptare të cilat që nga mesjeta ishin ndërruar, tani në këtë periudhë ndërrohen në mënyrë arbitrare, si p.sh. Ferizaj në Uroshevac, Hani i Elezit në Gjeneral Janoviq, Glloboderi në Obiliq, Ujmiri në Dobravodë, Azizia në Milloshevë, dhe shumë të tjera. Kjo ishte diskutuar edhe në një konferencë ndërministrore në vitin 1937 për ndërrimin e emrave gjeografik.


Ultranacionalistët serbë, duke filluar nga Garashanini, Klubi Kulturor serb, Konventa famëkeqe për shpërngulje e vitit 1938, me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, vazhduan përpjekjet për realizimin e planeve, si p.sh. Elaborati i ri i Vasa Çubrilloviqit i titulluar “Problemi i pakicave në Jugosllavi”. Ai pushtetin e ri e “mëson” se përveç spastrimit nga ana e ushtrisë gjatë operacioneve, duhet zbatuar edhe metoda të tjera në mënyrë që pakicat kombëtare të detyrohen të shpërngulen, të krijohen për ta kampe përqëndrimi, ndërsa pasuria e tyre të konfiskohet.


Të bazuar në shënimet statistikore, qeveria arriti që në Kosovë, në periudhën midis dy luftërave, siç thuhej për nevoja të reformës agrare t’i kufizojë rreth 129.212,94 ha tokë.[5] Ndërsa, gjatë kësaj periudhe janë vendosur 13.482 familje me rreth 67.410 anëtarë në 594 vendbanime.[6] Sipas një burimi tjetër në 14 rrethe të Kosovës 21.876 familjeve iu është dhënë 81.134,49 ha.[7] Sipas një raporti të Drejtoratit Suprem të Reformës agrare në Shkup, deri në fund të muajtit tetor 1940, për drejtoratet agrare në Pejë, Ferizaj, Shkup dhe Prizren janë kufizuar 381.245 ha tokë.[8] Tokë në masë të konsideruar iu është dhënë kishave dhe manastireve ortodokse, stacioneve të xhandarmërisë etj. Sipas një raporti të Drejtoratit Suprem të Reformës Agrare në Shkup, sek. nr. 344, datë 12.XI 1940, në territorin e këtij Drejtorati kishave dhe manastiereve iu janë ndarë 569 ha tokë, ushtrisë 1.342 ha, xhandarmëris 250 ha dhe të tjera.[9] Ndërsa, në anën tjetër merrej edhe prona e vakëfeve, xhamive, teçeve etj. pa kurrfarë kompezimi dhe në forma të ndryshme përfide. Nuk është mbajtur ndojë evidencë e mirëfilltë për marrjen e këtyre pronave duke i konsideruar si prona te lira ose të përfshira në kompleksin agrar. Duhet permendur se pushteti agrarë në vitin 1927, Manastirit të Deçanit iu dhanë pronat e 50 familjeve shqiptare të fshatit Isniq, nërsa Manastirit të Deviçit iu dhanë proant e 20 familjeve shqiptare të fshatit Llaushë, komuna e Skëndëraj.


Duhet theksuar se numri i kolonëve të vendosur në Kosovë është më i madh, sesa e jep statistika zyrtare serbe, sepse ky numër ka të bëjë vetëm për familjet, të cilëve zyrtarisht u është ndarë toka. Kanë mbetur anash familjet, që e kanë rrëmbyer tokën në forma të ndryshme, ato në qytet - të ardhur si nëpunës, xhandarë, tregtarë dhe të profesioneve të tjera. Secila familje mesatarisht i kishte marrë nga 8,45 ha tokë, por kishte shumë raste kur një familje kishte marrë edhe deri 45 ha tokë. Ndërsa, familjeve shqiptare kishte raste kur toka i merrej në tërësi deri në prag të shtëpisë, kështu që nuk zbatohej edhe ai dekretligj famëkeq, i cili parashihte se familjeve shqiptare t’i mbetej 0,40 ha tokë për një anëtar të familjes.


Në territorin e Kosovës kolonët sllavë u vendosën në këto vendbanime:[10]


Komuna e Prishtinës: Badofci (13 familje), Ballabani (9), Barileva (13), Besia (2), Çagllavica (3), Dabisheci (17), Gllogovica (6), Hajkobilla (5), Hajvalia (48), Keçëkolla (5), Koliçi (4), Lebana (8), Makoci (3), Mareci (4), Nëntë Jugoviqët (66), Nisheci (9), Orlloviqi (34), Prapashtica (26), Prishtina (70), Slivova (2), Teneshdolli (3), Truda (2) dhe Vranidolli (3).
