Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë/3

Nga Wikibooks
Shko tek: lundrim, kërko

Organizimi i qarkullimit dhe sinjalizimit rrugor


Faqe 2
faqe
- 3 -

Faqe 4
Neni 35: Kompetenca

1. Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse është kompetencë për nxjerrjen e udhëzimeve për organizimin e qarkullimit dhe të sinjalizimit përkatës rrugor, pasi ka marrë mendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për aspektet që i përkasin kompetencave të saj, mbi të gjitha rrugët, përjashtuar ato që janë vetëm për përdorim ushtarak, për të cilat kompetencat i ka komandanti i rajonit ushtarak. Ajo përcakton, gjithashtu, kriteret, ku duhet të mbështeten entet pronare të rrugëve për planifikimin e trafikut, për rastet e përcaktuara në rregulloren e zbatimit. Udhëzimet dhe kriteret e mësipërme do të shpallen brenda një viti nga data e miratimit të këtij Kodi.

2. Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse është e autorizuar të përshtasë me urdhëresat përkatëse, normat dhe aktet në zbatim të këtij Kodi me direktivat e Komunitetit Europian dhe me marrëveshjet ndërkombëtare në këtë fushë.

3. Drejtoria e Qarkullimit dhe e Sigurisë Rrugore pranë Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse ngarkon Institutin e Studimeve të Transportit të përgatitë kriteret në fushën e qarkullimit dhe sinjalizimit rrugor, në zbatim të pikave 1 dhe 2 të këtij neni.

Neni 36: Plane trafiku për rrugët urbane dhe interurbane

1. Bashkitë me popullsi më të madhe se 20 000 banorë janë të detyruara që brenda gjashtë muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij Kodi, të hartojnë planin urban të trafikut dhe sinjalizimit rrugor, nëpërmjet Institutit të Studimeve të Transportit mbështetur në kriteret dhe udhëzimet e lëshuara nga ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse. Bashkitë dhe komunat e tjera i hartojnë planet e trafikut e të sinjalizimit rrugor ndërmjet seksioneve të tyre të transportit dhe i miratojnë në Institutin e Studimeve të Transportit, brenda afatit të mësipërm.

2. Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse, brenda 12 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij Kodi, të miratojë planin interurban të trafikut të mjeteve për aksin kryesor kombëtar të hartuar nga Instituti i Studimeve të Transportit.

3. Planet urbane dhe interurbane të trafikut azhurnohen çdo dy vjet.

Neni 37: Vendosja dhe mirëmbajtja e sinjalizimit rrugor

1. Vendosja dhe mirëmbajtja e sinjalizimit rrugor, me përjashtim të rasteve për sinjale të veçanta të parashikuara në aktet përkatëse, është në ngarkim:

a) të enteve pronare të rrugës jashtë qendrave të banuara;
b) të bashkive dhe komunave, brenda qendrave të banuara, duke përfshirë edhe sinjalet që tregojnë fillimin dhe fundin e qendrës së banuar, edhe kur sinjalet janë mbi rrugë që nuk i përkasin bashkisë a komunës;
c) të bashkisë dhe komunës për rrugët private të lejuara për përdorimin publik dhe për rrugët lokale;
d) të enteve pronare vetëm për sinjalet që kanë lidhje me karakteristikat strukturore ose gjeometrike për rrugët në brendësi të qendrave të banuara që nuk janë në pronësi të komunës; sinjalet e tjera janë në kompetencën e komunës.

2. Entet, për të cilat flet pika 1, autorizojnë vënien e sinjaleve që tregojnë vendet e shërbimit rrugor, duke përfshirë edhe sinjalet rrugore për në vendet e ndihmës së shpejtë që janë në ngarkim të këtyre enteve. Vënia dhe mirëmbajtja e sinjaleve të sipërpërmendura është në ngarkim të atyre që i kanë vendosur.

3. Kundër urdhëresave dhe vendimeve që detyrojnë ose që autorizojnë vënien e sinjaleve rrugore bëhet ankim brenda tridhjetë ditëve te ministri i Punëve Publike dhe Transportit.

