Bagëti e Bujqësi
"Bagëti e Bujqësi" është poemë e shkruar nga shkrimtari shqiptar Naim Frashëri e cila është botuar për herë të parë në Bukuresht më 1886 në të përkohshmen "Drita".
Subjekti
[redakto]E mbajtur si kryevepra e tij, në këtë poemë baritore barinj dhe katundarë shfaqen përsëpari në skenën letrare toske. Ata janë diçka më shumë se elementë zbukurues në përshkrimin peizazhit fshatarak. I përmalluar pas fshatit ku ishte lindur e rritur, Naimi e përshkruan në mënyrë idilike, ku asgjë nuk e cënon euforinë mistike dhe të gjitha konfliktet gjejnë pajtim dhe fashitje.
Bagëti e Bujqësi (Poema)
[redakto]O malet e Shqipërisë! E ju o lisat e gjatë, Fushat e gjera me lule, q’u kam nër mënt dit’ e natë, Ju bregore bukuroshe e ju lumënjt’ e kulluar, Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pyje të gjelbëruar! Do të këndonj bagëtinë, që mbani ju e ushqeni, O t’vëndethit e bekuar, ju mëndjenë ma dëfreni! Ti, Shqipëri më ep nderë, më ep emërin Shqipëtar, Zemrënë ti ma gatove plot dëshirë dhe me zjarr. Shqipëri! Ò mëma ime! Ndonëse jam i mërguar, Dashurinë tënde kurrë, zemëra s’e ka harruar. Kur dëgjoj zëthin e s’ëmës, qysh e lë qengji kopenë, Blegërinë dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë, Edhe në i prefshin udhën njëzetë a tridhjetë vetë E ta trembin, ajy s’kthehet, po shkon në mest si shigjetë. Ashtu dhe zemëra ime më le këtu, tek jam, mua, Vjen me vrap e me dëshirë aty në viset e tua. Tek buron ujët e ftohtë, edhe fryn veriu në verë, Tek mbin lulja me gas shumë e me bukuri e m’erë, Ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtija, Ku mërzen cjapi me zile, atje i kam mënt’ e mija; Atje lint diell’ i qeshur edhe hëna e gëzuar, Fat’ i bardh’ e mirësija n’atë vënt janë mbluar; Nat’ atje ‘shtë tjatrë natë, edhe dita tjatrë ditë. Në pyjet e gjelbëruar, atje rrinë Perënditë. Mëndje! Merr fushat e malet, jashtë, jashtë nga qyteti, Nga brenga, nga thashethemet, nga rrëmuja nga rrëmeti. Tek këndon thëllëza me gas edhe zogu me dëshirë, E qyqeja duke qeshur, bilbili me ëmbëlsirë, Tek hapetë trëndafili, atje ma ka ënda të jem, Bashkë me shpestë edhe unë t’ja thërres këngës e t’ja them. Të shoh kecërit e shqerrat, deshtë, cjeptë, dhënte, dhitë, Qiellin e zbukuruar, dhenë me lul’ e me dritë. Vashë bukurosh’ e bariut, që vjen me llërë përveshur, Me zemër të dëfryer e me buzëzë të qeshur, Me dy shqerrazë ndër duar të bukura, si dhe vetë, Në sythin t’ënt e shoh gazë, që s’e kam gjetur ndë jetë. Dashi susk’ e me këmborë, q’e ke manar, po të vjen pas Dhe qeni me bes’ i larmë, të ndjek me dëshir’ e me gas; Dashç Perëndinë, pa më thua, amës na pe bagëtinë? I lash’ atje pas më të gdhirë... jâ atje përtej tek vinë! O! Sa bukuri ka tufa, sa gas bije bagëtija! Vinë posi mblet’ e plotë! I bekoftë Perëndija! Nëpër shesh’ e nër bregore janë përhapur