Komuna e Fushë-Kosovës: Batusa (1), Bardhi i Madh (23), Fushë Kosova (142), Graboci i Poshtëm (20), Harilaqi (18), Henci (2), Krivova (25), Miradia e Epërme (80), Nakarada (3), Pomozotini (40), Sllatina e Madhe (33) dhe Vrogolia (11).
Komuna e Obiliqit: Babimoci (1), Lokaliteti Bakshia-Nëntë Jugoviqët (48); Breznica (58), Caravadica (3), Dobrosella (34), Hadja (4), Dardhishta (15), Lajthishta (4), Llazareva (17), Mazgiti (11), Millosheva (68), Miniera e Kosovës (9), Obiliqi (122), Plemetini (6), Raskova (6) dhe Siboci (7).
Komuna e Podujevës: Bajçina (12), Balloci (71), Batllava (28), Bellopoja (39), Bërveniku (7), Braina (6), Bradashi (24), Burica (4), Dobërdoli (28), Dobratini (11), Dumnica e Epërme (1), Dumnica e Poshtme (137) , Dumoshi (12), Dyzi (4), Gërdoci (9), Gllamniku (43), Halabaku (5), Herrtica (36), Kaçibegu (7), Katunishta (23), Kërpimehu (21), Konusheci (24), Kushevica (13), Letanci (5), Livadica (33), Lupçi i Poshtëm (14), Llapashtica e Epërme (63), Llapashtica e Poshtme (21), Llausha (30), Lluga (3), Luzhani (9), Majaci (8), Merdari (33), Metërgoci (39), Metohia (7), Miroci (14), Murgulla (4), Obrança (42), Orllani (56), Pakashtica (28), Penuha (11), Perani (21), Përpollci (5), Podjeva (157), Pollata (1), Potoku (3), Radujeci (31), Repa (54), Revuçi (33), Sallabaja (5), Sfeçla (48), Siboci i Epërm (38), Siboci i Poshtëm (9), Sllatina (1), Surkishi (17), Shajkoci (17), Shakovica (8), Shtedimi (15), Tërrnava (22), Turuçica (37) dhe Zakuti (15).
Komuna e Lipjanit: Akllapi (3), Babushi i Muhaxhirëve (17), Baica (4), Banulla (9), Bregu i Zi (9), Bujani (8), Dobraja e Madhe (6), Dobraja e Vogël (10), Gadime e Epërme (5), Gadime e Poshtme (9), Gllogoci (3), Gracka (82), Hallaçi i Vogël (6), Lepia (4), Lipjani (10), Llugaxhia (3), Lluga (34), Magurja (11), Mareci (8), Medveci (13), Poturoci (17), Qyqylaga (12), Radeva (6), Ribari i Madh (1), Rubofci (4), Rufci i Ri (40), Shala (Sedllari) (1), Suhadolli (125), Topliçani (5), Vërsheci (13), Vrella e Goleshit (111).
Komuna e Ferizaj: Babushi i Serbëve (6), Bibaj (13), Cërnilla (12), Doganaj (4), Ferizaj (36), Gaçka (rreth 20 familje), Gërlica (7), Gremja (23), Komogllava (5), Kosharja (13), Lloshkobarja (26), Mirashi (22), Mirosala (16), Muhoci (19), Nekudini (5), Nerodimja (8), Nerodimja e Poshtme (1), Papazi (23), Pleshina (25),* Pojatishta (22), Prelezi i Jerlive (37), Prelezi i Muhaxhirëve (7), Rahovica (15), Raka (33), Sazlia (10), Slivova (15), Softoviqi (20), Sojeva (14), Katuni i Vjetër (39), Surqina (10), Talinoci i Jerlive (5), Talinoci i Muhaxhirëve (25), Tankosiqi (119), Tërni (2), Varoshi (13) dhe Zaskoku (20).
Komuna e Shtimes: Gllavica (6), Godanci i Poshtëm (14), Gjurkoci (9), Petroviqi (Lagjja e Pajtimit) (22), Muzeqina (3), Raçaku (1), Rashinca (15), Shtimja (3) dhe Vojnofci (8).