Neni 38: Sinjalizimi rrugor

1. Në sinjalizimin rrugor përfshihen grupet e mëposhtme:

a) sinjalet vertikale;
b) sinjalet horizontale;
c) sinjalet e ndritshme;
d) sinjalet dhe pajisjet shtesë.

2. Përdoruesit e rrugës duhet të respektojnë kushtet që bëhen të ditura nga sinjalet rrugore, sikurse edhe për rregullat e tjera të qarkullimit. Udhëzimet e sinjaleve të semaforëve, duke përjashtuar ato të dritave të verdha të rrezikut, për të cilat bëhet fjalë në nenin 41, kanë përparësi mbi sinjalet vertikale dhe horizontale që rregullojnë përparësinë. Udhëzimet e sinjaleve vertikale kanë përparësi ndaj atyre të sinjaleve horizontale. Në çdo rast përparësinë e kanë sinjalet e policëve të trafikut sipas nenit 43.

3. Eshtë e lejuar vënia e përkohshme e sinjaleve rrugore për rastet urgjente dhe të domosdoshme, kur sinjalet e mëparshme shfuqizohen në bazë të dispozitave të pikave 6 dhe 7.

4. Gjithçka e përcaktuar në këto norma dhe në aktet në zbatim të tyre për sinjalizimin rrugor jashtë qendrave të banuara, zbatohet edhe në rrugët brenda qendrave të banuara.

5. Në aktet në zbatim, që i bashkëngjiten këtij Kodi, përcaktohen për secilin grup, sipas pikës 1, sinjalet e veçanta, sistemet ose mjetet sinjalizuese, si dhe emërtimi i tyre, domethënia, tipet, karakteristikat teknike (forma, përmasa, ngjyrat, materialet, reflektueshmëria, ndriçimi), mënyrat e shënjimit, të vendosjes dhe përdorimit (lartësi dhe largësi), normat teknike të shfrytëzimit dhe rastet e detyrueshme. Përveç këtyre, janë treguar edhe figurat e çdo sinjali të veçantë dhe komente sqaruese për domethënien e tyre dhe për mënyrën e sjelljes së përdoruesit në rrugë. Sinjalet vendosen në mënyrë të tillë që të mos përbëjnë pengesë në qarkullimin e personave invalidë.

6. Vënia e sinjalizimit rrugor i përgjigjet kritereve të uniformitetit mbi territorin e Republikës, të cilat janë përcaktuar në aktet sipas pikës 5, duke respektuar normativat e Komunitetit Europian dhe ato ndërkombëtar në fuqi.

7. Sinjalizimi rrugor duhet të mbahet gjithmonë në eficiencë të përkryer nga ana e enteve të ngarkuara për vënien e tij në përdorim dhe duhet të zëvendësohet, riparohet ose hiqet kur është, qoftë edhe pjesërisht, i pavlefshëm, ose kur nuk i përgjigjet më qëllimit, për të cilin është vënë.

8. Eshtë e ndaluar të vendoset mbi një sinjal të çfarëdo grupi, si dhe në pjesën e prapme apo në mbajtësen e tij, të gjithçkaje që nuk është e parashikuar në aktet në zbatim.

9. Në aktet në zbatim përcaktohen hapësirat e rezervuara për instalimin e komplekseve sinjalizuese të drejtimit, në kryqëzimet e rrugëve ose në afërsi të tyre.

10. Vendet e përdorimit të detyrueshëm të sinjalizimit rrugor përfshijnë rrugët e përdorimit publik dhe të gjitha rrugët në pronësi private, që janë të hapura për përdorimin publik. Në zonat private që nuk janë të hapura për përdorimin publik, vendosja dhe përdorimi i sinjalizimit duhet të bëhet sipas udhëzimeve të përshkruara në aktet në zbatim.