shqerrat, E kecërit në për rripat, dhe gjethet e në ferrat; Sa me vrap e me gas bredhin, edhe lozin shoku me shok Aty përhapenë me nxit, aty mblidhenë prapë tok, Edhe prapë tufë-tufë, përhapenë duke bredhur, Duke ikur me vrap shumë, duke lojtur, duke hedhur, Nxitojn’ e s’lodhenë kurrë, edhe kur i mer urija, Sicili futet në tufë, suletë te mëm’ e tija, Posa gjen mëmën e dashur, edhe me vrap i hyn në gji, Rri më gjunjë dhe zë sisën, e qumështin e ëmbël pi: Pa e ëma me mall shumë, ndo dhi qoftë e ndo dele, Bir’ e vetëm e merr në gji, me gas e me përkëdhele. Sa të mirazë ke dhenë! Zot i math e i vërtetë! E ç’nom të hekur vure, për çdo gjë q’është në jetë! Sa më pëlqen blegërima, zër’ i ëmbl’ e i bagëtisë, Qengji edhe kec’ i bukur, që rri më gjunj’ e pi sisë! Përhapurë bagëtija, në për sheshe, në për brinja, Nër lajthi e në për dushnja, ndërr murriza, në dëllinja, Bijen zilet e këmborët, dhe fyelli e xhuraja, Dhe mbleron e gjelbërojnë fusha, male, brigje, maja, Edhe gjithë gjë e gjallë, ndjen në zemrë një dëshirë, Një gas t’ëmbël’ e të shumë. O! Sa e bukur e sa e mirë! Pelën e ndjek mëz’ i bukur, lopës i vete viç pas, Dellëndyshja punëtore, bën folenë me të math gas, Ogiçi ikën përpara, i bie tufës në ballë, Me zemrë të çelur shumë, vete si trimi me pallë, Zoqtë zënë këng’ e valle dhe po kërcejn’ e këndojnë. E në për dega me lule, si engjëllit fluturojnë, Larashi ngrihet përpjetë, thua q’i shpije Perëndisë, Një lëvdatë të bekuar për gëzim të gjithësisë. Qielli sa ësht’ i kthiellt, e sa është zbukuruar! E dielli sa ndrin bukur, mbi lulet e lulëzuar! Gjithë këto lule ç’janë? Që u ngjallë me një herë! Nga qielli ke zbritur? Ver’ o e bukura verë! Çdo lulezë ka me vet-he, një emër’ e një fytyrë, Një bukuri, një mirësi, një shtat, nj’ erë e një ngjyrë, Si dhe çdo dra e çdo pemë, edhe çdo bar e do fletë, Sa ësht’ e bukur faq’ e dheut! S’të zë syri gjë të metë, Gjithë kjo bukuri vallë nga dheu të ketë mbleruar? A me të matht të ti Zoti prej parrajs’ e ka dërguar? ... Veç një njeri shoh pa punë dhe të mjer’ e të brengosur, Të këputur, të mejtuar, të grisur e të rreçkosur, Lipën i gjori pa shpresë, se atje e pru përtimi, S’i ka mbetur gaz në zemrë, se s’i la vënt hidhërimi; Është njeri, si dhe neve, pa ep-i-ni, o të pasur, E mos e lini të urët dhe të mjer’ e buzë-plasur, Se përtim’ i zi, q’e pruri të gjorin më këtë ditë, Nuk’ e dimë vet’ e xgjodhi, apo ja dhanë perënditë; Edhe për një mizë, kur heq, i vjen keq njeriut të mirë, Zemëra s’thuhetë zemrë, po të keshë mëshirë. Ah! Edh’ atje tej mbi udhë, i duket i shkreti varri! Rrethuar me lul’ e me bar, një të gjori udhëtari, Që ka vdekur i ri shumë, e ka rarë lark shtëpisë, Mërguar nga mëm’ e motrë, i rri si mëmëzë dh’ e qan, Ndarë nga të gjithë shokët, edhe zi për të mjerin mban. Tomor! O mal i bekuar, fron i lartë, që rri