Komuna e Kaçanikut: Elezaj (9), Gabrica (1), Kaçaniku i Vjetër (29), Reka (10) dhe Stagova (3).
Komuna e Gllogocit: Abria e Epërme (1), Arllati (8), Baica (11), Dobrasheci (12), Domaneku (10), Fushtica e Poshtme (12), Gllanasella (27), Gllobari (15), Komarani (91), ndërsa në lokalitetin Ostrok (8), Karratica e Epërme (5), Karratica e Poshme (18), Krikova (21), Likoshani (4), Llapushniku (31), Negroci (9), lokaliteti Negroci -Llapushniku (29), Pokleku (10), Polluzha (11), Çikatova e Re (163), Çikatova e Vjetër (2), Sankoci (5), Shtrubullova (2), Tërsteniku (22), Zabeli i Poshtëm (16) dhe lokaliteti Zabeli - Krivova (26).
Komuna Skënderaj: Buroja (39), lokaliteti Çubrel-Llaushë-Vitakë (8), Izbica (8), Klina e Epërme (41), Klina e Mesme (7), lokaliteti Kodra e Tomës në trekëndëshin Tërnafc-Prekaz-Klinë (51), Klladërnica (1), Kosieri i Ri (20), Kallica (48), Kuçica (2), Likoci (1), Luboveci (9), lokaliteti Kolena-Lubovec (2), Makërmali (11), Mikushnica (26), Fshati i Ri (Novosella) (13), Padalishta (1), Polaci i Ri (55), Polluzha (13), Prekazi i Epërm (22), Prekazi i Poshtëm (9), Radisheva (2), Skënderaj (Serbica) (55), Tërnafci (8), Turiçeci (25), Vitaku (12) dhe Vojniku (32).
Komuna e Vushtrrisë: Akrashtica (3), Beçiqi (10), Bivolaku (8), Brusniku (8), Bukoshi (58), Cecelia (5), Dalaku (14), Druari (26), lokaliteti Druari-Resniku (35), Dobërlluka (6), Dubofci (8), Dumnica e Epërme (9), Dumnica e Llugave (15), Dumnica e Poshtme (19), Galica (6), Graca (6), lokaliteti Graca-Stanofci i Epërm (28), Hercegova (46), Jezera (Liqeni) (41), Kollo (15), Mavriqi (5), Nedakoci (12), Novolani (32), Maxhunaj (8), Pantina (16), Pestova (15), Resniku (6), Ropica (5), Samadrexha (29), Sllakofci (1), Sllatina (7), Smrokonica (1), Stanofci i Epërm (5), Stanofci i Poshtëm (9), Studimja e Poshtme (8), Svërçaku i Epërm (19), Svërçaku i Poshtëm (52), Shalci (16), Shtitarica (1), Taraxha (15), Tërllobuçi (1), Lumi i Madh (28), Vërnica (17), Vilanci (17), Vushtrria (shumë familje), Zagora (21) dhe në lokalitetin Zhilivoda-Siboci (6).
Komuna e Mitrovicës: Brabaniqi (3), Gushafci (7), Kçiqi i Madh (2), Kopriva (2), Lisica (2), Lushta (13), Mitrovica (30), Pirqa (12), Shipoli (45), Shupkoci (1), Suhadolli i Epërm ( 10), Frashëri (Svinjari) (14), Vaganica (12), Vërnica (10), Vinarci i Poshtëm (6) dhe Zhabari i Poshtëm (3).
Komuna e Zveçanit: Korila (1).
Komuna e Leposaviqit: Kijavçiqi (1) dhe Kopariqi (1).
Komuna e Kamenicës: Berivojca (30), Bozhevci (1), Bratilloci (1), Busovata (2), Dajkoci (6), Drenoci (14), Firiqeja (2), Gllogoci (1), Hajnoci (2), Hodonoci (10), Hogoshti (7), Kamenica (6), Karaçeva e Eperme (11), Kollolleçi (29), Kopërnica (5), Koretini (68), Miganofci (1), Moçari (1), Muçivërci (13), Çarakofci (8), Rubofci (6), Rogana (21), Shipashnica e Poshtme (12), Strelica (2), Cfirca (3), Tërstena (2) dhe Topanica (27).