11. Për kërkesa të veçanta të trafikut ushtarak, në rrugët e përdorimit publik lejohet vendosja e sinjalizimit rrugor ushtarak, me mënyra të veçanta të vendvendosjes, normat për të cilën janë fiksuar në aktet në zbatim. Entet pronare të rrugëve janë të detyruara të lejojnë vendosjen në rrugë në mënyrë të përkohshme ose të përhershme të sinjaleve të gjykuara të nevojshme nga autoritetet ushtarake për qarkullimin e mjeteve të tyre.

12. Subjektet e ndryshme që nuk janë ente pronare të rrugës dhe që shkelin dispozitat e pikave 7, 8, 9 dhe 10, ndëshkohen me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë.

13. Ndaj enteve pronare të rrugës që nuk përmbushin detyrimet e këtij neni ose të akteve në zbatim, apo që nuk përdorin siç duhet sinjalizimin e parashikuar, Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse urdhëron përmbushjen e detyrimeve që u takojnë. Në rast mosbindjeje, brenda pesëmbëdhjetë ditëve nga dhënia e urdhrit, ministri i Punëve Publike dhe Transportit merr masa për përmbushjen e këtyre detyrimeve, duke i vënë në ngarkim entit pronar të rrugës shpenzimet përkatëse.

14. Shkelja e dispozitave të këtij neni nga ana e përdoruesve të rrugës sanksionohet nga neni 144.

Neni 39: Sinjale vertikale

1. Sinjalet vertikale ndahen në këto kategori:

A) Sinjalet e rrezikut paralajmërojnë praninë e rreziqeve, tregojnë natyrën e tyre dhe i detyrojnë drejtuesit e mjeteve të mbajnë një qëndrim të kujdesshëm.
B) Sinjalet urdhëruese bëjnë të ditur detyrimet, ndalimet dhe kufizimet, të cilave duhet t'u nënshtrohen përdoruesit e rrugëve. Ato ndahen në:
a) sinjale të përparësisë;
b) sinjale të ndalimit;
c) sinjale të detyrimit.
C) Sinjalet treguese u japin përdoruesve të rrugës informacionin e nevojshëm a të dobishëm për t'i udhëhequr dhe për gjetjen e zonave të caktuara, itinerareve, shërbimeve dhe impianteve. Ato ndahen në:
a) sinjale paralajmëruese;
b) sinjale të drejtimit;
c) sinjale pohuese;
d) sinjale të identifikimit të rrugëve;
e) sinjale të itinerarit;
f) sinjale të qendrave të banuara;
g) sinjale të emrave të rrugëve;
h) sinjale turistike të territorit;
i) sinjale të tjera që japin informacion të dobishëm për drejtimin e mjeteve;
j) sinjale të tjera që tregojnë impiante dhe shërbime.

2. Aktet në zbatim caktojnë format, përmasat, ngjyrat dhe simbolet e sinjaleve rrugore vertikale dhe mënyrat e vënies e të shfrytëzimit të tyre.

3. Ndaj subjekteve të ndryshme që nuk janë ente pronare të rrugës, por që shkelin dispozitat e këtij neni dhe ato të akteve në zbatim të tij, zbatohet pika 13 e nenit 38.

Neni 40: Sinjale horizontale

1. Sinjalet horizontale të shënuara në rrugë shërbejnë për rregullimin e qarkullimit, për të drejtuar përdoruesit, si dhe për të dhënë udhëzime dhe tregues të dobishëm për sjellje të veçanta që duhen mbajtur.

2. Sinjalet horizontale ndahen në:

- vija gjatësore;
- vija tërthore;
- vendkalime këmbësorësh ose biçikletash;
- shigjeta drejtuese;
- shkrime dhe simbole;
- vija kufizuese për vendet e qëndrimit ose për vendqëndrimet e rezervuara;
- ishuj trafiku ose sinjalizimi paraprak për pengesa brenda karrexhatës;
- vija kufizuese të stacioneve të qëndrimit të mjeteve të transportit publik të linjës;
- sinjale të tjera të parashikuara nga aktet në zbatim.