Zoti Pas fes vjetrë që kishin Shqipëtaretë që moti, Dhe ti Mali-Plak i lartë, që me syt e tu ke parë, Luftëra të mëdha shumë, e punë, që kanë ngjarë. O malet e Shqipërisë, që mbani kryet përpjetë, Tëmer e frikë përhapni! Përpini qiejt e retë! Të pa tundur për jetë jini, pa kur oshëtini, Udhëtaritë në zemrë frikë të madhe i vini; Kini shkëmbenj, gërxhe, lisa, lumënj dhe dëborë ndër gji, Përsiprë lule’ e gjethe dhe brënfa ergjënt e flori: E ju fusha bukuroshe, edhe të majm’ e pjellore, Ju sheshet e lulëzuar ju bregore gjelbëroshe. Q’u fali Zoti të mira, u mba me shumë pekule, U dha bar e gjeth e veri, zoq e flutura e lule, Zemrën’ e varfërë t’ime, aty ndër ju e kam mbuluar, Jam lark jush i dëshëruar, edhe s’e duronj dot mallë, Po s’e di si dua unë do t’i shoh njëherë vallë! Të paskësha vrapn’ e veriut, të kisha krahë pëllumbi, Nxitimn’ e lumit me valë, q’ikën me verik si plumbi, E të vinja në gjit’ t’uaj nj’ujë të ftohtë të pinja, Edhe në për ato hije një copë herë të rrinja, Syt’ e ballit t’i xbavitnje, zemërënë ta dëfrenje, Gazë, që paçë një herë, prap’ aty ndër ju ta gjenje. O popo! Kshu pse më vili, përpara syve pa pushim? O ditët’ e djalërisë! O moj kohëz’ e të rit t’im! O flutura krahë-shkruar! Që fluturon në për erë, As mer dhe zëmërënë t’ime, me vet-hezë dhe ma shpjerë. Nër malet e Shqipërisë, tek kullosën bagëtija, Tek i fryn bariu xhurasë, tek më rrinë mënt’ e mija, Ku shkon me zile të madhe, ogiçi për mes lajthisë, Po zjen e oshëtin mali, ngraha zër’ i bagëtisë; Marrënë vrapn’ e nxitojnë, derdhen në gjollë për kripë, Dhënët ndër shesh’ e ndër brigje, dhit në shkëmp e në rripë. Bariu plak krabën në dorë, edhe urdhëron të rinjtë, E ata gjithë punojnë, ngriturë më bres përqinjtë: Ca bëjnë vathën e shtrungën, ca ngrehin tëndënb e stanë, Kush sjell gjeth, karthij’ e shkarpa, sicilido ndih më një anë Kush përvjel, kush qeth shëleknë, kush mjel dhitë, kush mjel dhëntë, Njëri merr ushqen këlyshnë, tjatri përgëzon qëntë, Stopani bër’ i zi sterrë, shikon bulmetn’ e bekuarë, Tunt, bën gjalpë, djathë, gjizë, edhe punon pa përtuar; Udhëtarvet, gjahëtorvet, q’u bije udha ndër male, U ep mish, qumësht, kos, dhallë, ajkë, djathë, bukëvale... Kec’ i mbeturë pa mëmë dhe i varfër’ e i shkretë, Mënt mëmënë, që ka mbetur pa bir e pa gaz në jetë. Dëgjoret nga mez’ i pyllit krism’ e sëpatës s’druvarit, E sharresë, që bën lëndë, edhe fyell’ i shterparit. Shterpari s’i qaset stanit, po nër pyje nij’ e ngrihet, Në për maja, nër bregore, rri, këndon, a gdhënt, a shtrihet; S’i trëmbetë syri kurrë, vetëm ajy dit’ e natë, Nga ujku e nga kusari s’ka frik’ as nga lis’ i gjatë, As nga shkëmbenjt’ e nga pylli; as gogolëtë s’e hanë, Armëtë ka shok e vëlla, mëm’ e motërë xhuranë, Miqt’ e ti shqerratë janë, kecëritë, dhitë, dhëntë, Cjeptë, ziletë, këmborët, deshtë, e më teprë qëntë, Që