Komuna e Vitisë: Ballanca (11), Begunca (3), Binça (2), Buzoviku (37), Budrika e Epërme (2), Devaja (3), lokaliteti Devaja-Vrapçiqi (17), Drobeshi (39), Gërmova (50), Gërçari (3), Gjylekari (16), Goshica (40), Kabashi (34), Mogilla (21), Podgorci (3), Pozherani (54), Radivojci (1), Ramjani i Epërm (18), Ramnishta (9), Remniku (19), Sadovina e Çerkezëve (62), Sadovina e Jerlive (11), Shasharja (12), Sllatina e Epërme (17), Smira (13), Tërpeza (13), Tërsteniku (1),Vërboci (3), Vitia (25) dhe Zhitia (9).
Komuna e Istogut: Banica (27), Banja (42), Bellopoja (14), Caralluka (5), Dobrusha (234), Dragalefci (7), Dreja (4), Dubova e Vogël (7), Dubrava (103), Gurrakoci (33), Istogu (15), Kaliçani (28), Kashica (3), Kërrnina (37), Kovrraga (31), Lluga (1), Llukaci i Begut (8), Llukaci i Thatë (2), Lubova (84), Lubozhda (11), Muzhevina (6), Orobërda (97), Prekalla (1), Prigoda (11), Rakoshi (32), Sërbobrani (30), Shalinovica (20), Staradrani (9), Studenica (4), Suhogërla (Syrigana) (2), Shushica (70), Tomoci (5), Tuçepi (39), Uça (1), Veriqi (62), Vrella (16), Zallçi (25) dhe Zhakova (7).
Komuna e Klinës: Biça (17), Bokshiqi (14), Budisallci (12), Caraviku (8), Çabiqi (4), Deiqi (14), Dollci (2), Dollova (13), Dranoshiqi (29), Dërsniku (3), Gjyrgjeviku i Madh (7), Gjyrgjeviku i Vogël (28), Gllareva (13), Grabanica (5), në lokalitetin Arat e Gjata (24), Gremniku (4), Jagoda (43), Jashanica (73), Kërnica (24), Klinafci (18), Klina (14), Këpuzi (44), Krysheva (23), Pjetërqi i Epërm (15), Pjetërqi i Poshtëm (13), Pogragja (7), Qeskova (6), Qypeva (5), Radulloci, Renoci (10), Jashanica-Resniku (52), Shtupeli (41), Stupa (25), Ujmiri (6), Videja (19), Lokaliteti Zajm-Deiqi-Videja-Drenoc (51), Volljaka (6), Zabërgja (1), Zajmi (12), Zllakuçani (23) dhe në lokalitetin Klina-Zallkuçani (41).
Komuna e Malishevës: Banja (18), Bellanica (14), Bubaveci (14), Bubli (11), në lokalitetin Mirusha-Carravrana (25), Carralluka (22), Damaneku (10), Jançishta (1), Lashkadrenoci (24), Kjeva (9), Lladroviqi (20), Llazica (42), Lubizhda (23), Malisheva (20), Millanoviqi (Shkoza) (4), Mirusha (12), Mleçani (26), Pagarusha (3), Lokaliteti Mleçan-Plloçicë (20), Plloçica (9), Panorci (25), lokaliteti Panorci-Bubli (31), Seniku (8), Shkarashniku (9), Tërpeza (23), Lokaliteti Tërpeza-Arllati (19), Turjaka (8) dhe në lokalitetin Vërmica-Bellanica (9).
Komuna e Rahovecit: Bellacërka(19), lokaliteti Bellacërka-Xërxa-Gexha-Radosta (119), Bërnjaça (11), Brestofci (2), Celina (1), Çifllaku (20), Deja (12), Gexha (8), Kramoviku (7), lokaliteti Kramovik-Çifllak (23), Krusha e Madhe (41), Mrasori (3), Nushpala (13), Radosta (20), Rahoveci (9), Ratkoci (21), në lokalitetin Ratkoci-Vranjaku-Nushpala (24), Saroshi (11), Sopaniçi (31), Vranjaka (7) dhe Xërxa (46).