3. Vijat gjatësore mund të jenë të vazhdueshme ose të ndërprera. Vijat e vazhdueshme, me përjashtim të atyre që kufizojnë korsinë e emergjencës, tregojnë kufirin e pakapërcyeshëm të një korsie lëvizjeje ose të karrexhatës, kurse vijat e ndërprera kufizojnë korsitë e lëvizjes ose karrexhatën.

4. Një vijë gjatësore e vazhdueshme mund të vendoset ngjitur me një të ndërprerë; në këtë rast ato u tregojnë drejtuesve të mjeteve që lëvizin në të djathtë të vijës së ndërprerë, se mund t'i kalojnë këto vija.

5. Një vijë tërthore e vazhduar tregon kufirin, para të cilit drejtuesi i mjetit është i detyruar të ndalojë mjetin për të respektuar sinjalin e semaforit, sinjalin "ndalo dhe jep përparësi", sinjalin "kalim në nivel" ose sinjalin e personelit që kryen shërbimin e policisë rrugore.

6. Një vijë tërthore e ndërprerë tregon kufirin, para të cilit drejtuesi i mjetit është i detyruar të ndalojë mjetin për të respektuar sinjalin "jep përparësi".

7. Në aktet në zbatim janë përcaktuar normat për format, përmasat, ngjyrat, simbolet dhe karakteristikat e sinjaleve rrugore horizontale, si dhe për mënyrën e përdorimit të tyre.

8. Vijat gjatësore të vazhduara nuk duhet të kapërcehen. Eshtë e ndaluar të kapërcehen vijat gjatësore të vazhduara, përveçse nga ana e vijës gjatësore të ndërprerë, kur kjo e fundit ndodhet ngjitur me të vazhduarën.

9. Vijat anësore të rrugës mund të kalohen vetëm nga mjetet e shërbimit publik ose të mjeteve që duhet të kryejnë ndalime emergjence.

10. Nuk lejohet:

a) ndalimi në karrexhatë, anët e së cilës dallohen nga një vijë e vazhduar;
b) qarkullimi mbi vijat gjatësore, përveçse kur ndërrohet korsi;
c) qarkullimi i mjeteve të paautorizuara në korsitë e rezervuara.

11. Në vendkalimet e këmbësorëve drejtuesit e mjeteve duhet t'u japin përparësi këmbësorëve që kanë filluar kalimin. Vendkalimet e këmbësorëve duhet të jenë gjithmonë të kalueshme edhe për karrocat me rrota të invalidëve.

Neni 41: Sinjale të ndritshme

1. Sinjalet e ndritshme ndahen në këto kategori:

a) sinjale të ndritshme rreziku dhe udhëzuese;
b) sinjale të ndritshme treguese;
c) fenerë semafori normale për mjetet;
d) fenerë semafori korsie për mjetet;
e) fenerë semafori për mjetet e transportit publik;
f) fenerë semafori për këmbësorët;
g) fenerë semafori për biçikleta;
h) fenerë semafori për mjetet për korsi me dy sense lëvizjeje;
i) fenerë semafori e verdhë vezulluese;
j) fenerë semafori të veçantë;
k) sinjale të ndritshme të veçanta.

2. Dritat e semaforëve normalë për mjetet janë me formë rrethore dhe me ngjyrë:

- të kuqe, që ka kuptimin e ndalimit;
- të verdhë, që ka kuptimin e paralajmërimit të ndalimit;
- të gjelbër, që ka kuptimin e rrugës së lirë.

3. Dritat e fenerëve të semaforëve të korsisë për mjetet rrugore kanë formën e shigjetës së ngjyrosur në sfond të zi; ngjyrat janë e kuqe, e verdhë dhe e gjelbër; kuptimi është i njëjtë me atë të pikës 2, por vepron vetëm mbi mjetet që lëvizin në drejtimin e treguar nga shigjeta.