s’flenë, po rrin’ e ruajnë bagëtinë dhe barinë, Kur shohin, tundin bishtin, dhe me gaz të math i vinë: S’e hanë njerin’ e mirë edhe mikn’ e udhëtarë, Se njohën, po të liknë, egërsirënë, kusarë. Vjen nata, e lë në t’errët, del hëna i përhap dritën, Vjen mëngjesi, sbardhëllehet, lint diell’ i bije ditën; Yjtë, hëna, djelli, shënja, lindin e prapë perëndojnë, Gjithë ç’lëvrijnë nër qiej, përpara syvet i shikojnë; Mblidhen ret’ e hapësira, bënetë e zezë sterrë, Vetëtimat e gjëmimet nisin, e shiu zë të bjerë, Bariu vë gunën më kokë, z’eshkën me herë të parë, Ndes shkarpat sakaqëherë, a lisnë fyl, dhe bën zjarrë; Fishkëllen e thërret qentë si cilën me emër veçan, Pa kur derdhetë baliku! Ujkun e zë edh’ e përlan, Sa bisha, që bie dëmnë, errësir, e mjergull kërkon, Papo bariu shum’ ahere vë re dhe mba vesh e dëgjon: Dhe sokëllin me zë të math, tunden malet e shkëmbenjtë, Gumzhitin pyjet e veshur, e oshëtinjë përrenjtë! Ësht’ e lehtë dhi e stani, që kullot gjethin e malit, Dhe bij’ e fle majë shkëmbit e pi ujëthit e zallit, Dhi e shtëpis’ ësht’ e plokshtë, fle në vath’ e nënë strehë, E pi ujët e rrëkesë edhe shtrihetë në plehë, Ësht’ e butëz, edh’ e qetë dhe e urtë manare, Nukë është si malsorja, andaj i thonë bravare. Në pshat, posa sbardhëllehet, sheh në plakëzë të gjorë, Ngrihet, hap derën nga-dale
Bagëti e Bujqësi (analizë)
[redakto]Poema "Bagëtia e bujqësia" u botua më 1886.Është një nga veprat më të bukura e më të frymëzuara jo vetëm të Naimit, por edhe të krejt letërsisë së Rilindjes. Askush para Naimit nuk i kishte kënduar dashurisë e mallit për atdhe, krenarisë kombëtare dhe bukurisë së natyrës shqiptare me një pasion aq të zjarrtë e me një gjuhë poetike aq të ëmbël e të bukur. Me këtë poemë Naimi krijoi poezinë e madhe të Atdheut e të natyrës shqiptare. Kjo vepër jo vetëm u bë e dashur për bashkatdhetarët, por krijoi një traditë të pasur edhe për poetët që erdhën më pas. Siç e tregon edhe titulli, poema përbëhet nga dy pjesë. Në pjesën e parë flitet për punët e blegtorisë, për jetën dhe punën e bariut, kurse në pjesën e dytë për punët e bujkut. Megjithatë, kjo s'është aspak një vepër për këto fusha të jetës. Prej tyre poeti vetëm sa merr pikënisje për të shprehur ndjenjat e flakta patriotike. Në të vërtetë, vepra është një himn poetik i frymëzuar, kushtuar Atdheut, natyrës dhe njerëzve të tij. Poema hapet me një apostrofë madhështore, e cila me një qartësi të habitshme na sjell para syve bukuritë e natyrës shqiptare, larminë dhe ngjyrat e saj, një peizazh të pafund plot dritë e gjallëri.
O malet e Shqipnisë e ju, o lisat e gjatë
fushat e gjera me lule q'u kam ndër mend dit' nat'
ju, bregore bukuroshe, e ju, lumenjt' e kullur
quka, kodra, brinja, gërxhe dhe pyje t'gjelbrur
do t'këndoj bagëtinë që mbani ju e ushqeni
o vendëthit e bekur ju mendjen ma dëfreni.