Komuna e Gjakovës: Babaj Bokës (3), Bardhaniqi (11), në lokalitetin Bardhaniqi-Llugaxhia (26), Batusha (27), Beci (82), Berjahu (5), Bardosana (24), Bishtazhini (5), në lokalitetin Bishtazhin-Lipovec-Smaç (33), Biteshi i Poshtëm (41), Biteshi i Epërm (36), Brekoci (36), Brovina (3), lokaliteti Brovinë-Morinë (37), Cërmjani (37), në lokalitetin Varret e Cermjanit (6), në lokalitetini Drini-Cërmjani (13), Dallashaj (25), Damjani (20), Deva (16), Doblibare (28), Dobrixha (30), Dobroshi (9), në fushën Kallavaj ndërmjet Dobroshit e Junikut (92), Doli (17), në lokalitetin Doli-Zhubi (111), Dujaka (11), Firaja (4), Firza (33), Gërçina (12), Gërgoci (16), Gradisha (44), Gjakova (26), Fusha e Gjakovës (42), lokaliteti Nakaradë afër Gjakovës (59), lokaliteti Goden-Zulfaj (7), Guska (7), Hereçi (66), në lokalitetin Malet e Hereçit (58), Jabllanica (15), në lokalitetin Jabllanicë-Luti-Nevxhe-Vardishtë (27), Jahoci (21), Janoshi (22), Kodralia (14), në lokalitetin Kodralia - Neci (39), Korenica (55), Kralani (37), Kusari (6), Kushaveci (6), Lipoveci (18), Llugaxhia (11), në lokalitetin Bardhoq-Llugaxhia (26), Lugbunari (122), Marmulli (79), lokaliteti Milena-Rezina (19), Meja-Orizë (31), Meça (37), në lokalitetin Meça-Cërmjani (43), Moglica (9), në lokalitetin Moglica-Raça-Doli (39), Mulliqi (13), Morina (5), Neci (77), Nivokazi (19), Novosella e Epërme (2), Novosella e Poshtme (8), Osek Hyla (21), Osek Pasha (2), Pacaj (7), Palabardhi (4), Plançori (26), Ponosheci (51), Popoci (5), Qerimi (3), Raça (35), Radoniqi (128), Rakoci (37), Rogova (47), Rracaj (22), Rrypaj (7), Sheremeti (34), Shishmani (34), Shishmani i Bokës (11), Skivjani (27), Smaqi (17), Smolica (19), Stublla (21), Trakaniqi (8), Ujzi (14), Vogova (20), Vraniqi (32), Zidi i Sadik Agës (5), Zhabeli (8), Zhdrella (7) dhe Zhubi (7).
Komuna e Prizrenit: Dushanova (100), Grazhdaniku (4), Hatmaxha (5), Hoça e Qytetit (16), Kabashi (14), Kabashi i Hasit (9), Lokaliteti Korisha-Kabashi (11), Kushnini (8), Landovica (2), Lugishta (14), në lokalitetin Lugishtë-Kabash (10), Lutogllava (37), Shumadia e Re (55), Petrovasella (14), Prizreni (shumë familje), Romaja (6), Trepetnica, Tupeci (18), Vërmica (3), Vllashnja (20) dhe Zhuri (4).
Komuna e Suharekës: Dubrava (3), Duhla (30), lokaliteti Goranca-Novaci (4), Grejkoci (11), Gjinoci (15), Javori (3), Leshani (7), Nëpërbishti (2), Reshtani (7), Savrova (4), Semetishti (7), Studençani (17), Suhareka (5), Shiroka (13), Tërni (17) dhe Topliçani (26).
Referencat
  1. Dr. Liman Rushiti, Lëvizja kaçake në Kosovë 1918-1928, Prishtinë, 1918, fq. 7-81; Noel Malcolm, Kosova një histori e shkurtër, Prishtinë, 1998, fq. 285.
  2. Noel Malcolm, Kosova një histori e shkurtër, Prishtinë, 1998, fq. 289.
  3. Arhiv Jugoslavije (AJ), Beograd, Fondi: Hinko Krizman, 84, k.1, nj.1-4.
  4. Noel Malcolm, Kosova ..........., v. e c., fq. 290.
  5. AJ B, Ministarstvo Agrarne Reforme Kraljevine Jugoslavije, 96-15-51; 96-15-55.
  6. AJ B, MAR, 96-21-69, Regjistri i kolonive më 8.IV.1940.
  7. AJ B, MAR, 96-15-58.
  8. AJ B, MAR, 96-15-57.
  9. AJ, Ministarstvo Poljoprivrede, Beograd, 67, k.28, fas. 263.
  10. AJ B, MAR, 96-21-69; 96-51; Dr. Milovan Obradovic, Agrarna reforma i kolonizacija Kosova (1918-1941), Prishtinë, 1981, fq. 306-339.

Faqe 7
faqe
- 8 -

Faqe 9