4. Dritat e fenerëve të semaforëve për mjetet e transportit publik kanë formën e një shiriti të bardhë në sfond të zi, horizontalisht ka kuptimin e ndalimit, vertikalisht ose i prirur në të majtë apo në të djathtë ka kuptimin e rrugës së lirë ose përkatësisht ktheu majtas apo djathtas, si dhe një trekëndësh të verdhë në sfond të zi që ka kuptimin e paralajmërimit të ndalimit.

5. Vendkalimet e semaforizuara të këmbësorëve mund të jenë të pajisura me sinjalizim zanor për të verbrit. Dritat e fenerëve të semaforit të këmbësorëve janë në formën e një këmbësori me ngjyrë në një sfond të zi. Ngjyrat janë:

a) e kuqe, që ka kuptimin e ndalimit dhe nuk i lejon këmbësorët të kalojnë ose të zënë karrexhatën;
b) e verdhë, që ka kuptimin e zbrazjes së vendkalimit të këmbësorëve dhe që i lejon këmbësorët që ndodhen brenda vendkalimit, ta zbrazin sa më shpejt atë dhe ndalon ata që janë në trotuar të hyjnë në karrexhatë;
c) e gjelbër, që ka kuptimin e rrugës së lirë dhe që i lejon këmbësorët të kalojnë karrexhatën vetëm në drejtim të dritës së gjelbër.

6. Dritat e fenerëve të semaforëve për biçikletat kanë formën e biçikletës së ngjyrosur në sfond të zi; ngjyrat janë e kuqe, e verdhë dhe e gjelbër; kuptimi është i njëjtë me atë të pikës 2, por vepron vetëm mbi biçikletat që vijnë nga një korsi biçikletash.

7. Dritat e fenerëve të semaforëve për korsi me dy sense lëvizjeje janë: të kuqe dhe në formë x, me kuptimin e ndalimit të kalimit nëpër korsi ose të zënies së rrugëkalimit poshtë dritës; e gjelbër, që ka kuptimin e lejimit të kalimit nëpër korsi ose të zënies së rrugëkalimit poshtë dritës.

8. Gjatë periudhës kur drita e gjelbër është e ndezur, mjetet mund të lëvizin në të gjitha drejtimet e lejuara nga sinjalet vertikale dhe horizontale; në çdo rast mjetet nuk mund të zënë zonën e kryqëzimit, nëse drejtuesit e mjeteve nuk janë të sigurt se mund ta lirojnë atë para se të ndizet drita e kuqe; drejtuesit e mjeteve duhet t'u japin gjithmonë përparësi këmbësorëve dhe biçikletave, të cilëve u është hapur në të njëjtën kohë drita e gjelbër, drejtuesit e mjeteve në kryqëzimet në nivel duhet t'u japin, gjithashtu, përparësi mjeteve që vijnë nga e djathta dhe mjeteve të rrymës së trafikut, në të cilën ato po futen.

9. Gjatë periudhës kur drita e verdhë është e ndezur, mjetet nuk mund të tejkalojnë shënjat përkatëse të ndalimit, sikurse flitet në pikën 10, vetëm në qoftë se ndodhen aq afër këtyre shënjave në momentin e ndezjes së dritës së verdhë, saqë është e pamundur të frenojnë në mënyrë të sigurtë pa kapërcyer këto shënja; në këtë rast drejtuesit e mjeteve duhet të dalin me kujdesin e duhur nga zona e kryqëzimit.

10. Gjatë periudhës kur drita e kuqe është e ndezur, mjetet nuk mund të kalojnë vijat e përcaktuara për ndalimin; në mungesë të këtyre vijave, mjetet nuk duhet të zënë as zonën e kryqëzimit dhe as vendkalimin e këmbësorëve, si dhe të kalojnë sinjalin sa të mos shohin dot treguesit e tij.

11. Ndriçimi i dritave të semaforit të korsisë për mjetet ose ndriçimi i dritave të semaforit të mjeteve të transportit publik kanë të njëjtën domethënie me ndriçimin e dritave të semaforit normal, por në këtë rast vlejnë vetëm për mjetet që duhet të ndjekin drejtimin e treguar nga shigjetat, për pasojë drejtuesit e këtyre mjeteve duhet t'u përmbahen të njëjtave dispozita si në pikën 8, 9 e 10.