Motivi i mallit për atdhe zë fill që në këto vargje dhe e përshkron gjithë poemën. Larg vendlindjes, larg maleve dhe fushave, larg netëve të magjishme dhe mëngjeseve plot zhurma jetësore, poeti ndien një mall zhuritës për çdo gjë shqiptare. Në atdhe gjithçka është e bukur, ndaj dhe dëshira për t'u kthyer është e papërmbajtur dhe e flakët. Kjo dëshirë për të fluturuar drejt Shqipërisë është shprehur me mjete poetike nga më të ndjerat. Poeti dëshiron të ketë "vrapin e veriut… krahë pëllumbi…, nxitimin e lumit me valë". Me apostrofa plot drithërim ai i drejtohet "fluturës krahëshkruar" ose "dallëndyshes bukuroshe" që t'ia marrin zemrën e përmalluar e t'ia shpien në Shqipëri. Veçanërisht e goditur është similituda, e ndërtuar mbi bazën e përfytyrimeve popullore të marra nga jeta e bariut dhe e bujkut shqiptar:
Kur dëgjon zëthin e s'ëmës qysh e lë qingji kopenë
blegërinë dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë,
edhe në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë vetë,
e ta trembin ai s'kthehet, po shkon në mes si shigjetë.
Ashtu dhe zemra ime, më lë këtu, tek jam, mua,
vjen me vrap e me dëshirë aty, në viset e tua.
Një tjetër motiv i fuqishëm, që e bën poemën të dashur e frymëzuese edhe për ne sot, është krenaria për Shqipërinë, krenaria për emrin shqiptar. Me dashurinë dhe krenarinë e flaktë atdhetare, Naimi shprehu një nga idetë më të rëndësishme të lëvizjes kombëtare. Ai synonte të ngjallte tek bashkatdhetarët ndërgjegjjen kombëtare, t'i bënte të vetëdijshëm se ishin bij të një vendi me vlera të gjithanshme, të një atdheu që priste shumë prej tyre. Zëri i poetit buçet:
Ti Shqipëri, më ep nder, më ep emrin shqipëtar,
zemrën ti ma gatove plot me dëshirë e me zjarr.
Ishte e para herë në letërsinë tonë që një gjë e tillë shprehej kaq bukur, me kaq zjarr e përkushtim. Në këto dy vargje Naimi mishëron një ide të madhe e të përjetshme: nderin, dinjitetin njeriut ia jep Atdheu, balta e vendlindjes, e gatuar me gjak e djersë, me historinë e me traditat, me fisnikërinë, bujarinë e gjithë vlerat e tjera morale; lumturinë, gëzimin dhe kuptimin e jetës njeriu mund ta gjejë në atdhè, në vatrën e vet, mes njerëzve të vet. Këto vargje të pavdekshme patën një ndikim të jashtzakonshëm tek bashkatdhetarët, aq më tepër që shumë shqiptarë, të mësuar nëpër shkolla të huaja e të verbuar nga propogandat antishqiptare, e kishin për turp të pohonin kombësinë e tyre të vërtetë. Vargjet e Naimit i prekën në zemër, ua drejtuan sytë dhe shpirtin nga Atdheu, u kujtuan detyrën si bij të tij. Poema e Naimit është një vepër tipike romantike. Bota e pasur e ndjenjave, dëshira për t'u arratisur "nga brengat, nga thashethemet", nga rrëmuja e qytetit anadollak, krijon një gjendje emocionale të veçantë. Por romantizmi i Naimit është aktiv. Poeti nuk tërhiqet në gjirin e natyrës për të lënguar në vetmi e pikëllim. Përkundërazi duke u mrekulluar nga natyra e bukur shqiptare, nga jeta e thjeshtë dhe e ndershme në vendin e tij, nga fisnikëria e njerëzve të punës, ai ka dashur t'i nxisë shqiptarët ta duan Atdheun, të kthehen në vatrën e tyre dhe lumturinë ta gjejnë në punë . Motivi i punës mund të themi se shtrihet në gjithë poemën, e cila është kështu një himn për punën dhe për njerëzit e punës, për bujqit dhe barinjtë. Poeti tregon në skena të bukura e plot lëvizje veprimtarinë e përditshme të bariut, të stopanit që bën bulmet, të bujkut që vë qetë përpara menatë; madje, edhe shpendët, kafshët dhe kandrat janë në punë e në lëvizje të përhershme. Në këtë himnizim të njerëzve të thjeshtë e jo të përfaqësuesëve të klasave të larta parazitare, gjejmë edhe njëherë ndjenjat demokratike të Naimit. Jetën në atdhe Naimi e ka idealizuar, duke e paraqitur me ngjyrat më të bukura e me tone idilike. Ai nuk ka dashur t'i paraqesë plagët dhe kundërshtitë e mëdha të jetës në fshatin shqiptar të asaj kohe dhe kjo bëhet me qëllim, që t'ua bëjë sa më të dashur vendlindjen shqiptarëve. Megjithatë, aty-këtu depërton edhe ndonjë hollësi që tërthorazi flet për ato plagë: varri i një udhëtari të vdekur larg shtëpisë, një plakë e drobitur, një lypës. Mbi të gjitha plaga e madhe e robërisë, padituria, përçarjet, nuk i shpëtojnë nga sytë. Ai i prek tërthorazi në vargjet që mbyllin poemën, kur shpreh dëshirën që Shqipëria të hyjë në rrugën e mbarësisë.