12. Në rastin kur drita e semaforit për këmbësorët ose ajo për biçikletat është e fikur apo treguesit nuk janë në rregull, këmbësori a drejtuesi i biçikletës është i detyruar të sillet me kujdesin më të madh kundrejt drejtimeve, për të cilat janë të ndezura dritat dhe lejojnë kalimin e mjeteve që ndërpriten me trajektoren e tyre të kalimit.

13. Gjatë kohës së ndezjes të dritës së gjelbër, të verdhë ose të kuqe në formë biçiklete, drejtuesi i biçikletës duhet të veprojë njësoj si drejtuesit e mjeteve në rastin kur janë ndezur dritat e semaforit për mjetet normale, për të cilat flitet në pikat 8, 9 e 10.

14. Në mungesë të dritave të semaforit për biçikletat, drejtuesit e tyre duhet të sillen mbi kryqëzimet e semaforizuara njësoj si këmbësorët.

15. Gjatë periudhës së ndezjes së dritave të fenerëve semaforikë për korsi me dy sense lëvizjeje, drejtuesit e mjeteve nuk mund të lëvizin në këtë korsi ose të futen në zonën që është poshtë dritës së kuqe në formë X; mund të lëvizin nëpër korsi ose të futen në zonën që është poshtë dritës së gjelbër në formë shigjete të kthyer nga poshtë. Eshtë i palejueshëm gjithsesi ndalimi përpara dritave të fenerëve semaforikë për korsi me dy sense lëvizjeje, edhe kur drita është e kuqe në formë X.

16. Në prani të dritës së verdhë me llampë, siç tregohet në pikën 1, shkronja "i", mjetet mund të lëvizin, por me shpejtësi të moderuar dhe me një kujdes të veçantë, duke respektuar normat e përparësisë.

17. Kur ndodh ndonjë avari ose për shkaqe të tjera një dritë semafori për mjetet është e shuar apo paraqet çrregullime të ndryshme, drejtuesit e mjeteve janë të detyruar të veprojnë me kujdes të madh dhe me një shpejtësi minimale, edhe në qoftë se në drejtimet e tjera janë ndezur dritat që lejojnë kalimin e mjeteve.

18. Me aktet në zbatim janë përcaktuar format, karakteristikat, përmasat, ngjyrat dhe sinjalet ndriçuese dhe bashkë me to edhe mënyrat se si të sillen përdoruesit e rrugës dhe çfarë qëndrimi të mbajnë në situata të ndryshme me sinjalet.

Neni 42: Sinjale plotësuese

1. Sinjalet plotësuese janë të destinuara të tregojnë:

a) drejtimin rrugor;
b) kthesat e veçanta dhe pikat kritike;
c) pengesat e vendosura mbi rrugë ose anash saj.

2. Gjithashtu, sinjale plotësuese janë edhe sistemet e destinuara për të penguar vendqëndrimin dhe për të ngadalësuar shpejtësinë.

3. Aktet në zbatim caktojnë format, përmasat dhe simbolet e sinjaleve plotësuese, karakteristikat e tyre konstruktive dhe mënyrat e vendosjes së tyre.

Neni 43: Sinjalizime të policëve të trafikut

1. Përdoruesit e rrugës janë të detyruar t'u binden pa diskutim sinjalizimeve të policëve të caktuar për rregullimin e trafikut.

2. Udhëzimet e dhëna nëpërmjet sinjalizimeve të kryera nga policët anulojnë çfarëdo udhëzimi tjetër të dhënë nëpërmjet sinjalitikës rrugore dhe normave të qarkullimit.

3. Sinjalizime të policëve janë veçanërisht:

a) Krahu i ngritur vertikalisht tregon "kujdes, ndalo" për të gjithë përdoruesit, me përjashtim të drejtuesve të mjeteve që nuk janë më në gjendje të ndalojnë në kushte të mjaftueshme sigurie; nëse sinjali jepet në një kryqëzim, ai nuk do të thotë ndalim për përdoruesit e mjeteve që kanë hyrë tashmë në të;
b) krahët ose krahu i shtrirë horizontalisht tregon "ndalo" për gjithë ata përdorues që vijnë nga drejtime që kryqëzohen me drejtimin e treguar nga krahët, kurse për ata që vijnë nga drejtime të njëjta me drejtimin e krahëve, ku sinjal do të thotë "rrugë e lirë".

4. Pas sinjalizimit të pikës 3, polici mund ta ulë krahun ose krahët; pozicioni i ri tregon njësoj "ndal" për gjithë përdoruesit e rrugës që gjenden përballë policit ose prapa tij, kurse për ata që gjënden anash tij, ky sinjal tregon që "rruga është e lirë".

5. Policët, për kërkesa të lidhen me rrjedhshmërinë ose sigurinë e qarkullimit, mund, gjithashtu, të rritin ose ta zvogëlojnë shpejtësinë e mjeteve, të ndalojnë ose të kthejnë rrjedha mjetesh ose mjete të veçanta, si dhe të japin urdhra të veçantë për zgjidhjen e situatave të vështira, edhe kur kjo është në kundërshtim me sinjalizimin ekzistues ose kur është në kundërshtim me normat e qarkullimit. 6. Në aktet në zbatim janë përcaktuar sinjale të tjera që janë të domosdoshme për rregullimin e trafikut, si dhe mënyrat dhe mjetet që e bëjnë më të lehtë njohjen dhe pamjen në largësi, ditën ose natën, të policëve të trafikut dhe të sinjaleve të tyre, edhe nëpërmjet sinjaleve të posaçme dalluese.

Neni 44: Kalimet në nivel

1. Pranë kalimeve hekurudhore në nivel me barriera mund të vendoset, në të djathtë të rrugës, një sinjal me një dritë të kuqe të fiksuar, i vënë me shpenzimet dhe nën kujdesin e administruesit të hekurudhës, i cili lajmëron në kohën e duhur për mbylljen e barrierave dhe që është i pajisur me një sinjal tjetër akustik. Sistemet ndriçuese ose akustike janë të detyrueshme kur bëhet fjalë për barriera të manovrueshme në largësi, ose që nuk janë të dukshme nga vendi i manovrës. Konsiderohen barriera hekurat, tubat metalikë ose mjetet e tjera që shërbejnë njësoj si mjete mbyllëse.

2. Pranë kalimeve hekurudhore në nivel me gjysmëbarrierë duhet të vendosen në të djathtë të rrugës, nën kujdesin dhe me shpenzimet e atij që e administron hekurudhën, një sistem ndriçues me dy drita të kuqe që e alternojnë ndriçimin ndërmjet tyre dhe funksionojnë në kohën kur duhet të paralajmërojnë për mbylljen e gjysmëbarrierave, të lidhura me një sistem me sinjale akustike. Gjysmëbarrierat mund të vendosen vetëm në rastin kur karrexhata ku kalojnë mjetet është e ndarë në dy sense të ndryshme lëvizjeje nga trafikndarëse të pakalueshme që janë shtrirë në gjatësinë e përshtatshme. Kalimet në nivel mbi rrugët me sens unik që janë të pajisura me barriera, të cilat zënë të gjithë rrugën vetëm në hyrje të saj, konsiderohen kalime në nivel me gjysmëbarriera.

3. Në aktet në zbatim përcaktohen sinjale vertikale dhe horizontale të detyrueshme për paralajmërimin dhe për sinjalizimin e kalimeve në nivel, karakteristikat e sinjaleve vertikale, ndriçuese dhe akustike, si dhe sipërfaqet minimale të ndriçuara të barrierave, të gjysmëbarrierave dhe të kavaletave që vendosen në rast avarie.