Tregomu dhe shqiptarët udhën e punës së mbarë,
bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqiptarë.
Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardhë të lirisë,
udhën e vëllazërisë, vahn e gjithë mirësisë.
Nxirr të vërtetën në shesh, paskëtaj të mbretërojë,
errësira të përndahet, gënjeshtra të pushojë.
Vlerat artistike të poemës janë të gjithanshme, ndaj dhe idetë e saj janë aq të prekshme. Figuracioni është aq i pasur, i larmishëm e i vetvetishëm sa të krijon një ngazëllim të papërmbajtur. Apostrofat drejtuar natyrës shqiptare, enumeracionet e shumta që japin larminë e saj dhe të punëve, krahasimet dhe semilitudat e goditura, epitetet e thjeshta dhe metaforat e bëjnë atë një nga veprat më të frymëzuara të letërsisë sonë. Duke u nisur nga jeta baritore, nga loja e qengjave rreth mëmave të tyre, Naimi krijon dhe simbole shprehëse: fjala "mëmë" përsëritet aq shpesh, sa bëhet simbol, që përgjihtëson përkushtimin e poetit ndaj tokës mëmë, Shqipërisë. Në këtë vepër Naimi përdor një shqipe të kulluar dhe, mbi të gjitha, arrit të zbulojë me forcën e talentit poetik vlerat dhe mundësitë e mëdha shprehëse të gjuhës sonë. Ai e ngriti atë në rrafshin e gjuhës së poezisë së vërtetë, që mund të shprehte ndjenja nga më të hollat. Në poemë gjejmë një leksik shumë të pasur baritor e fshatarak, thirrorë e pasthirrma plot efekt, gjejmë prapashtesat përkëdhelëse zvogluese: -zë, -thë, -osh (e), që sjellin aq ngrohtësi:
Vashë bukuroshe e bariut, që vjen me llërë përveshur,
me zemër të dëfryer e me buzëzë të qeshur…
Me dy shqerëza ndër duar, të bukura si dhe vetë,
Në sythit tënt e shoh gazë, që s'e kam gjetur ndë jetë.
Për t'u dhënë jetë ideve e ndjenjave të zjarrta, Naimi krijoi një varg të ri në poezinë shqiptare, vargun 16-rrokësh. Vetëm ky varg i gjerë dhe i qetë mund të jepte atë tabllo madhështore të natyrës shqiptare dhe ndjenjat e përflakura të poetit, ndaj dhe mban emrin e tij, vargu naimjan. "Bagëti e bujqësia" është poemë liriko-epike, boshtin e së cilës e formon lirizmi, shprehja e mendimeve dhe e ndjenjave që i vlojnënë shpirt poetit. Bota romantike e Naimit përmblidhet në ekzaltimin nga bukuritë e natyrës shqiptaree të jetës baritore e fshatarake, në dashurinë dhe krenarinë për kombin, në optimizmin dhe ngazëllimin për ditën e bardhë të lirisë. Poema mbetet një nga faqet më të bukura të poezisë së Rilindjes, me ndikim të fuqishëm edhe në ditët tona.