4. Veprat e domosdoshme për të siguruar fushëpamjen e hekurudhave kanë karakter të shërbimit në dobi të publikut.

Neni 45: Uniformiteti i sinjalizimeve, mjetet e rregullimit e të kontrollit dhe homologimet

1. Janë të ndaluara prodhimi dhe vënia e sinjalizimeve rrugore të paparashikuara nga ky Kod dhe aktet në zbatim të tij.

2. Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse urdhëron entet pronare, koncesionere ose administrues të rrugëve, bashkitë, komunat, rrethet, ndërmarrjet ose personat e autorizuar dhe të ngarkuar me vënien e sinjalizimeve rrugore, të zëvendësojnë, zhvendosin, heqin a korrigjojnë, brenda një afati kohor prej pesëmbëdhjetë ditësh, çdo sinjal të papërshtatshëm për karakteristikat, mënyrën e zgjedhjes së simbolit, mënyrën e vendosjes dhe për vendin ku është vënë. Kjo ndodh kur nuk është siç është parashikuar në Kod ose aktet përkatëse në zbatim dhe e bëjnë të papërshtatshëm një sinjal që mund të sjellë çrregullime a ngatërrime në rrugë me sinjale të tjera. Gjithashtu, duhet të vendosen sinjalizimet rrugore edhe atje ku mungojnë. 3. Me kalimin e afateve të përcaktuara në pikën 2, lëvizja, zëvendësimi, vendosja, zhvendosja dhe korrigjimi i gjithçkaje tjetër që duhet për të rregulluar sinjalizimin rrugor, kryhet nga Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse me shpenzimet e enteve pronare të rrugës. 4. Për sinjalet që tregojnë instalime a shërbime të vëna në përdorim nga subjektet e autorizuara, enti pronar i rrugës mund t'u komunikojë, kur është e nevojshme, këtyre subjekteve për riintegrimin, zhvendosjen ose heqjen e menjëhershme brenda 10 ditëve, të sinjaleve që nuk janë në përputhje me normat sipas pikës 2, ose që janë edhe vetëm pjesërisht të dëmtuara, ose që nuk i përgjigjen më kushteve lokale dhe që mund të shqetësojnë a të ngatërrojnë dukshmërinë e sinjaleve të tjera rrugore. Me mbarimin e afatit të përcaktuar në komunikim, enti pronar i rrugës vepron vetën me shpenzimet në ngarkim të shkelësit. Organi kompetent i pushtetit lokal, me kërkesë të entit pronar, urdhëron pagesën e tij. Urdhri i tij është i formës së prerë.

5. Në aktet në zbatim janë përcaktuar sinjalet, sistemet, aparaturat dhe të tjera mjete teknike të kontrollit dhe rregullimit të trafikut, si dhe ato akte të verifikimit dhe identifikimit automatik të shkeljeve të normave të qarkullimit dhe të materialeve që për nga fabrikimi dhe shpërndarja e tyre janë subjekt i miratimit dhe homologimit nga ana e Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse, duke verifikuar paraprakisht karakteristikat gjeometrike, fotometrike, funksionale dhe gjithçka tjetër të nevojshme. Në të njëjtat akte në zbatim janë përcaktuar, gjithashtu, edhe mënyrat e homologimit e të miratimit.

6. Cilido që shkel normat e pikës 1 dhe të akteve përkatëse në zbatim, dënohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë lekë deri në njëqind mijë lekë.

7. Prodhimi i sinjalizimeve rrugore lejohet vetëm për ndërmarrjet e licensuara nga Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse, sipas nenit 35, pika 3, që parashikon nëpërmjet një shërbimi të veçantë, verifikimin e kërkesave teknike, profesionale dhe përdorimin e atrecaturave të përshtatshme, që tregohen në aktet në zbatim.

8. Cilido që në mënyrë abuzive prodhon ose shet sinjale, sisteme ose aparatura sipas pikës 5, të pahomologuara ose që nuk përputhen me prototipin e homologuar, kur ky akt nuk përbën krim, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëdhjetë mijë deri në dyqind mijë lekë. Kjo shkelje shoqërohet me masë administrative të konfiskimit të objekteve të shkeljes.


Faqe 2
faqe
- 3 -

Faqe 4